Dje, e diel 24 qershor, 26-vjetori i zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës sonë, u bë ajazmoja (Bekimi i ujit), e qendrës për të moshuarat: Familja e dashurisë “Hyjlindësja Mari”. Qëllimi i saj është krijimi i mundësive reale për të moshuarat, që u përkasin shtresave në nevojë, të cilave do t’u ofrohen shërbime të specializuara falas ose me çmime të reduktuara.
Shërbesa e bekimit u krye nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili në prani të Kryepiskopit Anastas dhe të anëtarëve të Sinodit të Shenjtë që morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe familjarë te rezidenteve, donatorë etj. Dy nga zonjat që janë strehuar aty falënderuan për hapjen e saj dhe për kushtet që ofron.
Qendra Familja e dashurisë “Hyjlindësja Mari” i ka hapur dyert që nga data 19 mars dhe aktualisht ka strehuar 6 zonja, ndërsa kapaciteti është për 18 vetë.
Hapja e qendrave për të moshuar është një dëshirë dhe synim i hershëm i Kryepsikopit Anastas. Me këmbënguljen dhe mundësitë e krijuara nga ai kjo u bë realitet dhe mori bekimin në ditën simbolike të ringritjes kanonike nga gërmadhat të Kishës sonë.
Kristina Tola