Çdo vit kremtojmë dy momente që shënojnë ringritjen zyrtare kanonike nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës sonë (24 qershor) dhe ditën e Fronëzimit të Tij (2 gusht).
Sot, 2 gusht 2019, me rastin e 27-vjetorit të kësaj date të shënuar për orthodhoksët e Shqipërisë, U krye Liturgjia Hyjnore panegjirike në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë. Ajo u bë nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i ndihmuar nga Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; Mitropoliti i Fierit, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti.
Në emër të Sinodit të Shenjtë dhe të gjithë besimtarëve orthodhoksë, Kryepiskopin Anastas e uroi Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani. Gjithashtu, edhe Kryepiskopi falënderoi për urimet dhe kujtoi momentet e para të ardhjes në Shqipëri dhe të ringritjes së Kishës.