“Zëri i Zotit është mbi ujëra, … Zoti mbi ujëra të shumta … Zoti do ta bekojë në paqe popullin e tij” (Ps. 28:3-11)

Në skajin perëndimor të ujërave të kaltra të Detit të Kretës, nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e Zonjës së Engjëjve, nderimi i së cilës është i pandërprerë në këtë vend të largët të Kretës që ka lindur shenjtorë dhe burra trima, u mbajt Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mediave Digjitale dhe e Pimantikës Orthodhokse.

Nën përkujdesjen e lartë të Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeu, me mbështetjen plot dashuri të bariut lokal, Hirësisë së Tij, Amfilokut, dhe me uratën atërore e përkujdesjen e Tërëoshënarisë së Tij të ditur, igumenit të Manastirit të Hirshëm të Vatopedhit, jerond Efremit, në ambientet e Akademisë së Kretës u zhvilluan punimet e kësaj Konference me 103 folës nga 17 vende të ndryshme, klerikë dhe laikë nga të gjitha sferat e jetës kishtare dhe akademike, që lidhet me funksionimin dhe përhapjen e mediave digjitale në shoqërinë e sotme dhe në jetën kishtare.

Për katër ditë rresht, nga data 18 deri më 21 qershor, u mbajtën 25 seanca në mbledhjen e plotë, si dhe paralelisht në grupe. U bë një punë e madhe, ku mundi i organizatorëve, dëshira e mirë dhe vetëdisiplina e pjesëmarrësve e mbi të gjitha Hiri Hyjnor, bashkëpunuan që këto çështje të diskutoheshin në mënyrën e duhur dhe të frytshme, brenda kornizës së caktuar kohore, duke shtjelluar më tej pozicionin dhe qëndrimin e Kishës në epokën digjitale.

Konferenca e Parë, në maj të vitit 2015, në Athinë, ishte fillimi i punës në këtë fushë dhe u hodhën bazat për të përpunuar më tej qëndrimet dhe tezat. Qëllimi i kësaj Konference të dytë në Kolimbari ishte nisja e ndërtimit të strukturës së kësaj përpjekjeje, duke iu përqasur në mënyrë produktive çështjeve, që të hulumtohen dhe të gjenden zgjidhjet për problemet dhe t’u jepet përgjigja e duhur pyetjeve të ndryshme.

Për zgjidhjen pimantike të sfidave të ekosistemit digjital, folësit kryesorë u bazuan në antropologjinë e Kishës Orthodhokse.

Në seancat dhe në tryezat e rrumbullakëta u analizuan rreziqet e përdorimit të mediave digjitale, kësaj radhe në një formë më të përpunuar. Shumë herë vëmendja u përqendrua në veçantinë e moshave të reja, për shkak të mospasjes së përvojës dhe brishtësisë së tyre ndaj varësisë, si dhe reagimit ndaj nxitjeve të jashtme. Linja kryesore e propozimeve ishte se, duhet të krijohet një strukturë edukimi që do të ndihmojë në rritjen e sensit kritik, së bashku me zhvillimin e personalitetit dhe jo ndalimi pa vend i përdorimit të mediave digjitale. Në këtë fushë u gjykua me vlerë bashkëpunimi i familjes me atin shpirtëror dhe përpjekja katekizuese e Kishës. U hodhën sugjerime interesante në lidhje me përdorimin e teknologjisë digjitale me qëllim krijimin e kushteve të favorshme psiko-edukative, për të ndihmuar të rinjtë që të kuptojnë dhe të pranojnë konceptet kryesore të jetës në Krishtin. Gjithashtu u bënë edhe sugjerime në lidhje me përdorimin e reklamës nga Kisha.

Një numër i madh folësish dhe pjesëmarrësish propozuan si mënyrë zgjidhjeje praktikën e kreshmës, si mjet vetëzotërimi i njeriut mbi pasionet dhe varësitë dhe si rruga e çlirimit dhe e zgjerimit të shqisave shpirtërore, që njeriu i sotëm të përballet në mënyrë asketike me përdorimin e mediave digjitale. Virtytet e qortimit të vetes dhe të vetëshqyrtimit, të përftuara nga thesari i traditës asketike orthodhokse, u nxorën në pah si baza të formimit të brendshëm të përdoruesit të mediave digjitale, për t’u përballur me tundimet e çdo lloj natyre.

