Gazetari (Blendi Fevziu): Mirëmbrëma! ….. Zoti Meta mirëmbrëma dhe mirë se ju gjeta!

Presidenti Meta: Mirëmbrëma ju dhe të gjithë teleshikuesve të Televizionit “Klan”!

Gazetari: Do të thoja se kjo intervistë sot normalisht duhet të kishte qenë një intervistë më shumë festive, e përqendruar në fund të vitit te atmosfera e festave, megjithëse këtë vit nuk po ndihet aq shumë se sa vitet e tjera. Duket pak më e ndrydhur. Ndërkohë ju keni ndërmarrë disa zhvillime politike që ju kanë sjellë në qendër të vëmendjes, edhe pse presidenti i ri është gjithmonë protagonist.

E para është ajo që lidhet me Janullatosin, me faktin që ju i keni dhënë pasaportën, duke u bërë i pari president pas disa presidentësh, që i jep shtetësinë shqiptare kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare…. Shpresoj që ju të jeni sa më i hapur dhe i drejtpërdrejtë!

Pyetja e parë është gati e menjëhershme: Kush jua kërkoi që t’i jepni shtetësinë shqiptare Anastas Janullatosit? Ishte një, po e quaj, një shërbim që ibëtë Greqisë? Ishte një tentativë për të ulur tensionet me këtë vend apo ishte një bindje e juaja që Anastas Janullatosi e meritonte shtetësinë shqiptare?

Presidenti Meta: Absolutisht ishte një bindje e ime e plotë institucionale…

Gazetari: Dhe nga ishte krijuar kjo bindje, zoti Meta?

Presidenti Meta: … për shkak të ligjit për shtetësinë, ku mund të theksoj se Fortlumturia e Tij i plotësonte të gjitha kriteret…

Gazetari: Brenda këtij ligji duhet të jetë edhe fakti që ai duhet të flasë shqip,në mos gaboj…?

Presidenti Meta: Nuk besoj se trajneri ynë shumë i dashur De Biazi flet shqip apo e flet më mirë shqipen se sa Fortlumturia e Tij, për të mos përmendur edhe mjaft raste të tjera. Së dyti mendoj që në këtë mënyrë i kam bërë një shërbim shumë të mirë…

Gazetari: … Kujt ia keni bërë këtë shërbim?

Presidenti Meta: …Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën Fortlumturia e Tij e ringriti nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist dhe është sot një nga kishat më të nderuara në botë…

Gazetari: … por u ringrit nga një…

Presidenti Meta: …falë, në veçanti të, personalitetit të tij. Dhe është një detyrim ndaj gjithëve besimtarëve ortodoksë në vendin tonë dhe ka qenë edhe një kërkesë e vazhdueshme e shumë personaliteteve të shquara të vendit tonë: doktorë, rektorë, ish-dekanë, emra nga më të shquarit të mjekësisë, të shkencës…

Gazetari: …Po si shpjegohet zoti Meta, që të paktën katër presidentë njëri pas tjetrit kanë refuzuar që t’i japin pasaportën shqiptare Anastas Janullatosit?

Presidenti Meta: Do të theksoja se është tjetër refuzimi…

Gazetari: …Presidenti Berisha, Presidenti Meidani, Presidenti Moisiu, Presidenti Topi, Presidenti Nishani. Jeni i gjashti, pra pas pesë presidentëve, të cilët kanë refuzuar që ta bëjnë shtetas shqiptar Anastas Janullatosin. Ju keni vendosur që ta bënikëtë gjë.

Presidenti Meta: Mendoj se nuk ka pasur ndonjë refuzim. Ka pasur mosdekretim. Ka qenë një kërkesë në pritje.

Gazetari: Ishit i bindur kur e firmosët këtë dekret?

Presidenti Meta: Kam qenë shumë i bindur dhe sot jam akoma më i bindur, dhe në të ardhmen do të jem edhe më i bindur, sepse më vjen keq, por ne ende vazhdojmë të politizojmë çështjen e besimit…

Gazetari: Nuk është çështje politizimi zoti Meta. Kam përshtypjen se Kisha Autoqefale Shqiptare që prej fillesave të saj në statutin e Korçës në vitin 1929 në mos gaboj, e më pas me rikonfirmimet e Kristofor Kisit ka qenë një kishë që duhej të drejtohej nganjë prift, ose një peshkop shqiptar. Në fakt Anastas Janullatosi nuk ka qenë një peshkop shqiptar në momentin kur ka ardhur në krye të KOASH-it, por ka pasur shtetësi greke. Dhe historia e KOASH-it ka qenë një histori përplasjesh me Kishën Ortodokse Greke. As me atë ruse, as me atë malazeze, as me atë maqedonase.

Presidenti Meta: Jam dakord me ju. Nuk i heq asnjë presje. Dhe do të kishte qenë shumë më mirë që kryepeshkopi i parë pas komunizmit dhe pas lejimit të ushtrimit të lirë të besimeve në Shqipëri të kishte qenë shqiptar.

Por për shkak të të vërtetave, duhet të themi se edhe Kristofor Kisi që përmendët, edhe Visarion Xhuvanin që ju nuk e përmendët…

Gazetari: Jo, jo, është njënumër i madh. Kjo histori nis me Fan Nolin në vitin 1900 e…, vitit 1910 në mos gabohem…

Presidenti Meta: Dakord! Dakord! Patjetër! Gjithë këto personalitete të Kishës sonë Autoqefale nuk i persekutoi, nuk i denigroi, nuk i dhunoi as Kisha greke, as Fortlumturia e Tij, por meqenëse…

Gazetari: Jo, ato i bëri diktatura komuniste.

