“Krishti u Ngjall” – “Vërtet u Ngjall!” Që të shtunën në darkë ky urim dëgjohet kudo ku besimtarët orthodhoksë kremtuan Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht. Kremtimet e shkëlqyera e shpallën këtë kudo ku ata ndodhen, në gjithë vendin tonë. Ashtu siç thuhet në Shërbesë, sot është “Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi prej panairit dhe le të përqafojmë njeri-tjetrin, le t’u themi vëllezër dhe atyre që na urrejnë, le t’i ndjejmë të gjitha në ditën e Ngjalljes dhe kështu le të thërresim:…”
Në Tiranë Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore u kryen në Katedralen Ngjallja e Krishtit”, dhe u drejtuan nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i ndihmuar nga Mitropoliti i Amantias Nathanaili, Episkopi i Bylisit Asti dhe klerikë të Kryepiskopatës. Kisha dhe mjedisi përreth u mbushën nga mijëra e mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës, që pritën me padurim lajmin më të madh të të gjitha kohërave, Ngjalljen e Krishtit, për të marrë më pas “Dritën që nuk perëndon”, për ta çuar në shtëpitë e tyre në çdo cep të Tiranës, si një bekim për të gjithë Kryeqytetin. Ata çukitën edhe vezët e kuqe që kishin marre me vete dhe uruan njëri-tjetrin pa pushim “Krishti u Ngjall!”, që do jetë përshëndetja e tyre në 40 ditët në vazhdim.
Në Mesazhin e Pashkës, drejtuar gjithë besimtarëve orthodhoksë, i cili sivjet kishte si temë “Një ftesë mahnitëse”, Kryepiskopi Anastas tha: “Dinamika e mesazhit të krishterë përmblidhet në fjalët “Krishti u Ngjall”. Ngjallja e Krishtit shpall fuqishëm tejkalimin e vdekjes: “U varrosëm pra, bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:4). Krishti i Ngjallur, i Cili dërrmoi pushtetin e vdekjes, vazhdon të shpërbëjë çdo lloj fryme frike, padrejtësie, urrejtjeje, zhgënjimi… Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thellë dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij.”