FILLIMI I NJË FAMILJEJE TË KRISHTERË
Motra Magdalen
Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot
Në botën tonë njerëzit flasin gjithnjë e më e rrallë për martesën edhe shpesh flasin vetëm për dashurinë midis burrit dhe gruas. Kjo dashuri vërtet mund të jetë bekim dhe dhuratë nga Perëndia, por qëllimi kryesor i jetës martesore është rritja e fëmijëve të Krishterë, bij dhe bija të rinj të Zotit. Kjo detyrë e shenjtë duhet të merret me seriozitetin më të madh që në fillim të martesës. Çifti duhet të jetojë i ndërgjegjësuar se ata janë të bekuar të bëhen jo më pak se bashkëpunëtorë të Perëndisë në krijimin e një njeriu të ri. Çiftet e martuara të Krishtera duhet të mendojnë për marrëdhëniet seksuale jo vetëm në planin personal, por si pjesë e tyre (madje potencialisht), për të sjellë në ekzistencë një qenie të re, një person të ri. Ata duhet të vijnë së bashku me frikë Perëndie, duke iu lutur Perëndisë që t’i bekojë, kështu që fëmija do të ngjizet jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Në ditët e sotme dëgjojmë shumë gjëra të rëndomta, të ashpra dhe blasfemi rreth marrëdhënies bashkëshortore. Të Krishterët e martuar duhet të kujtojnë se ata bëjnë punën e Perëndisë në krijim.
Në librin e Tobit (Tob. 8:4-8), ne lexojmë këto fjalë për Tobin dhe nusen e tij:
“Kur dera u mbyll dhe ata të dy ishin vetëm, Tobi u ngrit nga shtrati dhe tha:
– Motër, ngrihu të lutemi, që Zoti të ketë mëshirë për ne.
Dhe Tobi filloi të lutet me këto fjalë:
– I bekuar je, o Zot, Perëndi i Etërve tanë dhe i bekuar qoftë emri Yt i shenjtë dhe i lavdishëm përjetë. Le të të bekojnë Ty gjithë qiejt dhe gjithë krijesa.
Se Ti krijove Adamin dhe i dhe atij Evën si ndihmëse dhe mbështetëse.
Nga ata raca njerëzore u shumua. Dhe Ti, o Perëndi, the: “Nuk është mirë për burrin të jetë i vetëm; le të bëjmë një ndihmëse që t’i ngjajë atij”.
Dhe tani, o Zot, unë nuk po e marr këtë motrën time për arsye epshi, por nga dashuria e pastër dhe të lutem: Bëj, o Zot, që të gjej mëshirë dhe të shkoj bashkë me atë në pleqëri.
Dhe ajo bashkë me Tobin tha:
– Amin! – Dhe ata fjetën pë gjithë natën.”
Çfarë bekimi për një fëmijë të ngjizet pas kësaj lutjeje, të fillojë jetë në një atmosferë me frikë Perëndie dhe me dashuri të respektueshme.
Kur ne transmetojmë jetë tek një brez tjetër, detyra jonë është të transmetojmë jo vetëm jetën e trupit, por edhe jetën shpirtërore. Është e rëndësishme të punojmë shumë që të ushqejmë dhe të veshim fëmijën, është më e rëndësishme të sigurojmë një zhvillim të shëndetshëm mendor dhe emocional; dhe akoma më e rëndësishme është të rrisim anën shpirtërore të fëmijës. Jeta shpirtërore është gjëja më e rëndësishme që një fëmijë duhet të trashëgojë.
Jeta e askujt nuk është e paracaktuar, nëse njeriu e fillon jetën afër Perëndisë apo jo. Në çdo moment Perëndia mund të na thërrasë dhe të na transformojë nga hiri i Tij dhe nga pendesa jonë. Megjithatë, prindërit e Krishterë mund të kontribuojnë direkt në mbarëvajtjen shpirtërore të fëmijëve, duke i rrethuar ata me dashuri dhe lutje që nga ngjizja e tyre.
