Si çdo vit, kampet orthodhokse për djem e vajza do të fillojnë rregullisht aktivitetin e tyre. Gjithashtu, kampingje të tjera ditore ose me kohë të caktuar zhvillohen pranë çdo dioqeze etj.

Gjithmonë falënderojmë me mirënjohjeje dhe gëzim kur kujtojmë që Kisha jonë, me kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas, që në hapat e parë të ringritjes së saj nga gërmadhat, kishte ndër përparësitë kryesore edukimin e brezit të ri. Pjesë e këtij kujdesi atëror ishte edhe organizimi i kampeve verore për fëmijët dhe të rinjtë.

Sivjet bëhen 22 vjet nga hapja e tyre (nga viti 1996), gjithmonë me përkushtim dhe përkujdesje në edukimin shpirtëror të brezit të ri, i cili ishte i privuar për dekada me radhë. Ato zhvillohen me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi.

Si çdo vit, të tre kampet për vajzat do te zhvillohen në mjediset e Manastirit të Shën Joan Vladimir, pranë Elbasanit. Dy kampet e para për djem, do të zhvillohen në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike, pranë Durrësit. Kampi i tretë për djem, ai me studentët, do të zhvillohet në Manastirin e Shën Theodhorëve, pranë Vunoit, Himarë.

Tema e kampeve verore sivjet do te jete: “Çdo gjë që të bëni, bëjeni si për Zotin!”. Kampet e para, me fëmijët e moshave 10-13 vjeç, do të fillojnë më 30 qershor dhe do të mbarojnë më 9 korrik. Kampet e dyta, për moshën 14-17 vjeç, do të zhvillohen në datat 12-21 korrik. Kampi i tretë i djemve do të zhvillohet në datat 20-31 korrik. Kampi i tretë i vajzave do të zhvillohet në datat 23 korrik-1 gusht.

 

Fillojnë kampet e kishës