KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

VIZITA ZYRTARE E SHENJTËRISË SË TIJ,
PATRIARKUT TË MOSKËS DHE TË GJITHË RUSIVE, KIRILLIT,
NË KISHËN ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

 

Meshë e përbashkët
në Kishën e Hirshme Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë

 

E Diel, 29 prill 2018

 

Fjala e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit
dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit

 

    Krishti u Ngjall! Χριστός Ανέστη! Христос Воскресе!

 

“Beko Zotin, o shpirti im,
dhe gjithçka brenda meje, emrin e tij të shenjtë”
(Ps. 102:1)

 

    Ngazëllimi paskal dhe falënderimi kanë mbushur zemrat e ne të gjithëve, gjatë vizitës Suaj të parë zyrtare në Shqipëri, Fortlumturi, Vëlla i Shenjtë në Krishtin, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill. Ky gëzim i sinqertë kulmoi me bashkëmeshimin e sotëm, që shpreh mbi të gjitha unitetin e Orthodhoksisë. Mirënjohja jonë buron e tërëshpirtshme për Perëndinë Triadik për dhuratën paskale të pranisë Suaj këtu.

    Dje, gjatë Dhoksologjisë, përmenda bashkëpunimin tonë të parë, në fillim të viteve ‘70, në Organizmin Botëror të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos”, ku shërbyem si Zëvendëspresidentë. Ju, si përfaqësues i brezit të ri dinamik të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, dhe folësi, si veteran i “Syndesmos”, përgjegjës për sektorin e Hierapostullimit të Jashtëm të Qendrës Ndërorthodhokse “Porefthendes”. Në atë kohë, Kisha e Rusisë vuante ende trysninë antifetare, ndërsa Kisha e Shqipërisë kishte mbërritur në fund të greminës së persekutimit komunist dhe ishte shkatërruar krejtësisht.

    Shpesh sjell në mendje periudhën e pjesëmarrjes sonë aktive në veprimtaritë e Rinisë Mbarorthodhokse, sepse, siç e dini, në mënyrë diakronike, këtë sektor e konsideroj të vyer dhe shumë të domosdoshëm në jetën e Orthodhoksisë. Bindja ime e palëkundur është se të rinjtë, që kërkojnë liri, drejtësi, dashuri, kanë për ta gjetur pasurinë e jetës që dëshirojnë në Kishën e Atij, i Cili është e vërteta dhe jeta. Për Kishën e Shqipërisë, gjithnjë e theksojmë se të rinjtë nuk përbëjnë thjesht “të ardhmen” e saj, por edhe të tashmen dinamike.

    Në periudhën e pasluftës, kur filloi Lëvizja Ekumenike, të rinjtë orthodhoksë, theologë laikë dhe klerikë e intensifikuan zërin e tyre për më shumë unitet, kryesisht brenda Orthodhoksisë. Një frazë-çelës jona në vitet ‘60, që nuk reshti së përsërituri që nga ajo kohë, ishte: “Kisha Orthodhokse nuk është Konfederatë Kishash lokale, por është Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”.

    Paralelisht me dëshirën tonë të madhe për unitetin panorthodhoks në fillim, u zhvillua më tej edhe ndjesia e fortë e detyrimit për të dëshmuar Orthodhoksinë në kufij të rinj, veçanërisht në kontinentin afrikan, si edhe për riungjillëzimin e vendeve që kishin pësuar persekutimin e rëndë antifetar.

    E di mirë, Vëlla shumë i Dashur dhe i Shenjtë, se, gjatë gjithë këtyre kërkimeve dhe përpjekjeve, keni qenë në vijën e parë, me të njëjtin zell dhe fjalë të fuqishme. Nuk e harroj praninë Tuaj dinamike – si President i Departamentit të Çështjeve të Jashtme të Kishës së Rusisë – në Asambletë, Komisionet, por edhe në organet e tjera të Këshillit Botëror të Kishave, të Këshillit të Kishave Evropiane, të Komisionit Evropian të Udhëheqësve Fetarë. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, në Mbledhjet e Primatëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale, gjithmonë jam gëzuar në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin tonë vëllazëror dhe të frytshëm.

