Në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u kremtua 500 vjetori i martirizimit të martirit të ri, oshënarit Jakov. I lindur në rrethinat e Vithkuqit, oshënari Jakov shkëlqeu me jetën e tij të shenjtë, e cila u kurorëzua me kurorën e martirit. Mesha panigjirike u drejtua nga Mitropoliti i Korçë Hirësia e Tij Imzot Joani. Në fund të liturgjisë besimtarët patën bekimin të nderonin lipsanin e hirshëm të shën Jakovit.
– OSHËNARI DHE DËSHMORI I RI JAKOV –
Shën Jakovi lindi në një fshat të zonës së Vithkuqit. Prindërit e tij quheshin Martin dhe Parashqevi. Mbas vdekjes së prindërve të tij ai punoi si bari dhe tufa e tij u rrit jashtëzakonisht shumë, duke shkaktuar kështu smirën dhe zilinë e vëllait të tij, ashtu si Abeli me Kainin. I verbuar nga zilia vëllai i tij sajoi një histori të rreme. Ai shkoi tek kadiu dhe i tha se Jakovi kishte gjetur një thesar të madh. Për të shpëtuar nga zilia e të vëllait dhe nga lakmia e kadiut, Jakovi u largua me shpejtësi nga fshati i tij dhe shkoi në Konstandinopojë. Atje ai filloi të merret me tregëti, duke blerë dhe shitur bagëti.
Jakovi u pasurua shumë nga kjo tregëti. Një ditë ai ndodhej si mik në shtëpinë e një turku të rangut të lartë, i cili e respektonte shumë krishtërimin. Turku i tregoi Jakovit se gruaja e tij kishte vuajtur shumë nga një sëmundje e rëndë mendore dhe ishte shëruar kur Patriku kishte vendosur mbi kokën e saj Ungjillin e shenjtë. Jakovit i bëri shumë përshtypje kjo dëshmi, e treguar nga një mysliman dhe u prek shumë në shpirt. Një dëshirë e zjarrtë iu ndez brenda dhe shkoi të takonte Patrikun. Në atë kohë Patrik ishte shën Nifoni – me origjinë arbërore dhe sipas traditës vëllamë i Gjergj Kastriotit. Mbasi u rrëfye tek vetë Patriku, Jakovi e ndau gjithë pasurinë e tij tek të varfërit dhe pastaj, u nis për në Malin e Shenjtë, ku edhe filloi jetën murgërore.
Si murg, Jakovi praktikoi një asketizëm të ashpër, duke ngrënë dhe duke fjetur shumë pak dhe duke e kaluar pjesën më të madhe të ditës me punë dhe lutje. Ai e bëri zakon të fliste vetëm të shtunave dhe të dielave. Duke kërkuar një qetësi më të madhe për tu lutur, ai u largua nga manastiri dhe shkoi të jetonte në një vend të shkretë në brendësi të Malit të Shenjtë. Shpesh ngjitej në majën e malit Athos dhe e kalonte gjithë natën duke u lutur. Kështu murgu Jakov arriti një shkallë të lartë të jetës shpirtërore dhe pati shumë vegime qiellore. Njëherë gjatë lutjes, në vegim, iu shfaq një plak i shenjtë dhe i tha se ishte dëshira e Perëndisë të linte Malin e Shenjtë dhe të dëshmonte tek njerëzit që ishin në vështirësi me besimin.
Jakovi u largua nga Athosi i shoqëruar nga dy prej nxënësve të tij. Fillimisht ai vizitoi një qytet të quajtur Petra, pastaj shkoi në Meteora, ku qëndroi për një kohë të shkurtër dhe më pas u vendos në manastirin kushtuar Pararendësit në Dervekishtë, pranë Nafpaktos. Shumë njerëz filluan të vinin në manastir për të takuar shenjtorin, sepse fama e shenjtërisë së tij e kishte paraprirë. Kudo që ai shkonte mblidhej një turmë e madhe. Jakovi predikoi shumë për të forcuar popullin në besim dhe bëri shërime dhe mrekulli të shumta. Fjalët e tij, të shoqëruara me mrekulli, kthyen shumë njerëz në rrugën e drejtë. Perëndia i kishte dhuruar atij dhuratën e profecisë dhe të gjitha profecitë që ai bëri u realizuan. Gjithashtu, ai kishte edhe dhuratën të dallonte mendimet e fshehta të çdo personi që takonte.
Por, jo të gjithë e pranuan këtë dhuratë që Perëndia kishte dërguar për shërim të shpirtrave. Ashtu siç ka ndodhur shpesh, drita urrehet nga errësira dhe në zemrat e papastra lind zilia kur flitet mirë për dikë. Kështu që zilia dhe smira u ndez në zëmrën e disa murgjërve të tjerë, të cilët filluan të shpifin kundër Jakovit. Ata nxitën gjithashtu mitropolitin e Artës, Akakios, i cili edhe vetë ishte bërë xheloz nga veprimtaria e Jakovit. I errësuar nga zilia, ai informoi beun e Trikallasë, sikur Jakovi po kryente një aktivitet të fshehtë dhe po mblidhte njerëz rrotull tij për të filluar një kryengritje.
Ky lajm e tronditi beun dhe ai urdhëroi të arrestohet Jakovi dhe të sillet tek ai menjëherë. Por Jakovi e kishte parashikuar këtë dhe u përgatit me lutje për martirizimin që po e priste. Ushtarët erdhën dhe e arrestuan atë, sëbashku me dy nxënësit e tij, dhjakun Jakov dhe murgun Dionis. I çuan tek beu dhe ai e mori në pyetje Jakovin, herë me të mirë dhe herë me kërcënime. Pas dyzet ditësh, të lidhur me zinxhirë, i çuan para sulltan Selimit, i cili po qëndronte në Adrianopojë. Pas torturave të tmerrshme dhe përpjekjeve të dështuara të sulltanit për t’i detyruar të kthenin fenë, Jakovi dhe dy nxënësit e tij u vranë në 1 Nëntor të vitit 1519. (Disa sinaksarë të tjerë japin vitin 1520).
Lipsanet e tyre u blenë nga disa të krishterë të devotshëm dhe u varrosën në fshatin Arvanitohori, në tre varre të veçantë, pranë Adrianopojës. Lipsani i shën Jakovit u bë një burim mrekullish dhe shërimesh. Sot lipsanet e tij ndodhën në manastirin e shën Anastasisë Farmakolitria, në Selanik, ndërsa koka e tij në Mitropolinë e Kosturit. Një pjesë e vogël nga lipsani i tij që ruhet në Kostur iu dhurua Mitropolisë së Korçës me rastin e 500 vjetorit të martirizimit.