
Në vigjiljen e Krishtlindjes, këndohen Orët Mbretërore dhe bashkë me Mbrëmësoren shërbehet Mesha Hyjnore e Shën Vasilit. Në këtë shërbesë këndohen profecitë e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Perëndia është me ne, merreni vesh ju të gjithë o kombe dhe nënshtrohuni, sepse Perëndia është me ne (Isaia 8:9). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).
Vigjilja e Krishtlindjes fillon me Pasdarkën e madhe, ku theksohet përsëri me një këndim solemn se Perëndia është me ne, si dhe fjalët e profecisë së Isaisë. Në Pasdarkën, gjithashtu këndohen Përlëshorja dhe Shkurtorja e festës, të shoqëruara me himne të veçanta, që lavdërojnë Lindjen e Shpëtimtarit. Thuhen, gjithashtu litani të veçanta dhe të gjata ndërmjetësimi, si dhe bëhet bekimi i pesë bukëve, grurit dhe verës, që ndahen ndërmjet besnikëve dhe vajit, me të cilin lyhen besnikët. Kjo pjesë e vigjiljes, që bëhet në çdo festë të madhe quhet litia ose artoklasia ose bekimi i pesë bukëve. Në fillim të Mëngjesores së Krishtlindjes, e cila së bashku me Pasdarkën formon Vigjiljen e Krishtlindjeve, këndohen gjashtë psalmet mëngjesorë, duke filluar si zakonisht me fjalët: Lavdi Perëndisë në të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje (Lluka 2:14).
Në shërbesat e Krishtlindjes, këto fjalë të këngës engjëllore, normalisht këndohen me një solemnitet më të madh se zakonisht. Mëngjesorja e Krishtlindjes vazhdon si zakonisht. Këndimi i Ungjillit prej Mattheut (1:18-25) tregon lindjen e Krishtit dhe gjithë himnet e vargjet lavdërojnë ardhjen e tij në tokë. Krishti lindet, lavdërojeni. Krishti prej qiellit vjen përpara dilini. Krishti mbi dhé, lartësohuni. Këndojini Zotit tërë dheu. Dhe me ngazëllim përhimnojeni popuj. Se u lavdërua (Kënga e Parë e Kanonit të Krishtlindjes). Mesha e Krishtlindjes fillon me psalmet e lavdërimit. Përlëshorja dhe Shkurtorja shënojnë hyrjen me Ungjillin. Rreshtat, që flasin për Pagëzimin, prej Galatianëve 3:27, përsëri zëvendësojnë Trishenjtorin. Apostulli është nga Galatianët. Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpërblente ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Aba! Atë!”. Prandaj, ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir je dhe trashëgimtar (Galatianët 4:4-7).
Këndimi i Ungjillit është historia familjare e Krishtlindjes nga Ungjilli i Mattheut (2:1-12) dhe Mesha vazhdon normalisht. Pastaj, kemi një kremtim të veçantë dyditësh, kushtuar Marisë Hyjlindëse dhe Shën Stefanit, Dëshmorit të Parë. Periudha e gëzuar e Krishtlindjes shtrihet deri në Ujin e Bekuar. Gjatë kësaj kohe këndohen këngë, dhe agjërimi dhe rënia në gjunjë nuk kërkohet nga Kisha. Festa e Krishtlindjes titullohet zyrtarisht Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Në Krishtlindje ne kremtojmë lindjen si njeri të Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve. Prandaj ne këndojmë në Kishë:
Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjtë, me barinjtë po lavdërojnë, Magët, pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot. Festa e Krishtlindjes, për katër shekujt e parë, nuk ishte një festë e ndarë e Kishës. Ajo kremtohej së bashku me Epifaninë (Ujin e Bekuar), në një nga festat më të mëdha, të shfaqjes së Perëndisë në tokë në formën njerëzore të Mesias së Izraelit. Krishtlindja filloi të festohej si e tillë në 25 dhjetor, për të kundërballancuar festivalin pagan të Diellit të Pamposhtur. Ajo u vendos nga Kisha në mënyrë të ndërgjegjshme, si një orvajtje për të mundur besimin e rremë të paganëve. Prandaj, në përlëshoren e festës, gjejmë një polemikë kundër adhurimit të diellit dhe të yjeve dhe thirrjen për adhurimin e Krishtit, Diellit të Vërtetë të Drejtësisë (Malakia 4:2), i cili është adhuruar nga të gjithë elementët e natyrës.
Lindja jote, o Krisht, Perëndi dhe Zot, i lindi botës dritën e dijes së hyjshme; se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin, ty t’adhurojnë, Diellin e Drejtësisë dhe të të njohin si Lindjen që lartazi (Lluka 1:78, përkthyer si Agim), o Zot, lavdi më Ty! (Përlëshorja). Kështu, festa e Krishtlindjes, është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.