Tërmeti i djeshëm shkaktoi frikë, panik dhe dhimbje. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë lutet dhe u qëndron pranë të gjithë qytetarëve dhe në veçanti atyre që u prekën më rëndë, me të lënduar dhe me dëme të konsiderueshme materiale.
Duke kapërcyer sa më shpejt ndjenjën e frikës dhe shqetësimit që ka kapluar shpirtrat, është momenti i mbështetjes dhe ndihmës për ata që u prekën nga tërmeti. Eshtë momenti i solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojat më elementare, sepse kanë humbur gjithçka.
Lutemi që Perëndia të lehtësojë dhimbjet atyre që janë lënduar dhe që të bëhet e mundur që të strehohen sa më shpejt ata që kanë humbur shtëpitë, sepse dimri po afron.
Duke falënderuar autoritetet shtetërore për mobilizimin e tyre, duhet edhe ndihma dhe mbështetja e gjithë atyre që kanë mundësi, pasi përmasat e dëmeve janë shumë të mëdha. Të gjithë mund të kontribuojnë në kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.