Jeta e hershme e fëmijës
Në ditët e sotme shumë fëmijë vijnë të padëshiruar në botë, madje disa nga ata nuk lejohen të vijnë në këtë botë. Çdo fëmijë duhet të mirëpritet me dashuri në familje. Dashuria që fëmija merr nga prindërit e tij në fillim të jetës është e pazëvendësueshme, është një themel i sigurt mbi të cilin ai mund të ndërtojë jetën e tij. Mungesa e kësaj dashurie lë plagë të pakurueshme, përveçse kur fëmija merr një hir të veçantë dashurie për Perëndinë, sepse dikujt që i mungon dashuria prindërore në vitet e hershme të jetës, do të jetë shumë i dobët të përballojë vuajtje psikologjike, madje edhe goditjet më të vogla që mund të hasim në jetë.
Nga jetët e shenjtorëve dhe nga Shkrimet e Shenjta, ne e dimë se që nga barku i nënës fëmijët mund të ndiejnë praninë e Perëndisë. Kujtoni Shën Joan Pagëzorin, që kërceu brenda barkut të nënës së tij kur njohu praninë e Zotit të mishëruar. Nga jeta e Shën Sergjit dimë, se kur ishte në barkun e nënës, ai bërtiti në momentet më të shenjta të Liturgjisë Hyjnore.
Ndjesia që merr një foshnjë gjatë shtatzënisë së nënës së tij përcakton në një shkallë të madhe stadin e tij psikologjik, emocional, madje edhe shpirtëror. Këshilla e mjekut për ushqim të shëndetshëm gjatë shtatzënisë duhet marrë seriozisht. Megjithatë kujdesi shëndetësor nuk është i mjaftueshëm. Nëse një qenie shpirtërore do të vijë në jetë, prindërit, veçanërisht nëna, duhet të luten vazhdimisht për fëmijën gjatë shtatzënisë, duke ditur se do jetë fëmijë i Perëndisë aq sa dhe i tyre. Nëna duhet të shkojë për rrëfim dhe të marrë kungimin shpesh. Një fëmijë në bark të nënës nuk duhet të jetë nën ndikimin e zhurmave apo atmosferave dhunuese, si ato të shkaktuara nga disa filma me dhunë apo nga grindjet. Mendimet dhe ndjenjat personale të nënës sigurojnë gjithashtu atmosferën në të cilën fëmija zhvillohet. Zhvillimi i fëmijës duhet të dominohet nga dashuria dhe mirëpritja e nënës për fëmijën e saj.
Një grua që pret një fëmijë duhet t’i lutet Nënës së Perëndisë që fryti i barkut të saj të jetë i bekuar. Nëna e Perëndisë është mbrojtësja dhe udhëheqësja e të gjithë mësuesve, për arsye të Fëmijës Hyjnor që ajo mbajti dhe e solli në këtë botë, mbi këtë tokë.
Infermieret thonë se një fëmijë i sapolindur e njeh zërin e babait të tij, sepse e ka dëgjuar atë zë pranë nënës së tij në kohën kur ishte në bark të saj. Qëndrimi i babait ndaj fëmijës, edhe para se fëmija të lindë, si dhe atmosfera që krijohet në shtëpi, janë shumë të rëndësishme për zhvillimi shpirtëror të fëmijës.
Lindja e fëmijës
Krishti tha, se kur lind një fëmijë, nëna harron dhimbjen e saj nga gëzimi se “lindi një njeri në botë” (Jn. 16:21). Këto fjalë tregojnë se për Perëndinë Vetë lindja e çdo fëmije është një ndodhi, çdo person në sytë e Perëndisë është i veçantë, është një “tjetër”.
Një starec këshilloi një nënë e cila pas pak kohe do të lindte, që të vendoste një vulë shpirtërore mbi fëmijën e saj duke thënë lutjen e Jisuit gjatë qëndrimit në spital, madje edhe gjatë lindjes së fëmijës.
Foshnja
Nëse lutemi dhe mësojmë pak nga pak si të jetojmë në frymën e lutjes, ne krijojmë një atmosferë ku fëmijët shijojnë lutjen dhe praninë e Perëndisë. Nëse jetojmë në këtë frymë, madje edhe para se fëmija të mund të flasë, ai do të ndiejë shijen natyrale të lutjes dhe dëshirën për të njohur Perëndinë.
