Sot, 17 qershor 2018, e Diela e 3-të e Mattheut (Drita e trupit) u krye Liturgjia Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, së bashku me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, Episkopin e Bylisit, Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës.

Në fund, Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Përshpirtjes me rastin e 60-vjetorit të fjetjes të Fortlumturisë së Tij Kristofor Kisit, Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij Anastasi foli për figurën dhe veprën e këtij personalititi të shquar të Orthodhoksisë në Shqipëri. 

 

* * * *

Biografi e Shkurtër e Fortlumturisë së Tij, Kristofor Kisit:

 

 

Kryepiskop Kristofori lindi në lagjen Kala të Beratit, në vitin 1890. I prirë për jetën shpirtërore, iu kushtua studimeve fetare. Ato i kurorëzoi me mbarimin e shkollës së lartë Theologjike të Halkit të Konstandinopojës, më 1908. Më pas u kthye në Kostandinopojë dhe në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore. Më vonë u hirotonis episkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923, kur u kthye në Shqipëri. Në fillim u vu në krye të Episkopatës së Beratit.

Në vitin 1929 u tërhoq në manastir, për të mos marrë pjesë në veprimet antikanonike që po kryheshin. Më 12 prill 1937, Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike të Konstandinopojës, dekretonte njohjen e Autoqefalisë dhe po atë ditë, Tomosi Patriarkal i dorëzohej Imzot Kristofor Kisit, si Kryepiskopit të parë kanonik të Kishës sonë.

Fortlumturia e Tij Kristofori dha një kontribut tepër të madh për ruajtjen dhe zhvillimin e Orthodhoksisë në vendin tonë. Menjëherë pas çlirimit, regjimi komunist e mënjanoi atë në mënyrë të paligjshme nga drejtimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse nuk mund ta toleronte autoritetin që kishte në Komunitetin Orthodhoks dhe e izoloi në kishën e Shën Prokopit. Aty qëndroi deri sa ndërroi jetë, më 17 qershor 1958, në rrethana të dyshimta.

 

Shërbesë përshpirtjeje