    Gjatë shekullit të 21-të, për Kishën tonë vazhdojnë të mbeten jetike këto çështje: a) Thellimi i unitetit të Kishave Orthodhokse në vende të ndryshme, duke theksuar gjithmonë karakterin e tij misterial dhe sotiriologjik, kultivimin thelbësor shpirtëror të anëtarëve të saj, duke iu referuar Shkrimit të Shenjtë dhe traditës së Etërve të Kishës, duke fuqizuar vetëndërgjegjësimin se Kisha është “Trupi i Krishtit”, “plotësia e atij, që i plotëson të gjitha në të gjithë” (Efes. 1:22-23). b) Dëshmia dinamike Orthodhokse në botën e sotme. Me sigurinë se Kisha që është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, së cilës i takojmë, nuk jeton vetëm për veten e saj, por çdo gjë që është dhe që ka, është e destinuar për mbarë njerëzimin. c) Kontributi për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin harmonik të komuniteteve fetare në vende të ndryshme, duke u përpjekur që të ndërtohen ura mbi kundërshtitë, midis komuniteteve të ndryshme të krishtera dhe duke pasur si qëllim bashkëjetesën paqësore me njerëz të bindjeve të tjera fetare.

    Në një kohë kur dyshimet, polarizimet dhe konfliktet luftarake trazojnë planetin, Kisha duhet të jetë faktor paqeje dhe bashkëpunimi harmonik. Para disa vitesh, në një Simpozium Ndërfetar (që u mbajt në Tiranë me temë: “A është e mundur paqja botërore?”), këmbëngula në tezën se: Në analizë të fundit, e kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi, individual, kolektiv, etnik, racor, fetar. Ai mobilizon format e ndryshme të dhunës, që vrasin paqen me mënyra të ndryshme.

    Antidoti për egocentrizmin nuk janë sugjerimet përgjithësuese morale, as formulimet juridike dhe mekanizmat e shtypjes, por nevojë urgjente është fuqizimi i një dashurie, që shprehet në praktikë dhe që është shumëdimensionale, që nuk kufizohet nga kufij, paragjykime e dallime. Këtu qëndron mundësia dhe përgjegjësia e jashtëzakonshme e ndërgjegjes së shëndetshme fetare. Edhe në kushtet e konflikteve shumëvjeçare, kjo dhuron mundësinë e faljes dhe të pajtimit. Fuqia dhe pushteti i dashurisë duhet dhe mund ta mposhtë dëshirën për të qenë i fuqishëm, e cila po e shkatërron paqen. Kisha, si Trup Mistik i Krishtit, i Kryetarit të paqes dhe të dashurisë, funksionon gjithnjë si punishte dhe mbartëse e kësaj fuqie të jashtëzakonshme.

    Mënyra orthodhokse e realizimit të këtij detyrimi u përcaktua nga Themeluesi dhe Kryetari i Kishës, Jisu Krishti. Pas Ngjalljes së Tij të triditshme, në takimin e parë me nxënësit e Tij të shkurajuar dhe pas përshëndetjes “Paqe mbi ju”, Ai shtoi: “Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21). Krishti i Ngjallur nuk u kufizua vetëm duke u shpallur fitoren e Tij mbi padrejtësinë, dëshpërimin dhe vdekjen, por i ftoi në diçka unikale: Të marrin pjesë në veprën e Tij, të vazhdojnë përpjekjen e Tij që të mbizotërojnë e vërteta, pajtimi, dinjiteti, reciprociteti, paqja e vërtetë. Jo me fuqinë dhe kriteret e pushtetit shtetëror dhe ekonomik, por me fuqinë e dashurisë së painters, të përulësisë së kthjellët dhe të përgjegjshmërisë së paepur. Do të jeni faktorë paqeje, pajtimi, krijimi me ndriçimin dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë.

    Përulësinë e skajshme të Krishtit, e cila vazhdon në mënyrë mistike, frytet e sakrificës së Kryqit dhe pasojat e Pashkës së re, ne orthodhoksët i përjetojmë në Misterin e Eukaristisë Hyjnore, që e kryem pak më parë. Fuqia e Kryqit dhe ngazëllimi i Ngjalljes së Krishtit e shndërrojnë përditësinë tonë, shpesh shumë të mundimshme, në “liturgji pas Liturgjisë Hyjnore”, me frymë paskale dhe rrezatim të përvojës së Ngjalljes në mjedisin tonë.

    Fortlumturi dhe Vëlla fort i Shenjtë, duke shprehur edhe njëherë gëzimin vëllazëror dhe falënderimin tonë për bashkëmeshimin e sotëm, Ju urojmë: shëndet të fortë, vite të shumta me më tepër entuziazëm dhe frymëzim të Shpirtit të Shenjtë, që, duke i përdorur dhuratat dhe mundësitë që Perëndia ju ka falur Juve dhe vendit Tuaj, të baritoni Kishën e Shenjtë të Rusisë me urtësi largpamëse dhe të rrezatoni në kohën e sotme dritën e Kryqit dhe të Ngjalljes, dritën e paperëndueshme paskale, që i fal jetës kuptim, shpresë dhe pasuri dashurie.

 

    Христос Воскресе! Krishti u Ngjall! Χριστός Ανέστη!