Më 3-7 tetor 2019, në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit, Durrës, u zhvillua një takim ndërkombëtar i grave orthodhokse, me temë: “Pelegrinazhi i Drejtësisë dhe Paqes: Udhëtimi i Grave Ortodokse Lindore dhe Orientale sot”. Në të morën pjesë përfaqësuese nga disa kisha orthodhokse dhe nga kisha orthodhokse të Orientit, të cilat janë përfshirë në role të ndryshme në organet drejtuese të Këshillit Botëror të Kishave (WCC), që nga Asambleja e përgjithshme e Busanit, në Korenë e Jugut (2013). Ato ndanë me njëra tjetrën përvojën ekumenike dhe diskutuan agjendën e grave orthodhokse në rrugëtimin drejt Asamblesë së 11-të të WCC, që do mbahet në vitin 2021 në Karlsruhe, në Gjermani.
Në takim u zhvilluan 5 seanca, me tema të ndryshme si:
“Pjesëmarrja e Grave Orthodhokse Lindore dhe Orthodhokse Orientale në WCC. E shkuara dhe e tashmja”, “Gratë Orthodhokse Lindore dhe gratë Orthodhokse Orientale në përballje me sfidat e shekullit XXI, si shëruese dhe paqebërëse në rajone të luftës, konfliktit dhe krizës ekonomike”, “Reflektime mbi krizën ekonomike dhe varfërinë” etj.
Disa nga folëset ishin Ruth Matthen nga Malankara, Kisha Orthodhokse Siriane dhe Konferenca Kristiane e Azisë; Prof. Dhimitra Koukoura, përfaqësuese e Patriarkanës Ekumenike dhe anëtare e Komiteti Qendror të WCC; Margarita Nelyubova, përfaqësuese e Patriarkanës së Moskës dhe anëtare e Komitetit të WCC etj. Ndërsa nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë Motër Rakela mbajti temën: “Roli i gruas në edukim”; MSc Violeta Plepi mbajti temën: “Roli i gruas në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” dhe MSc Marina Baba temën: “Roli i gruas në katekizëm”.
Gjithashtu, pjesëmarrëset morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ditën e diel, 6 tetor 2019. Pas Meshës ato zhvilluan një takim me Kryepiskopin e Tiranës Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin. Fortlumturia e Tij diskutoi gjerësisht më tepër rolin e gruas bashkëkohore në Kishë dhe u tregoi për rolin shumë aktiv që gratë lozin në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.