Viti 1992 kishte dy data historike për Kishën tonë të ringjallur nga hiri i komunizmit: 24 qershorin 1992, zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 2 gushtin – Fronëzimin e Tij.

Me rastin e 2 gushtit, 26-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u bë Liturgjia Hyjnore panegjirike. Ajo u krye nga Kryepiskopi bashkë me anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe klerikë nga Kryepiskopata e Mitropolitë.

Në fund, Kryepiskopi Anastas kujtoi rëndësinë e kësaj dite për Kishën tonë, që shënoi ringritjen e saj të plotë kanonike pas natës së gjatë ateiste. Fortlumturia e Tij theksoi, se këto ditë nuk janë thjesht përkujtim i një ngjarjeje, por rast dhe stacion për të parë dhe ecur përpara. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë janë projektet dhe arritjet e reja. Kryepiskopi përmendi për këtë hapjen e Fakultetit të Shkencave Humane në Kolegjin Universitar “Logos”, brenda të cilit do të jetë edhe dega e Teologjisë; përpjekjet e reja për të zgjeruar mundësitë për sigurimin e të ardhurave, që do të garantojnë autoqefalinë ekonomike të Kishës sonë; hapjen e Shtëpisë së Dashurisë “Hyjlindësja Mari”, që kujdesjet për gratë e moshuara dhe përpjekjet që po bëhen për ngritjen e Muzeut të Kishës, në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

Në emër të Sinodit dhe të besimtarëve orthodhoksë, Kryepiskopin e uroi Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati. Urime e tufa me lule Fortlumturia e Tij mori edhe nga të rinjtë e kampeve verore, nga besimtarë etj.

Pas Liturgjisë Hyjnore, në sallën e Qendrës Kulturore, u zhvillua një Konferencë me të gjithë klerikët dhe katekistët e Kryepiskopatës dhe Mitropolive, ku pati referime e diskutime për tema shpirtërore dhe probleme konkrete. Folën nga dy përfaqësues nga çdo dioqezë dhe një i ri nga Shkolla e Muzikës Bizantine. Konferenca u hap dhe u mbyll nga Kryepiskopi Anastas, ndërsa moderator i veprimtarisë ishte Mitropoloti i Korçës Joani.

 

U kremtua 26-vjetori i Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas