Për vite me radhë është bërë traditë java aktive e grupeve rinore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në bashkëpunim me grupin e të rinjve të ardhur nga OCMC (Qendra e Krishterë Orthodhokse Misionare), të drejtuar nga dhjakon Stefan Ritsi në bashkëpunim me Zyrën e Rinisë, Tiranë. 

6 të rinj, studentë nga SHBA dhe Kanada, mësuan dhe përjetuan nga afër Ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas persekutimin që ajo vuajti. U njohjen me çdo aspket të ringritjes së saj, si ndërtimi i kishave, kompleksi Nazaret, Mensa e dashurisë, klinika “Ungjillëzimi, shkollat dhe Kolegji Universitar “Logos”, Shtëpia e të moshuarave, etj. E gjithë kjo mrekulli e pabesueshme për të gjithë, nën përkujdesjen dhe drejtimin e Kryebariut tonë të dashur, Anastas.

Pjesë tjetër e rëndësishme e programit të javës ishte edhe lidhja me të rinjtë e kishës sonë dhe realizimi i programve të ndryshme, nëpërmjet të cilave u përjetua universaliteti i Kishës Orthodhokse.

Kështu të dielën pas Liturgjisë Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, grupet e të rinjve ndoqën takimin drejtuar nga Atë Harallamb Gjoka me temë: “Justifikimi s’ka justifikim”, i cili i përgatiti të rinjtë me mesazhet e Javës së Tretë të Triodit, që të veshur me përulësi dhe pendim të përgatitemi për nisjen e Kreshmës. Pas takimit të rinjtë patën mundësi të njihen me grupin nga OCMC-ja.

E gjithë java ishte e organizuar me programe sociale, argëtuese, shpirtërore dhe kulturore. Të martën të rinjtë darkuan së bashku dhe ndanë përvojat e tyre të udhëtimin në besim, si edhe sfidat me të cilat hasen. Dita e enjte i mblodhi të rinjtë te kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, për kohë shoqërizimi me njëri-tjetrin dhe për të lundruar në liqen.

Dita e premte, 8 mars 2019, mblodhi grupin e Tiranës, miqtë nga USA e Kanadaja, dhe Gjinari (40 të rinj) për një tjetër program të veçantë në Gjinar, Elbasan. Dita filloi me lutje për bekimin e aktivitetit, njohjen me Kishën “Ngjitja në Qiej”, në Gjinar dhe me grupin rinor të kësaj zone.

Dhjakon Stefan Ritsi mbajti një fjalim të shkurtër me temë: “Gjithçka i përket Zotit, blatoja Atij!”, ku ndër të tjera theksoi se Gjithë kjo botë na është dhënë neve…, por na është dhënë si një përgjegjësi. Perëndia e krijoi botën, jo si dhuratë për t’u shkatërruar, por si mjet për kungim/lidhje me krijuesin tonë.
Ja bota… unë shoh atë që kam bërë dhe ajo është e mirë. Kujdesuni për të. Kthemani. Drejtoni gjithë botën në kungim me mua.
Na është dhënë neve. Kemi lirinë të bëjmë çfarë të duam. Por jo lirinë plot egoizëm për ta prishur e shkatërruar, por lirinë për të krijuar, për t’u kujdesur, dhe për të administruar me arsyen dhe urtësinë që na ka dhënë Perëndia.
Në Librin e Zanafillës shikojmë çfarë ndodh kur njeriu mohoi Perëndinë. Adami nuk pranoi përgjegjësinë e tij dhe shpalli: “Toka është IMJA dhe gjithëçka që ndohet në të… më është dhënë MUA për kënaqësinë TIME… për ta zotëruar….për të përmbushur dëshirat e MIA”.

