TË HËNËN E NDRITSHME
Sipas Joanit
Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; Biri i Vetëmlindur, që është në gjirin e Atit, ai e tregoi. Edhe kjo është dëshmia e Joanit, kur dërguan Judenjtë nga Jerusalemi priftërinj dhe Levitë që ta pyesin: Cili je ti? Edhe rrëfeu, edhe nuk mohoi. Edhe rrëfeu se unë nuk jam Krishti. Edhe e pyetën: Çfarë, pra? Ilia je ti? Dhe thotë: Nuk jam. Profeti je ti? Dhe u përgjigj: Jo. I thanë pra: Cili je? që t’u përgjigjemi atyre që na dërguan. Ç’thua për veten tënde? Tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Drejtoni udhën e Zotit”, siç tha profeti Isaia. Edhe të dërguarit ishin prej Farisenjve. Edhe e pyetën e i thanë: Përse pra pagëzon kur ti nuk je Krishti, as Ilia, as profeti? Joani iu përgjigj atyre, duke thënë: Unë pagëzoj me ujë; por në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni; është ai që vjen pas meje, i cili është më i lartë se unë, atij unë s’jam i denjë t’i zgjidh lidhësën e sandales. Këto ndodhën në Betani, përtej Jordanit, ku Joani ishte duke pagëzuar.