Në datën 1 shtator 2019 fjeti më Zotin Hirësia e Tij, Nikoni, Kryepiskop (Mitropolit) i Bostonit, i New England dhe i Kryedioqezës Shqiptare në SHBA.

Lindi në vitin 1945 në Nju Jork, në një familje të përkushtuar orthodhokse me origjinë shqiptare, me shumë kontribute për Kishën. Përfundoi studimet në Seminarin e Shën Vladimirit më 1966 dhe u dorëzua dhjakon e më pas në prift në vitin 1969. Ai shërbeu me devotshmëri për shumë vjet në dy kisha të Kryedioqezës Shqiptare, në kishën e Shën Nikollës, në Southbridge, Massachusetts, dhe në kishën e Shën Thomait, në Farmington Hills, Michigan.

Në maj të vitit 2002, u dorëzua Episkop i Baltimorës dhe ndihmës i Mitropolitit Theodhos.

Në vitin 2003 u caktua Episkop i Kryedioqezës Shqiptare të OCA, dhe në tetor të vitit 2003 Sinodi i kësaj kishe e zgjodhi Episkop të Bostonit. Ai shërbeu edhe si administrator i dioqezës së New England. Në vitin 2005 mori nga Mitropoliti Herman titullin Episkop i Bostonit, i New England dhe i Kryedioqezës Shqiptare.

Në maj të vitit 2012 u ngrit në rangun e Kryepiskopit (Mitropolit).

Kryepiskopi (Mitropoliti) Nikon i ruajti gjithmonë të forta lidhjet me origjinën e tij. Familja e tij ishte nga Boboshtica e Korçës dhe i vëllai, atë Artur Liolini, është Kryekancelar i Kryedioqezës Shqiptare në Boston.

Të dy bashkë, atë Artur Liolin dhe Hirësi Nikoni, mirëpritën Kryepiskopin e Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Ata janë shprehur shpesh herë në media për arritjet e pakrahasueshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Primatit të saj, Kryepiskopit Anastas. Hirësia e Tij Nikoni ishte i pranishëm në Hapjen e Dyerve (2012) dhe në Përurimin/Shenjtërimin (2014) e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, kur bëri edhe disa vizita, si në Manastirin e Shën Vlashit etj.

I përjetshëm kujtimi!