Por ekziston një problem këtu. Kush jemi ne? Ne jemi bërë nga dheu dhe në dhé do të kthehemi. Kur heqim Perëndinë nga kjo lidhje, kur vendosim të bëjmë veten tonë perëndi të krijimit, dënojmë veten dhe botën. Ne dënojmë edhe krijimin duke i dhënë një perëndi të bërë nga dheu.
Sot, kur dhunojmë edhe shkatërrojmë këtë botë për rehatinë dhe luksin tonë… ne ndjekim udhën e Adamit dhe përsëritim frazën: “Toka është IMJA dhe gjithçka që ndodhet në të”. Ne nuk pranojmë përgjegjësinë tonë, që t’i marrim këto dhurata dhe t’i përdorim me arsyen që na ka dhënë Perëndia, për të krijuar një botë të bukur dhe të rregullt, e cila i blatohet gjithmonë Perëndisë.
Kur ne vendosim veten tonë në vend të Perëndisë, ka pasoja, dhe sot ne shikojmë që natyra po revoltohet. Ne shikojmë pasojat e veprave tona. Natyra na kujton edhe një herë që nuk jemi ne Perëndia.
Më pas të fyrmëzuar të rinjtë u nisën drejt pjesës së pyllit të djegur, ku mbollën 200 rrënjë pisha.
Nismës së të rinjve orthodhoksë iu bashkuan edhe të rinj nga Ecovolis dhe përfaqësues të njësisë bashkiake, Gjinar.

Një përkushtim në unitet dhe pak punë bëri që pylli i djegur dhe pa jetë të fillojë të gjelbërojë nga pishat e vogla. Madje edhe dielli e qielli na gëzuan me shkëlqimin e tyre këtë ditë.

Pas mbjelljes së 200 rrënjë pishash të rinjtë drekuan dhe festuan së bashku për këtë ditë të bekuar dhe me këtë mundësi të veçantë për të ofruar për mirëmbajtjen e natyrës si administrator të mirë.
Vizita në Kishën historike të Shelcanit mbylli programin e kësaj dite.

