“Fjetja e Hyjlindëses”
E kremtja e madhe e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi kreshmor. Për mbarë botën e krishtere figura e Nënës së Zotit lidhet në mënyrë të papërsëritshme dhe hyjnore me Shpëtimtarin e fisit njerëzor – Jisu Krisht. Me një dashuri të çiltër dhe të pafundme Hyjlindësja mbron të gjithë dhe përkrah çdo vepër të mirë njerëzore. Hyjlindësja konsiderohet mbrojtëse e të gjithë njerëzve para Zotit për gabimet e vullnetshme dhe të pavullnetshme. Që nga çasti i Fjetjes, Shën Mëria qëndron nga e djathta e birit – Jisu Krisht, dhe me lutjet e saj prej nëne mbron mbarë botën e krishtere. Ajo u sjell gëzim dhe qetësim të gjithë njerëzve të vuajtur dhe të mjeruar.
Dita e Fjetjes së saj – 15 gusht, konsiderohet një nga të kremtet më të mëdha dhe më të ndritshme të krishtera. Çdo vit kishat dhe manastiret që mbajnë emrin e saj mbushen me mijëra e mijëra besimtarë.
Në Kryepiskopatën e Tiranës
Besimtarë të shumtë nga Durrësi, Tirana, Kavaja, por edhe nga zona të tjera të vendit, u mblodhën për të nderuar të kremten e Fjetjes së Hyjlindëses në Manastirin e Ri të Shën Vlashit, në Durrës. Siç është tradita, festimi filloi me shërbesat e kryera që në mbrëmjen e 14 gushtit, kur në manastir u mblodhën për të kaluar natën në lutje qindra besimtarë, por edhe shumë njerëz të besimeve të tjera, të cilët e nderojnë në mënyrë të veçantë këtë vend mrekullibërës. Në datë 15 gusht Liturgjia Hyjnore u krye nga Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti.
Në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Liturgjinë Hyjnore, në prani të qindra besimtarëve, e kreu Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili.
Në Mitropolinë e Beratit
Kryepiskopi Anastas në datën 14 gusht, ishte për prag të kremten në zonën e Mitropolisë së Beratit. Bashkë me Mitropolitin Ignat, ai vizitoi qytetin e Vlorës, ku u pritën nga Kryetari i Bashkisë, z. Dritan Leli dhe Prefekti, z. Flamur Mamaj. Ndër të tjera, u trajtua edhe problemi i mbetur pezull prej vitesh, i ngritjes së një kishe katedrale në këtë qytet të lashtë dhe me tradita.
Për Shërbesën e Mbrëmësores, Kryepiskopi Anastas shkoi në Manastrin “Fjetja e Hyjlindëses”, në Zvërnec. Ky manastir është restauruar thellësisht, me një fond mjaft të konsiderueshëm të siguruar nga Fortlumturia e Tij.
Kryepiskopi, i shoqëruar nga Hirësi Ignati, u prit në manastir nga Kryetari i Bashkisë, z. Dritan Leli, deputeti i Vlorës z. Edi Leka, konsujt e Greqisë dhe Italisë dhe Kryetarja e komunës. Për nder të Kryepiskopit, Kryetari i Bashkisë kishte përgatitur një koncert me muzikë klasike, i cili u dha në urën që lidh ishullin e Zvërnecit me fshatin. Kryebashkiaku Leli vlerësoi figurën e Kryepiskopit Anastas si një bari që ka krijuar fidanishte dashurie dhe besimi kudo në Shqipëri për besimtarët orthodhoksë.
Kryepiskopi Anastas kreu Mbrëmësoren e madhe të së kremtes në Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë në Zvërnec, ku morë pjesë qindra besimtarë. Në fund, Fortlumturia e Tij foli për të kremten, duke e quajtur si një Pashkë verore për krishterimin.
E veçantë në Mitropolinë e Beratit ishte edhe mundësia që u krijua në datë 15 gusht për të shërbyer në kishën e Hyjlindëses në kala, e cila është kthyer prej vitesh në muzeun “Onufri” dhe nuk i është kthyer ende Kishës sonë, shërbesë që u drejtua nga Mitropoliti Ignat.
Në Mitropolinë e Korçës
Ditën kur Kisha jone kremton Fjetjen e Hyjlindëses dhe Virgjëreshës Mari, në kishën me të njëjtin emër në Pogradec Liturgjinë Hyjnore e drejtoi Mitropoliti i Korçës, Joani.
Në zonën e Korçës një nga kremtimet më tradicionale është ai në manastirin “Fjetja e Shën Marisë”, në Boboshticë. Çdo 15 gusht në të mblidhen mijëra besimtarë nga zona, por edhe nga gjithë vendi. Këtë Liturgjia Hyjnore u krye në kishën e rindërtuar, e cila është drejt mbarimit, nga atë Jani, atë Petraqi etj.
Më 15 gusht, në fshatin Bezhan të Kolonjës Liturgjia Hyjnore u festua bukur në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, pas disa viteve që nuk ishte bërë për arsye objektive, pasi banorët janë larguar prej vitesh. Ajo u krye nga Stavrofor Anesti Dhimitri. E veçanta e këtij viti kishte të bënte me një organizim të bezhanllinjve, që bënë të mundur të riktheheshin në vendin nga ku kanë rrënjet, për të nderuar Nënën e Zotit tonë Jisu Krisht. Gjithashtu, me një organizim krejt të tyrin, me mbështetjen edhe të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, po ata mbledhin fonde që do të shkojnë për rikonstruktimin e kishës, e cila është riparuar më parë në vitet ‘90.
