DEKLARATË E KOMUNITETEVE FETARE NË SHQIPËRI
ANGAZHIMI I PËRBASHKËT PËR DIALOGUN NDËRFETAR
3 maj 2018
Ne, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë falënderojmë Zotin për historinë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri ndër shekuj.
Mirëkuptimi dhe bashkëjetesa fetare brenda vendit tonë ka krijuar ndër vite një mozaik të bukur të diversitetit. Ne jemi të bindur se ky mozaik nuk duhet konsideruar i mirëqenë dhe angazhohemi të kujdesemi për të, duke mbajtur të bashkuar pjesët e tij, me qëllim që të ruajmë dhe të prezantojmë me dinjitet këtë pasuri brenda dhe jashtë vendit.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe pranojmë se komunitetet tona fetare, kanë identitetin e tyre dhe se secili mbetet besnik ndaj parimeve të besimit të tij. Por megjithatë dallimet tona fetare nuk na pengojnë për t’u angazhuar në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin në fushat sociale dhe në dialogun aktiv midis komuniteteve tona dhe mbarë shoqërisë, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave morale, etike dhe kulturore.
Ne vlerësojmë komunikimin, si mjet për t’u njohur më nga afër me njëri-tjetrin, për ndërtimin e respektit të ndërsjelltë, si dhe për shmangien e paragjykimeve. Për këtë arsye ne angazhohemi për sa më poshtë:
- Të zhvillojmë dialogun e jetës, duke inkurajuar anëtarët e komuniteteve tona, por edhe shoqërinë në përgjithësi të jetojnë në paqe dhe në fqinjësi të mirë, duke ndarë gëzimin dhe trishtimin, sfidat dhe shpresat me njëri-tjetrin.
- Të zhvillojmë veprimtari të përbashkëta për të mirën e shoqërisë, duke u angazhuar në iniciativa, sipërmarrje dhe projekte për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe nëpërmjet këtyre angazhimeve në të njëjtën kohë të ushqejmë harmoninë, tolerancën, bashkëjetesën, drejtësinë dhe paqen në komunitetet tona.
- Të ndërtojmë platformën e dialogut në nivel akademik, duke u njohur me vlerat shpirtërore të njëri-tjetrit, historinë e ndërsjellë dhe pikat e përbashkëta, me qëllim promovimin e frymës së dialogut dhe asaj vëllazërore brenda komuniteteve tona, duke shmangur çdo gjë, që mund të nxisë urrejtje dhe keqkuptime ndërfetare.
- Të zhvillojmë strategji të përbashkëta arsimore dhe edukative për të promovuar dhe ushqyer brezin e ri me vlerat e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, për të parandaluar çdo forme manipulimi dhe instrumentalizimi të fesë në shërbim të interesave jofetare.
- Të promovojmë në arenën ndërkombëtare, me të gjitha mënyrat, vlerën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një shembull i dobishëm për mbarë shoqërinë botërore, e cila në mënyrë të vazhdueshme përballet me sfidat e intolerancës dhe formave të ndryshme të konflikteve.
Me dëshirën tonë të mirë dhe shpresën, që Zoti do të na japë energjinë dhe qëndrueshmërinë për të vazhduar në rrugën tonë të bashkëjetesës, harmonisë, tolerancës dhe dialogut, ne përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare nënshkruajmë sot (03.05.2018) deklaratën e mësipërme.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
H. Skender Brucaj
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas Janullatos
Kisha Katolike
Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë
Mons. George Frendo
Kryegjyshata Botërore Bektashiane
H.Dede Edmond Brahimaj
Vllazëria Ungjillore e Shqipërisë
Pastor Ylli Doçi