U zhvilluan tri kampet verore kombëtare për vajza

 

Kampi i parë për vajza

 

Në radhë të parë, për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtyre kampeve duhet të shprehim mirënjohjen për Kryepiskopin Anastas, për mbështetjen e tij financiare e shpirtërore për kampet verore. Ky është një investim në transformimin e jetëve të këtyre 69 vajzave.

Përvoja në kamp gjatë 10 ditëve i ndihmoi ato të dëgjojnë, të mësojnë, të kuptojnë dhe të përjetojnë Zotin. Ato patën mundësi gjatë kohës së kampit të lexojnë të gjithë Ungjillin e Markut dhe të mësojnë gjithë çka bëri Krishti për shpëtimin tonë. Kjo ishte mundësi reflektimi rreth jetës së secilës, njohjes së vetes nën dritën e Krishtit. Programi i kampit u dha atyre mundësi për të përdorur mënyrat që na ndihmojnë të njohim dhe përjetojmë Krishtin përmes lutjeve, leximit të Shkrimit të Shenjtë, reflektimit, studimit biblik apo referateve.

Tema e përzgjedhur për këtë vit ishte “Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin”. Gjatë kampit u mbajtën dhe 5 tema. Në këto referate kampistet dëgjuan se, nëse do të bëjmë çdo gjë si për Zotin së pari duhet të zgjedhim për kë Zot, kë Perëndi do të ndjekim dhe si do t’i përgjigjemi thirrjes së Krishtit, reflektuam rreth zgjedhjes se kush do të jetë Perëndia ynë dhe si do ta ndjekim atë në situata të vështira, mësuam si të jetojmë jetë të transformuara,  si të bëjmë zgjedhje të mençura apo si të jetojmë jetën në dritën e ngjalljes. Të gjitha këto tema u mbajtën bazuar në historitë e ndryshme të Ungjillit të Markut.

Programi i kampit ishte shumë i larmishëm dhe çdo pjesë e tij (studimet biblike, temat, puna e dorës, lojërat) ishin në të njëjtën frymë me temën e përgjithshme të kampit dhe e veçanta e tij ishte se çdo veprimtari ishte në funksion të përçimit të kësaj teme. Ai ishte i ndërthurur me shumë aktivitete të larmishme shpirtërore, edukuese e argëtuese ku fëmijët e gjenin veten shumë mirë në çdo ditë të kampit. Çdo mëngjes ata ishin përpara një sfide të re dhe një dite plot të papritura të bukura dhe asnjë ditë e kampit nuk ishte monotone.

Për vajzat dhe për ne si drejtuese ishte një eksperiencë e paharrueshme të merrnim pjesë në ndriçimin dhe rilindjen e motrave tona të reja. Kishës sonë iu bashkuan edhe 6 vajza të cilat u pagëzuan. Misteri i pagëzimit u krye në manastirin e Shën Joan Vladimirit dhe u drejtua nga prifti i këtij manastiri atë Irine Gega. 

 

Gabriela Hope

 

Kampi i dytë për vajza

 

Në datat 12-21 korrik u zhvillua Kampi II për vajza në shën Joan Vladimir, pranë Elbasanit. Rreth 65 vajza nga mosha 14- 17 vjeç morën pjesë në këtë aktivitet veror, të organizuar nga Kisha Orthodhokse për vite më radhë.

Vajzat pjesëmarrëse ishin pothuajse nga të gjitha mitropolitë e vendit tonë dhe si temë e përgjithshme e kampeve këtë vit u përzgjodh vargu: “Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin’ shkëputur nga letra drejtuar Kolosianëve.

Kampi i ndihmoi vajzat të udhëtonin dhjetë ditë përmes një përjetimi të thellë të besimit orthodhoks me lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë, referime nga folës te ndryshëm, përkujdesje për njerëzit në nevojë, aktivitete krijuese e argëtuese, këngë dhe lojëra etj.

Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij kampi , veçanërisht për Kryepiskopit Anastas, i cili, që nga viti 1996, përkujdeset që ato të organizohen çdo vit!

 

Elisabeta Shqau

 

Kampi i studenteve

 

Eshtë bërë traditë tashmë që, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, kampi zhvillohen në mjediset e Manastirit të hirshën të shën Joan Vladimirit. Ai zgjati nga 23 korrik – 2 gusht. Pjesëmarrëse ishin rreth 30 vajza, të cilat vinin nga mitropoli të ndryshme. Qëllimi i kampit ishte rritja dhe forcimi në besim, dhe miqësia me njëra – tjetrën.

Programi kishte shërbesa, mësime rreth besimit, biseda shpirtërore, predikime, pelegrinazhe, diskutime për tema sociale, punë dore, lojëra sportive dhe argëtuese. Të gjitha vajzave pjesëmarrëse në kamp iu dhurua libri i Kryepiskopit Anastas “Udhëtim Shpirtëror”.

Mbresëlënëse për vajzat ishte biseda shpirtërore me motër Paisian. Gjatë bisedës me vajzat, ajo theksoi rëndësinë e besimit në jetën tonë, duke i inkurajuar ato të kenë një marrëdhënie personale me Zotin. Kremtimi i 20-vjetorit të fronëzimit të Hirësi Joanit përkoi me periudhën e kampit III, për këtë arsye në datën 25 korrik, vajzat iu bashkuan gëzimit të këtij kremtimi në Korçë. Nuk mund të lëmë pa përmendur pelegrinazhet që u realizuan, si në manastrin e Shën Naumit në Ohër dhe atë të Shën Vasilit në Ostrog, në Malin e Zi. Vizita në këto vende të shenjta i ndihmoi vajzat të forcohen në besim, të nderojnë shenjtorët e kishës, duke i pasur shembull frymëzimi në rrugën drejt shenjtërimit.

Më 2 gusht pjesëmarrëset në kampin e vajzave kishin bekimin të ishte pjesëmarrëse në Liturgjinë Hyjnore për 26-vjetorin e ringritjes kanonike të Kishës, ku patën mundësinë të falënderonim nga afër Kryepiskopin Anastas për dashurinë dhe kujdesin e treguar për rinjtë.

 

Parashqevi Gega

 

U zhvilluan tri kampet verore kombëtare për vajza