KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

VIZITA ZYRTARE E SHENJTËRISË SË TIJ,

PATRIARKUT TË MOSKËS DHE TË GJITHË RUSIVE, KIRILLIT,

NË KISHËN ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

 

28-30 prill 2018

 

DHOKSOLOGJI

 

Fjala e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit

dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit

 

    Χριστός Ανέστη! Krishti u Ngjall! Христос Воскресе!

    Me gëzim paskal, me nderim dhe dashuri të thellë, po Ju presim, Fortlumturi dhe Shenjtëri, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill, në këtë Kishë Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë. “I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit”.

    Këtë herë po vini në një periudhë të re zhvillimi, në vizitën Tuaj të parë si Primat i Kishës së Shenjtë të Rusisë, e cila, në shekullin e shkuar, kaloi përmes zjarrit dhe ujit dhe Zoti e nxori në vend të qetë. Para pak muajsh, në dhjetor të vitit 2017, kremtuam në Moskë përvjetorin e 100-të të fillimit të persekutimit të tmerrshëm antifetar që tronditi botën. Ende i ri, në kohën e persekutimit të pareshtur ateist në Bashkimin Sovjetik, ndiqja me emocion dhe admirim të thellë heroizmin e klerikëve dhe të laikëve orthodhoksë.

    Ju, Vëlla i Shenjtë Fort i Dashur, jetuat vitet tuaja të fëmijërisë dhe të rinisë në mes të sprovës shumëformëshe të stuhisë antifetare, me besim të gjallë, me durimin që buron prej ADN-së shpirtërore të familjes Suaj besimtare dhe, me entuziazëm e guxim, u përkushtuat në Kishë.

    Më kujtohet kur, në vitin 1968, takuam për herë të parë theologun laik, i cili kishte ardhur si përfaqësuesi i parë i rinisë orthodhokse të Bashkimit Sovjetik, në një Asamble të Organizmit Botëror të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” në Suedi. Që nga ajo kohë, u rrit vlerësimi i thellë dhe miqësia jonë e sinqertë në Krishtin. Gjatë dhjetëvjeçarëve që pasuan, bashkëpunuam në mënyrë të vazhdueshme në shumë Komisione Kishtare, në Konferenca dhe Këshilla Ndërorthodhoksë, ndërkristianë e ndërfetarë. Nuk kam për ta harruar praninë Tuaj dinamike, fisnikërinë, predispozitën pozitive, pastërtinë e mendimit, kontributin krijues. Zgjedhja Juaj para nëntë vitesh në kreun e Kishës së Shenjtë të Rusisë, krijoi mundësi të reja të mëdha për ofrimin e cilësive Tuaja të veçanta në kontributin Tuaj kishtar shumëdimensional.

 

* * *

 

    Sa i takon Kishës së Shqipërisë, është i njohur unikaliteti i vuajtjes që kaloi. Nga viti 1944 deri më 1967, pësoi persekutimin komunist ateist, siç njihet edhe në vendet e tjera ku mbizotëroi ky sistem. Që nga viti 1968 e më pas, ndodhi diçka unikale në historinë botërore: Shqipëria u shpall zyrtarisht me Kushtetutë shtet ateist absolut. Besimi fetar u varros në mënyrën më të dhunshme dhe të pandërprerë për 23 vite rresht. Në vitet ‘80, ne që ndiqnim ngjarjet, arritëm në konkluzionin se Kisha e Shqipërisë ishte shuar përfundimisht nga harta. Por, lavdi Perëndisë, që nga viti 1991 jetojmë brenda frymës dhe gëzimit të Ngjalljes.

    Tashmë është e njohur gjerësisht se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e rithemeluar mbi të vetmin themel të fortë, që është Krishti, vazhdon të zhvillohet brenda dritës paskale. Paralelisht me ringritjen e pastër kishtare, Kisha e Shqipërisë zhvilloi programe pioniere në sektorët e shëndetit, arsimit, kulturës, ekologjisë dhe, me praninë dhe aktivitetin e saj, kontribuon në mënyrë esenciale në rindërtimin e përgjithshëm, si dhe në zhvillimin shpirtëror e social të Shqipërisë. Nuk do t’i referohem më tej përpjekjeve që janë bërë. Në udhëtimin Tuaj të shkurtër do të konstatoni vetë disa nga këto arritje dhe nisma.

    Gjithashtu, Kisha e Shqipërisë merr pjesë në mënyrë krijuese në veprimtaritë panorthodhokse, në përpjekjet mbarë të krishtera, në dialogun ndërfetar.

    Personalisht, në periudhën 1960-1980, kisha dy dashuri të mëdha: a) rigjallërimin e Hierapostullimit të Jashtëm Orthodhoks në kufij të rinj, me perspektivë të drejtpërdrejtë Afrikën dhe b) hulumtimin universitar theologjik e fetarologjik dhe shkrimin e veprave në lidhje me këto aspekte. Por, kur reshti persekutimi antifetar dhe mua m’u kërkua nga Kisha të shkoja në Shqipëri, konkretisht nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, e cila i kishte dhënë Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë dhe që ka përkujdesjen për Kishat e ndodhura në vështirësi, ndjeva detyrimin të lija mënjanë plane, preferenca e dashuri dhe t’i bindesha vullnetit të paparashikueshëm dhe të çuditshëm të Perëndisë. Vendimi, por edhe ecuria e mëtejshme nuk ishin të lehta. Por, me hirin e Perëndisë, e përjetuam në mënyrë të veçantë vargun e psalmeve: “Edhe në shkofsha në mes të hijes së vdekjes, nuk do të frikësohem nga ndonjë e keqe, se ti bashkë me mua je” (Ps. 22:4).

    E kujtoj me falënderim të ngrohtë këtë mision të veçantë, që më ngarkoi Kisha Mëmë e Konstandinopojës, por edhe Kishat e tjera Orthodhokse Autoqefale dhe, sigurisht, Kishën e Rusisë për besimin dhe mbështetjen e palëkundur.

    Dhe sot, në këtë Kishë Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, lavdërojmë dhe i shfaqim mirënjohjen së bashku Perëndisë së surprizave dhe të çudirave, që nuk resht së na dhuruari “shumë herë më tepër nga sa kërkojmë apo mendojmë”.

    Me ndjenja dashurie vëllazërore, me gjithë shpirt dhe me nderim të thellë, Ju presim sot, Vëlla i Shenjtë, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill. Dhe, nga thellësia e zemrës, urojmë që, me ndërmjetimet dhe frymëzimin e Shën Kirillit, emrin e të cilit mbani, të vazhdoni kontributin Tuaj fetar me urtësinë e tij të nxitur prej Perëndisë dhe ëndrrat e tij të mëdha. Perëndia Triadik Ju dhuroftë vite të shumta dhe shëndet të fortë, me besim të zjarrtë aktiv dhe mentalitet Kryqngjallësor, që, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, të udhëhiqni popullin besimtar rus në frytdhënie të vazhdueshme shpirtërore dhe të rrezatoni në epokën që jetojmë dritën e Kryqit dhe të Ngjalljes.

 

    Христос Воскресе! Krishti u Ngjall! Χριστός Ανέστη!