Sapo foshnja lind, dashuria e prindërve për fëmijën shprehet në shumë mënyra, nga më të fuqishmet e të cilave është lutja. Prindërit mund të luten pranë fëmijës, të thonë lutjet e tyre personale pranë fëmijës apo shtratit të tij dhe ta rrethojnë atë me lutje. Prindërit mund të luten me veten e tyre kur përqafojnë fëmijën. Ata mund të bekojnë foshnjën me shenjën e kryqit dhe t’i kërkojnë Perëndisë, Nënës së Perëndisë dhe shenjtorëve të bekojnë e të mbrojnë fëmijën e tyre. Kur prindërit vështrojnë mbi fëmijët e tyre ndërsa ata flenë, mund të luten për ta dhe të bëjnë shenjën e kryqit mbi shtratin e fëmijëve nga koka te këmbët dhe nga ana e majtë në të djathtë. Unë njoh një baba që lutej çdo mbrëmje për djalin e tij, ulur në gjunjë anash shtratit të fëmijës ndërsa ai flinte, duke i kërkuar me shumë ngulm Perëndisë që të mbushte me hirin e Tij jetën e fëmijës.
Shën Joan Gojarti, në punën e tij “Mbi Edukimin e Fëmijës”, flet rreth emrit të fëmijës. (Kur ai shkruan për këtë, ashtu si për shumë probleme të tjera, dikush mund të mendojë se ky shkrim mund të jetë shkruar dje, kaq shumë lidhje ka me problemet bashkëkohore të prindërve). Ai e di zakonin që fëmijës i vënë emrin e një kushëriri apo të ndonjë heroi letërsie, por sugjeron se fëmijët duhet të marrin emrat e personave të shenjtë, kështu që do të kenë si shembull një shenjtor. Edhe nëse u vëmë fëmijëve emrin e një kushëriri, së pari duhet të ndërgjegjësojmë secilin nga ata, mbi shenjtorin emrin e të cilit mban. Ne mund t’i lutemi atij shenjtori të bekojë fëmijën dhe të vendosim një ikonë të tij afër fëmijës, dhe më vonë, ta mësojmë fëmijën mbi jetën e shenjtorit mbrojtës të tij.
Në Kishën tonë ka shërbesa të veçanta për fëmijën kur i vihet emri pas tetë ditësh, kur fëmija mbush 40 ditë pas lindjes dhe paraqitet në kishë, kur fëmija fillon shkollën e kështu me radhë. Nuk duhet t’i lëmë pas dore këto thesare.
Mbi pagëzimin
Marrëdhënia jonë me Perëndinë nuk është diçka thjesht intelektuale. Mund ta njohim Perëndinë në mënyrë të ndërgjegjshme, madje edhe para se të mësojmë të flasim. Për këtë arsye, Kisha jonë i pret fëmijët për pagëzim dhe kungimin e shenjtë. Ka raste që njerëzit ndikohen nga ideja se fëmijët nuk duhet të pagëzohen, kur të rriten ta zgjedhin vetë rrugën e tyre. Dikush mund edhe të sugjerojë se nuk duhet ta ushqejmë fëmijën, por të presim derisa ai të rritet për të vendosur vetë menynë e tij. Dikush tjetër mund të thotë se është më mirë të mos i flasim fare fëmijës kështu që ai mund ta zgjedhë vetë gjuhën që dëshiron të flasë kur të rritet. Duhet të kuptojmë se Pagëzimi na jep liri shpirtërore, ai nuk e largon lirinë personale.
Prindërit duhet të zgjedhin për fëmijët e tyre personat që do t’i pagëzojnë, të cilët të jenë të ndërgjegjshëm se përgjegjësia e tyre është të kujdesen për rritjen shpirtërore të fëmijës.
Hiri i pagëzimit nuk largohet kurrë. Ai mund të mbulohet nga mëkati, mund të mbetet i pakultivuar, por është i patjetërsueshëm. Fëmijët që kanë hirin e pagëzimit ka më shumë të ngjarë që të kthehen te Perëndia kur të jenë të rritur, edhe nëse ata nuk janë edukuar si të Krishterë.