Çështjet e bërjes së lajmit dhe të gazetarisë kishtare, rreziqet që mbartin, mënyra me të cilën duhet të bëhen, si edhe çështje të ndryshme të deontologjisë dhe etikës u analizuan gjerësisht nga specialistët. Komente të rëndësishme u bënë në lidhje me marrëdhënien e Kishës zyrtare dhe nismave personale-autonome teologjike e pimantike në mediat digjitale. Në lëmin e hierapostullimit u nxorën në pah të dhënat e reja që krijojnë mundësitë e mediave digjitale, të cilat sjellin ndryshime kozmogonike në praktikat e zbatuara deri më sot. Nga ana tjetër, u theksuan rreziqet nga grupime që veprojnë me maskë fetare ose kishtare për interesa vetjake dhe u propozuan nisma të reja të Kishës edhe në çështje të tjera të rëndësishme, si ato të Bioetikës, nëpërmjet organizimit të komisioneve të veçanta, konferencave ose programeve.

Në lidhje me paraqitjen e aktiviteteve adhuruese në mediat digjitale u tha se në disa raste të caktuara krijohen probleme kishtare dhe pimantike. Pra, u propozua të rishqyrtohet çështja në frymën e dallueshmërisë sa i takon kësaj fushe, për të ruajtur shenjtërinë e mistereve dhe për të mbrojtur përdoruesin e mediave digjitale nga tundimi i një konsumizmi të dëmshëm shpirtëror.

Emëruesi i përbashkët për themelimin e një morali autentik të gazetarisë kishtare, të përdorimit hierapostolik të mediave digjitale, por edhe të paraqitjes prej tyre të jetës adhuruese është kërkimi i së vërtetës, respekti ndaj jetës së mistereve, duke i kombinuar gjithmonë këto me mbrojtjen e vlerës së personit dhe të lirisë së tij.

Në këtë frymë u konstatua nevoja e krijimit të një agjencie kishtare të lajmeve, që do të mbulojë boshllëkun ekzistues në ambientin orthodhoks. U bë i ditur lajmi se në vjeshtën e ardhshme do të lindë një organizëm i ri ndërkombëtar për informimin kishtar, me emrin “Orthodhoksia”.

Në mënyrë të veçantë mjaft të dobishme ishin referatet në lidhje me praninë deri më tani në internet të Kishës zyrtare nëpërmjet faqeve të ndryshme zyrtare të Kishave lokale. U konstatua se me gjithë përpjekjen e mirë, mbetet ende shumë punë për të bërë që ato t’u përgjigjen kërkesave siç duhet, si nivelit pimantik, ashtu edhe atij teologjik. Vërejtjet në lidhje me mungesat apo me paraqitjen e saktë të burimeve biblike dhe të etërve të Kishës në formë digjitale për publikun kishtar dhe më në veçanti për atë teologjik, ishin mjaft me vend. Propozimet që u parashtruan u shquan për vlerën e tyre praktike.

Dinamika e jashtëzakonshme, zhvillimi shumë i shpejtë dhe depërtimi i gjerë i rrjeteve sociale në të gjithë spektrin, jo vetëm në ekosistemin digjital, por edhe në jetën personale, sociale, ekonomike e politike, ishte tema e diskutimit të tryezës së veçantë të rrumbullakët. Sfida për Kishën Orthodhokse në këtë nivel është e dyfishtë. Së pari, ka të bëjë me praninë dhe pjesëmarrjen e vetë Kishës në rrjetet sociale, që nuk mund të jetë e patakt dhe e pakushtëzuar. Sfida e dytë dhe më e madhe ndoshta se e para, ka të bëjë me sjelljen e personit njerëzor brenda tyre, kultivimin shpirtëror dhe jetën e krishterë, të shprehura me të njëjtin intensitet dhe korrektesë si edhe kur ndodhet jashtë ambientit elektronik. Në këtë mënyrë, me përdorimin e këtyre mediave pasuria dhe bukuria e traditës orthodhokse mund të përhapet në skajet e botës.

Në lidhje me artin psaltik u tha se historikisht është përqafuar dhe përdorur çdo zhvillim teknologjik, nga shkrimi e tipografia dhe deri te radioja e televizioni. Mediat digjitale moderne ofrojnë shumë mënyra të reja komunikimi dhe mjete të reja. Përgjigjja pimantike ndaj rreziqeve të mbartura prej tyre, e cila përftohet nga pasuria e moralit orthodhoks, na ruan nga teprimet e mundshme, duke ruajtur ekuilibrin e kërkuar, që të shfrytëzohen me të vërtetë të gjitha mundësitë e tyre të mëdha.

