“Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin”
U zhvilluan kampet verore kombëtare për djem
Kampi i parë për djem
Kampi i parë për djem u zhvillua nga data 30 qershor-9 korrik, në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike. Si të gjitha kampet e tjera, ai u zhvillua me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas, që ka qenë edhe nismëtari i organizimit të tyre.
Tema për këtë vit ishte: “Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin”. Në të morën pjesë fëmijë nga mosha 10-13 vjeç. Kampi pati veprimtari të larmishme shpirtërore e sociale, aktivitete sportive, vajtje në plazh, olimpiada e kampionate etj.
Djemtë patën mundësi të ndiqnin shërbesat e ndryshme, si dhe Liturgjinë Hyjnore, ku pjesa më e madhe u kungua me Trupin dhe Gjakun e Krishtit.
Gjatë këtyre 10 ditëve, ata u shkëputën nga rutina e përditshme që përjeton një adoleshent dhe u bënë pjesë e një mënyre të veçantë jetese, të ndryshme nga mentaliteti i botës, një jetë në komunitet të krishterë.
Ervin Mihali
Kampi i dytë për djem
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, nga datat 12-21 korrik u zhvillua kampi i dytë për djem, për moshat 14-17 vjeç, ku morën pjesë 75 fëmijë. Kësaj grupmoshe iu bashkuan edhe disa fëmijë më të vegjël, që shërbejnë në enorinë e Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës. Edhe ky kamp u zhvillua në mjediset e Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit nën përgjegjësinë e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, realizuar nga pedagogët e saj dhe me bashkëpunimin e ngushtë të katekistëve, studentëve të Akademisë Teologjike, si dhe të nxënësve të Liceut “Kryqi i Nderuar” në Sukth.
Tema për këtë vit ishte: “Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin”. Kampi pati një larmi aktivitetesh shpirtërore e sociale, lojëra sportive, plazh, olimpiada e kampionate dhe programe edukuese, duke pasur si qëllim kryesor vënien në praktikë të temës së kampit.
Këtë vit, pjesëmarrësit lexuan e studiuan Ungjillin sipas Markut. Një risi ishte organizimi i olimpiadës biblike, e cila u realizua në dy faza, duke u dhënë mundësi djemve që, atë që kishin përvetësuar nga Ungjilli, të mund ta shprehnin me anë të një konkursi. Kampistët u vunë përballë sfidave të ndryshme në grup.
Në kamp, një rëndësi i jepej edhe bisedave shpirtërore që zhvilloheshin pasdite, të mbajtura nga referues të ndryshëm, pedagogë të Akademisë.
Përveç referuesve të pranishëm në kamp, e veçantë ishte prania e një grupi rinor nga Athina, prej enorisë së Anargjendëve Kozma e Damian. Ata u shprehën se, edhe pse vijmë nga vende të ndryshme, ne përsëri jemi vëllezër, sepse kungohemi nga i njëjti potir.
Një moment kulmor dhe i rëndësishëm ishte 19 korriku, kur nga Hirësi Asti u pagëzuan 13 djem, të cilët veshën Krishtin dhe filluan një jetë të re më Zotin.
Jorgo Belul
Kampi Studentor
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, nga data 20-31 korrik 2018, për vitin e dytë radhazi, u krye Kampi Studentor “Rilindja”, në mjediset e rindërtuara të Manastirit të Shën Theodhorëve, Dhërmi. Këtë vit ishte punuar që kushtet të ishin edhe më të mira në akomodim, mensë dhe në ambientet çlodhëse.
Tema e kampit ishte: “Çdo gjë që bëni, bëjeni si për Zotin”. Bisedat shpirtërore që kryheshin çdo ditë në mbrëmje, u përqendruan në tema me karakter social, moral. Në to u diskutua për dukuri jo të krishtera, si: lakmia, droga, tatuazhi, imoraliteti, filozofi okulte dhe janë një tundim i përditshëm për t’u përballuar nga të rinjtë e krishterë. Mësimet shoqëroheshin edhe me filma dokumentarë, të bërë nga Zyra e Katekizmit. Temat priteshin me interes dhe shumë pyetje merrnin përgjigje sipas mësimit të kishës, shenjtorëve dhe eksperiencave personale. Kjo krijonte një klimë vëllazërore larg bisedave skematike, akademike e të lodhshme.
Çdo mëngjes, pas një shërbese të shkurtër, lexohej Ungjilli dhe komentohej së bashku me kampistët, ku secili mund të shprehte lirshëm mendimin e tij se si ai e përjetonte Fjalën e Zotit drejtuar atij në atë ditë. Gjithashtu, në kamp u krye Misteri i Rrëfim-Pendimit nga Episkop Asti dhe shërbesat e Mëngjesores dhe Mbrëmësores, Ajazma e Vogël dhe Liturgjitë Hyjnore nga arkimandrit Kozma Prifti.
Stafi i kampit i kampit, sipas detyrave, u kujdes që kampistëve studentë, t’u krijoheshin kushte sa më optimale, duke u interesuar për çdo aspekt të jetës në kamp si në ushqim, argëtim e çlodhje.
Numri i studentëve nga të gjitha mitropolitë dhe dioqezat ishte rreth 40, por kapacitetet janë që vitet e ardhshme ky numër të jetë më i madh. Atyre u shtoheshin stafi prej 13 vetash, klerikë, teologë, katekistë e vullnetarë.
Miron Çako