Dita e shtunë, 9 mars 2019, mblodhi 90 të rinj nga grupi rinor i Dioqezës së Tiranës, Elbasanit dhe Kolegji Universitar “Logos” në manastirin e hirshëm të shën Joan Vladimirit, vend aq i dashur për të, ku për më shumë se pesë vjet me radhë ofrojnë shërbime të ndryshme për mirëmbajtjen dhe zbukurimin e tij. Programi e kësaj dite filloi me Liturgjinë Hyjnore për 40 martirët e Sebastës, një shembull motivues për të gjithë të rinjtë, sikundër e theksoi edhe Mitropoliti i Elbasanit, imzot Andoni i cili drejtoi Liturgjinë dhe ofroi një predikim inkurajues për pjesëmarrësit. “Të mbështetim dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin në udhëtimin tonë drejt Zotit, që të jemi të fortë deri në fund”- theksoi ai.
Pas mëngjesit dhe kohës cilësore që të rinjtë kaluan me njëri-tjetrin, Dr. Jorgo Keselopoulos, lektor i Kolegjit Universitar “Logos” ofroi fjalimin me temë: Udhëtim drejt Ngjalljes, që të gjithë të jemi NJË!
Ai theskoi: “Pra, mënyra me të cilën ne të krishterët do të bëhemi pasuesit e nxënësve të Krishtit është dashuria që kemi midis nesh, si edhe dashuria ndaj gjithë të tjerëve. Ja të shohim sërish fjalët e Zotit tonë se si vihet në veprim dashuria për Perëndinë: “Në më doni, ruani urdhërimet e mia”. (Jn. 14:15)
Kështu, ruajtja e urdhërimeve të Perëndisë dhe kryesisht ruajtja e urdhërimit të dashurisë, janë treguesit e dashurisë sonë të vërtetë për Perëndinë. Të themi se e duam Atë dhe nuk ruajmë urdhërimet e Tij është veprim i gënjeshtërt, hipokrit dhe si përfundim farisian. Pra, nuk nevojiten fjalë, por vepra. Fjalët e Zotit përfundojnë në këtë mënyrë: “Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, edhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne…. Dhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre. Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je në mua, edhe unë në ty, edhe ata të jenë një në ne; që të besojë bota se ti më dërgove. Edhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikurse edhe ne jemi një. Unë në ata, edhe ti në mua, që të jenë të përsosur në një, edhe që bota të njohë se ti më dërgove, edhe se i deshe ata siç më deshe mua. O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të themelohet bota. O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, po unë të njoha, edhe këta e njohën se ti më dërgove. Edhe u tregova atyre emrin tënd, edhe do ta tregoj, që dashuria, me të cilën më deshe, të jetë në ta, edhe unë në ta. (Jn. 17:11, 20-26)
Shprehja e Zotit tonë që të jenë një, që është edhe tema e këtij takimi, ishte edhe lutja e dashur e shën Porfirit. Do të përfundoj me fjalët e shenjtorit në lidhje me këtë varg: “Kjo gjë na kërkohet në jetën tonë, dashuria, adhurimi i Krishtit dhe dashuri për të afërmit tanë. Të jemi të gjithë një me në krye Krishtin. Vetëm kështu do të fitojmë hirin, qiellin, jetën e përjetshme. Dashuria për vëllanë kultivon dashurinë për Perëndinë. Jemi të lumtur nëse i duam të gjithë njerëzit mistikisht. Kështu do të ndiejmë se na duan të gjithë. Askush nuk mund të arrijë te Perëndia, nëse nuk kalon nga njerëzit. Sepse ‘nëse nuk do vëllanë që e sheh, si mund të duash Perëndinë që nuk e sheh’?”.
Të duam, të sakrifikojmë për të gjithë me vetmohim, pa kërkuar shpërblim. Këtu gjen kënaqësi njeriu. Dashuria që kërkon shpërblim është egoiste, nuk është e pastër, e vërtetë dhe e papanshme.
Shenjtori vazhdon: “Duajini dhe kini dhembshuri për të gjithë. ‘Edhe në qoftë se një gjymtyrë vuan, gjithë gjymtyrët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Edhe ju jeni trupi i Krishtit, edhe gjymtyrë të veçanta’. (1 Kor. 12:26-27). Kjo është Kisha: unë, ti, ai, tjetri, të ndihemi që jemi gjymtyrë të Krishtit, që jemi një. Dashuria për veten është egoizëm. Të mos kërkojmë: unë të qëndroj, unë të shkoj në Parajsë, por të kemi për të gjithë këtë dashuri. Kjo është përulësia. Kështu, nëse jemi të bashkuar, do të jemi të bekuar, të lumtur, do të jetojmë në Parajsë. Çdo i afërm yni, çdo person që kemi pranë është ‘mish prej mishit tonë’. A mund të qëndroj indiferent ndaj tij, mund ta hidhëroj, mund ta urrej? Ky është misteri më i madh i Kishës sonë. Të jemi të gjithë një në Perëndinë. Nëse e bëjmë këtë, i përkasim Atij, nuk ka gjë më të bukur sesa ky unitet, sesa ky bashkim. Kjo është Kisha. Kjo është Orthodhoksia. Kjo është Parajsa”.

Pas këtij fjalimi frymëzyes të rinjtë, pasi mësuan më shumë mbi përgjegjësinë e tyre si të krishterë, me shumë gëzim vazhduan mbjelljen e pemëve, kësaj radhe 45 rrënjë ullinj në ullishten e re të manastirit, toka e së cilës ishte përgatitur më parë. I pari që bekoi dhe dha shembullin e ofrimit ishte vetë Imzot Andoni, Mitropoliti Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, I ndjekur nga klerikët pjesëmarrësit në aktivitet. Përvec mirëmbajtjes dhe zbukurimit të manastirit, kjo ullishtë do të kontribuojë në mbledhjen e të ardhurave për manastirin.

Takimi i vogël në grupe i drejtuar nga studentët nga USA dhe Kanadaja dhe një student nga vendi ynë, ndihmoi të rinjtë të refektojnë më shumë për mënyra konkrete si t’i afrohen më shumë Zotit. Aktiviteti sportiv dhe shërbesa e bukur e Mbrëmësores për të Dielën e Faljes mbylli këtë aktivitet një ditor me të rinjtë, si një frymëzim për futjen në Kreshmën e madhe dhe nxitje për unitet në Zotin.

Falënderojmë ZOTIN për bekimet e tij të panumërta dhe shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që kontribuan në organzimin dhe realizmin e kësaj jave kaq produktive.