Ndërsa sheh fëmijën të rritet
Nëse nuk ka pengesë fizike nga nëna, është më mirë për një foshnjë të ushqehet në mënyrë natyrale me qumështin e saj. Nga ana mjekësore ky mendim është sot më aktual, por unë po flas gjithashtu për aspektin shpirtëror të të ushqyerit. Është më mirë për një fëmijë nëse ajo çfarë e ushqen atë, ajo çfarë do të ndërtojë trupin e tij, është energjia e një personi human, të dashur dhe të devotshëm ndaj lutjes.
Kur ushqen fëmijën e saj, nëna duhet të përpiqet të jetë në paqe dhe të lutet, kështu fëmija merr njëkohësisht ushqim fizik dhe shpirtëror.
Roli i nënës denigrohet shumë shpesh në ditët tona. Ky denigrim është rezultat i një injorance të thellë shpirtërore. Si të Krishterë, duhet të synojmë vetëm rolin e Nënës së Perëndisë dhe të nënave të shenjtorëve, emrat e të cilave gjenden në kalendarin kishtar, në mënyrë që të jemi të lirë nga dyshimet për shenjtërimin e kësaj detyre.
Të qenurit nënë është një shembull i dashurisë vetësakrifikuese. Dita e nënës është e mbushur me shërbimet e saj ndaj fëmijëve, veçanërisht kur ata janë të vegjël, dhe në një kuptim kjo do të thotë se ajo heq dorë nga jeta e saj për familjen dhe sërish kjo dashuri është ajo që e përmbush atë si një person në imazhin e Krishtit.
Në muajt e parë të jetës, fëmija është pothuajse plotësisht i varur nga nëna, por është gjithashtu shumë e rëndësishme që fëmija të njohë dashurinë e babait dhe afrimitetin e tij që në ditët e para të jetës. Kjo gjë është shumë e jetësore si për anën psikologjike, ashtu dhe për atë shpirtërore. Një nga tragjeditë e kohëve tona është se shumë fëmijë rriten në mungesë të imazhit të babait ose në një imazh negativ të tij, gjë që është një kërcënim për lidhjen e tyre me Perëndinë, Atin Qiellor. Baballarët duhet të bëjnë përpjekje për të kaluar kohë me fëmijët e tyre.
Kur një foshnjë qan shumë, i mban prindërit zgjuar, apo i ndalon ata të ndjekin të gjithë Liturgjinë Hyjnore, prindërit nuk duhet të harrojnë asnjëherë se ky fëmijë është krijesë e Perëndisë, fëmijë i Perëndisë, dhuratë e Perëndisë, dhe me këto mendime do të kapërcehet acarimi ndaj fëmijës.
Tre vitet e para të jetës së fëmijës janë thelbësore për rritjen e tij fizike, mendore e shpirtërore. Pikërisht gjatë këtyre viteve modelohet karakteri dhe përpjekja e prindërve mund të jetë shumë e lodhshme, por çdo përpjekje është me shumë vlerë. Shën Joan Gojarti thotë: “Puno shumë, sepse po punon për veten tënde; sepse jeta jote do të jetë më e lehtë nëse fëmijët e tu do të jenë të virtytshëm”.
Atë Joani i Kronshtadit shkruan: “Mos neglizhoni të çrrënjosni nga zemra e fëmijëve egjrën e mëkatit, mendimet e papastra, të liga dhe blasfemuese, zakonet, pasionet dhe prirjet mëkatare. Armiku dhe mishi mëkatar nuk kursejnë as fëmijët. Farat e gjithë mëkateve gjenden edhe te fëmijët. Tregojuni atyre gjithë rreziqet e mëkateve gjatë rrugës së jetës. Mos i fshihni nga ata mëkatet, që ata nëpërmjet injorancës dhe dëshirës për të kuptuar të mos shkojnë në zakone mëkatare, të cilat do të rriten fort e më fort dhe do të sjellin frutat e tyre kur fëmijët të rriten.”