Në Mitropolinë e Gjirokastrës
“Apostuj nga anët e dheut…” psallim në Dërgimësoren e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, gjatë gjithë ditëve të Kreshmës për këtë të Kremte të madhe, dhe në një perifrazim të saj, nga të gjitha anët mblidhen besimtarët Orthodhoksë duke u dhënë tjetër atmosferë panegjirike enorive në trevat e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Janë të shumta enoritë që kisha e tyre qendrore apo paraklise dhe për më tepër Manastire dikur të ndritshme që nderohen në kujtim të Gjithëvirgjërës Mari në të katër cepat e Mitropolisë.
Përdëllimtari e popullit besimtar Orthodhoks i ka qendisur këto kisha me një hijeshi dhe bukuri të veçantë dhe Hiri i të Tërëshenjtës u jep atmosferën aq domëthënëse shpirtërore. Ai Hir që i mblodhi besimtarët gjatë gjithë periudhës thajse dyjavore në Parakliset e përditshme të pasdites si një rast i mirë që klerikët pavarësisht mungesave të theksuara, sipas programit që Mitropoliti u kishte përgatitur, i vizituan të gjitha enoritë për të përmbushur nevojat adhuruese të besimtarëve. Analoge ishin edhe Liturgjitë Hyjnore që u kryen në kishat e enorive që kremtonin dhe që ishin të mbushura si natën e Ngjalljes dhe me të drejtë quhet Pashka e Verës kjo e Kremte. Të shumta dhe me dimension të thellë shpirtëror dhe adhurues ishin gjithashtu panegjiret nëpër Manastiret ku kryen Liturgjitë dhe Shërbesat e tjera të Kishës sonë.
Të veçanta për nga pjesëmarrja në lutje dhe adhurim ishin edhe këtë vit Panegjiret e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari përveç se në qendrat e rëndësishme urbane: Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Himarë etj. edhe në ato qendra dhe destinacione historike pelegrinazhi si Manastiri i rikonstruktuar nga Kryepiskopi Anastas në Kosinë, në Dervician, në Manastirin e Kamenas në Delvinë, në atë të Soronesë në Sarandë, në Dhivri, por pas aq vitesh edhe në Manastirin e Fjetjes në Kakome, duke kapërcyer vështirësitë e aksesit nga abuzuesit mbi pronat manastiriale.
Mitropoliti i Gjirokastrës celebroi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Harallambit të Sarandë, duke përkujtuar njëherësh edhe përvjetorin e Shenjtërimit të saj nga Kryepiskopi Anastas, në vitin 2011. Kujtimin e Shenjtërimeve që Kryepiskopi ka kryer në periudhën e të Kremtes së Fjetjes, ndër vite i kujtoi në të njëjtën mënyrë në datën e tyre edhe në Enori të tjera si në Livadhja, Mesopotam, Këlcyrë. Në këtë mënyrë mesazhi është i dyfishtë, përveç që zbatohet me rigorozitet sa parashikon tipikoja e Kishës sonë. Përçohet në kohë dhe jo si një moment diskret gëzimi i shenjtërimit si ndodhi esenciale në jetën e një komuniteti besimtarësh dhe ngjarje bazike në jetën e një enorie të caktuar nga njëra anë. Nga ana tjetër përbën kontribut shumëdimensional që së bashku me ndërtimin e vetë kishës të stabilizohet enoria dhe të fiksohet në kohën historike prania e komunitetit të Orthodhoksëve. Njëherësh besimtarët duke falënderuar Perëndinë për dhuratën e ngritjes së kishës dhe shenjtërimit të saj shprehin vit pas viti edhe mirënjohjen për Kryepiskopin për dhuratën që u ka bërë në jetën e tyre kishtare.
I veçantë ishte këtë vit edhe mëshimi në kishën e rikonstruktuar të fshatit Peshtan, që u krye me fondet e dhënë nga një banor i tij. Besimtarët orthodhoksë nga ky fshat u mblodhën me këtë rast nga anë të ndryshme të vendit, por edhe të ardhur nga emigracioni, për të festuar këtë të kremte të shënuar.
Në Mitropolinë e Fierit
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, në datën 15 gusht, e kreu Liturgjinë Hyjnore në manastirin historik të kishës sonë në Apolloni, i cili mban emrin “Fjetja e Hyjlindëses”. Ai meshoi bashkë me Mitropolitin e Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollën dhe klerikë të zonës, në prani të besimtarëve jo vetëm nga Mitropolia e Fierit, por edhe nga zona të tjera të vendit. Kryepiskopi Anastas mbajti omelinë e të kremtes, ndërsa Hirësi Nikolla e falënderioi për praninë në këtë të kremte dhe veprën e jashtëzakonshme për ringritjen dhe ecjen Kishës sonë.
Në Mitropolinë e Elbasanit
Liturgjia Hyjnore e të kremtes së shndritshme të Fjetjes së Hyjlindëses, në Elbasan u krye nga Mitropoliti, Hirësia e Tij Andoni, në kishën e shën Nikollës.
Mjaft bukur u kremtua në të gjitha zonat e Mitropolisë, si në fshatin Grabovë të Gramshit, ku Liturgjia u krye nga atë Mihallaq Prifti, në prani të besimtarëve të zonës, si dhe disa grupe familjarësh të ardhur nga Korça, Elbasani e Gramshi.