Diakonia Agapes me projekte të reja në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara dhe të fermerëve

 

Diakonia Agapes, (Shërbimi i Dashurisë), zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencave e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është themeluar në vitin 1992, me iniciativën dhe bekimin e Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Ajo filloi aktivitetin e saj duke ofruar ndihmë humanitare gjatë periudhave të emergjencës, e më pas për t’u përshtatur sa më mirë me nevojat në ndryshim të situatës në vend, i orientoi aktivitetet e saj drejt fushës së zhvillimit, duke synuar t’i qëndrojë afër dhe të mbështesë individët dhe grupet më në nevojë në shoqërinë shqiptare. Që prej vitit 2000, zyra operon brenda Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës, që është një organizatë jo-fitimprurëse. Diakonia Agapes është gjithashtu një nga themelueset e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile, i cili përbëhet nga 15 organizata të kësaj fushe.

 

Këtë vit ajo ka planifikuar dhe nisur disa projekte të reja:

Përrenjas – mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

 

Diakonia Agapes, në partneritet me shoqatën “Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara” (MEDPAK) dhe Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta (QSHINJNV), po zbaton projektin 6-mujor “Shërbime publike transparente dhe efektive për Personat me Aftësi të Kufizuara”, në Bashkitë Përrenjas, Belsh dhe Cërrik. Ky projekt mbështetet nga fondi i nën-grantimit “Rrjetëzim dhe shkëmbimi i njohurive ndërmjet OSHC-ve në fushën e antikorrupsionit dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor” – Raundi II, në kuadër të projektit CIVILISC, financuar nga BE, zbatuar nga IDM, në partneritet me Fondacionin RiskMonitor, Bullgari.

Në kuadrin e këtij projekti, më 28 shkurt 2018, u zhvillua prezantimi i projektit në Bashkinë Përrenjas, ku morën pjesë persona me aftësi të kufizuara, prindërit e tyre, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Në takim mori pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë Përrenjas, Miranda Rira, e cila shprehu interes për projektin dhe ofroi bashkëpunimin dhe ndihmën e saj dhe të institucionit që ajo përfaqëson.

 

Projekt në ndihmë të fermerëve

 

Diakonia Agapes, që nga 1 janari 2018, ka filluar zbatimin e projektit: “Fuqizimi ekonomik i fermerëve në zonat rurale të Shqipërisë”, i mbështetur nga organizata Bread for the World – Gjermani. Qëllimi i tij është përmirësimi i kushteve të jetesës dhe rritja e mirëqenies së fermerëve në fshatrat e Qarkut të Elbasanit.

Në kuadër të këtij projekti u realizuan 2 workshope një ditore në njësinë administrative Tregan. Më 23 shkurt, u zhvillua workshopi në Muçan, në të cilin morën pjesë gratë përfituese të serave të fshatrave Muçan dhe Kaçivel, si dhe me 27 shkurt, u zhvillua workshopi në fshatin Kyçyk, ku ishin prezent përfitueset e fshatrave Kyçyk dhe Tregan. Në takim morën pjesë edhe fermerë të cilën kanë sera dhe kultivojnë perime në zonë dhe janë të interesuar për t’u bërë pjesë e projektit.

Gjatë takimit Diakonia Agapes ndau me të pranishmit eksperiencën e saj për realizimin e projektit: “Fuqizimi ekonomik i Grave në komunën Tregan”, i cili u zbatua gjatë periudhës nëntor 2014 – nëntor 2017 si dhe mundësitë për t’u organizuar në grupe me interesa të përbashkëta më të formalizuara me gratë përfituese të projektit. Në takime morën pjesë përfaqësues të Diakonia Agapes, specialisti i bujqësisë, si edhe administratori i njësisë administrative të Treganit.

 

Fotogaleri

 

 

– – –