Një rëndësi e madhe në këtë konferencë iu dha çështjes të vetë personit njerëzor brenda ekosistemit digjital, nga ana psikologjike, por kryesisht nga ana teologjike e pimantike. Shumë diskutime dhe biseda, por edhe tryeza të rrumbullakëta u morën me çështjen e personit. U nënvizua se virtualizimi ekstrem mund të tjetërsojë jo vetëm natyrën e gjërave dhe të shqisave, por edhe vetë njeriun. Mund të ndikojë mbi ontologjinë orthodhokse të personit dhe të sjellë ndryshime të dhimbshme në identitetin e tij. Në realitetin e sotëm teprimi me virtualizimin mbart rrezikun e çuarjes drejt një çhumanizimi (transhumanism) dhe më pas në postnjerëzim (posthumanism). Që Kisha të shfrytëzojë siç duhet mundësitë e mëdha të mediave digjitale për veprën e saj pimantike, duhet të gjejë mbështetje te valvola e sigurisë të “minimizimit të balancuar”, sa i takon përdorimit dhe përhapjes së imazhit virtual.

Sa i takon çështjes së ndjeshme të inteligjencës artificiale, kjo temë u shtjellua në lidhje me kërkimin e sotëm të një inteligjence formaliste dhe deterministike, e cila duke fuqizuar aftësitë njohëse të trurit njerëzor do të mundet të zgjidhë problemet në jetën e përditshme. Njëkohësisht u shtruan probleme për vetë natyrën e kësaj sipërmarrjeje, si dhe për dimensionin e saj moral e shpirtëror. Në veçanti u theksua nga specialistët, se mundësitë e jashtëzakonshme të përpunimit të të dhënave mund të prodhojnë fuqi, por kur lihen të vetme, pa njeriun, nuk mund të japin kuptim. Barra për trajtimin e kësaj çështjeje bie përsëri mbi vetë njeriun. Në këtë nivel personi njerëzor është i pazëvendësueshëm dhe mbart plotësisht përgjegjësinë për t’i dhënë kuptim përdorimit si të inteligjencës artificiale, ashtu edhe të çdo arritjeje të lartë të teknologjisë digjitale.

Kuptimi teologjik, pimantik dhe shpirtëror i temave të lartpërmendura u bë nën prizmin e marrëdhënieve të Perëndisë dhe njeriut. Njeriu duhet të gjejë mënyrat e duhura të përdorimit të ekosistemit digjital, sipas masës që kjo marrëdhënie ndikon, frymëzon dhe udhëheq personin njerëzor, duke iu përshtatur krijimit të tij sipas ikonës së Perëndisë dhe thirrjes për t’i ngjasuar Perëndisë. Plotësia në jetën misteriale, lutëse dhe dashuruese u nënvizua shumë herë gjatë punimeve të Konferencës si elementi kryesor i shëndetshëm dhe i vërtetë i përdorimit produktiv të mediave digjitale. Gjithashtu u theksua edhe nevoja për njohjen e specializuar dhe informimin e vazhdueshëm të grigjës së besimtarëve nga individë të përgjegjshëm dhe me formim në këtë fushë. Misteri i rrëfimit u propozua si kriter i përdorimit të mediave digjitale për çdo të krishterë, klerik ose laik. Hapja e zemrës brenda misterit të atësisë shpirtërore e ruan përdoruesin e mediave digjitale nga promovimi egoist i vetes, kultivimi i fantazive të sëmura dhe nga shkatërrimi i marrëdhënieve njerëzore. Për këto arsye u formulua teza e përbashkët, se mediat digjitale mund të ofrojnë shërbime shumë të vyera për udhëheqjen shpirtërore, por ato në asnjë rast nuk mund të zëvendësojnë misterin e rrëfimit.

Kontakti ynë dhe diskutimet tona nuk mbarojnë këtu, thanë shumë të pranishëm, por mbetet të diskutojmë edhe shumë gjëra të tjera në të ardhmen. Do ta vazhdojmë më tej këtë punë nën siglën e Bashkimit Ndërkombëtar të Mediave Digjitale për Pimantikën Orthodhokse, të cilën e shpalli në referatin e tij drejtori i Pemptusias, Nikolaos Guraros.

Gjatë këtij takimi përjetuam faktin se bota digjitale është një oqean me ujëra të shumta. Nëse mbartësi i fjalës në këtë botë të mrekullueshme, njeriu, realizon qëllimin e tij, shërimin dhe bashkimin e Hipostazës së tij në Krishtin, atëherë Zoti do të bekojë ekosistemin digjital, duke e transformuar në një hapësirë dhe vend paqeje, që ka si synim Mbretërinë e ardhshme.

Ky kuptim u përforcua edhe nga Misteri i Eukaristisë Hyjnore në Manastirin e Shenjtë të Gonias, në shtëpinë e Zonjës sonë të Engjëjve, që u celebrua nga jerond Efremi, igumeni fort i nderuar i Manastirit të shenjtë dhe të madh të Vatopedhit.

 

 

Konkluzionet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Mediave Digjitale dhe të Pimantikës Orthodhokse