Presidenti Meta: …po diktaturën ne e bëmë dhe disa prej tyre vazhdojnë akoma të ushqejnë këtë frymë tepër negative. Dhe mbaj mend, sepse më ka bërë shumë përshtypje para dhjetë vitesh, kur djali im ishte ndoshta gjashtë vjeç, dhe po shikoja në ‘Eksplorer’ njëemision për periudhën e komunizmit në vendin tonë. Thashë ta pyes njëherë djalin se çfarë ideje kishte për periudhën e komunizmit dhe vërtet doja të dija si mendonte një fëmijë, më të cilin nuk kishim folur kurrë për të kaluarën e Shqipërisë. ‘Komunizmi varte priftërinj.’ – më tha.

Prandaj nga gjërat e rënda që ai mund të kishte parë, mund të kishte dëgjuar, mund të kishte perceptuar për atë sistem është që ‘Komunizmi varte priftërinj.’

Dhe unë kur dëgjoj ende një retorikë shpesh herë të papërgjegjshme ndaj Fortlumturisë së Tij apo ndaj Kishës në tërësi, më kujtohet ajo që djali më ka thënë, që një fëmijë mund të thotë se si e ka perceptuar ai regjimin komunist.

Po kështu më kujtohet edhe gjyshja kur isha i vogël, kur shkoja në fshat në Skrapar, e cila kur donte të na bënte presion ne, fëmijëve që duhet të mos bënim zhurmë e të flinim gjumë, na thonte: ‘Erdhi greku! Erdhi greku!’”

Gazetari: Po, për arsye të kontekstit historik që…

Presidenti Meta: …Po, për arsye të luftrave me grekët në ato zona, siç kishin luftuar në Kolonjë, në Panarit, në Korçë e kështu me radhë, dhe me grekun trembeshin fëmijët që të silleshin mirë.

Gazetari: …bëhej fjalë për hyrjen e grekëve në Luftën e Dytë Botërore në mos gaboj, për Luftën Italo-Greke?

Presidenti Meta: Mund t’ju them se unë vetë kam pasur shumë paragjykime për Fortlumturinë e Tij, deri në vitin 2000, sepse në vitet ’90-të ka pasur shumë përplasje mes Shqipërisë e Greqisë dhe gjithmonë këto përplasje janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë te figura e te personaliteti i tij, por në vitin 2000…

Gazetari: …por edhe te emigrantët zoti Meta, të cilët hipeshin nëpër autobusë dhe ktheheshin mbrapsht sikur të ishin sardele… dhe jo sikur të ishin njerëz?

Presidenti Meta: … Po patjetër! Patjetër!Në vitin 2000 kur kam qenë kryeministër kam vizituar Kishën e Bostonit të At Artur Liolinit dhekam bërë një bisedë me të vetëm për vetëm për këtë çështje.

Gazetari: Dhe cila ishte përgjigja që ju dha?

Presidenti Meta: Ai më sugjeroi një gjë, të cilën unë i ftoj të gjithë ata që janë të arsyeshëm, që ta kenë në konsideratë, kur flasin për një çështje të tillë dhe për një personalitet të tillë që mos e shikoni nga origjina e tij, por shikojeni si një njeri të besimit!

Gazetari: Atëherë unë do të doja…

Presidenti Meta: Dhe jo vetëm kaq, por pak më vonë dhe ju po të doni mund ta klikoni edhe në internet e ta kërkoni në ‘Google’, At Liolini ka dhënë një intervistë në mos gaboj në vitin 2008, kur përkujtohej një përvjetor shumë i rëndësishëm i meshës së parë shqip në Boston, dhe kur disa shqiptarë kishin paralajmëruar që do të bojkotonin, sepse edhe Fortlumturia e Tij ishte i ftuar të merrte pjesë, dhe ka thënë që: ‘Edhe Imzot Noli, po të ishte gjallë, do ta priste dhe do ta respektonte.’”

Gazetari: Ju e mbani mend që fillesat e Kishës Autoqefale…

Presidenti Meta: I ftoj të gjithë që ta shikojnë si njeri të besimit, sepse besimi ka lindur edhe para shteteve, edhe para kombeve…

Gazetari: Por duhet ta keni parasysh që në vitin 1908 Fan Noli u dorëzua prift, sepse një prift i Kishës Ortodokse Greke nuk pranonte të kryente shërbesat fetare ndaj një djali shqiptar me mbiemrin Dishnica, se ai kishte luajtur një rol në aktivitetin kombëtar shqiptar…

Presidenti Meta: Jam shumë dakord! Kam lexuar që i vogël, dhe besoj se e keni lexuar edhe ju ‘Pishtarët’ të Sterjo Spases.

Kemi parë filma dhe ato që kanë ndodhur janë të vërteta.

Duhet të kemi parasysh se Fortlumturia e Tij nuk ka ardhur këtu si përfaqësues i Kishës greke.

Por ka ardhur këtu si Ekzark i Patriarkanës së Stambollit dhe ka ardhur këtu për shkak të personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, edhe ndërkombëtar dhe të sukseseve të jashtëzakonshme që ka pasur për rindërtimin e kishave e të besimit në Afrikën Lindore e të shumë rajoneve të tjera.

Pra ka ardhur për shkak të emrit, të personalitetit, dhe jo për shkak të kombësisë apo origjinës së tij.

Gazetari: Nëse Hirësia e Tij… për hir të së vërtetës ka luajtur rol në ringjalljen e besimit ortodokset, në rindërtimin e objekteve të kultit, në strukturimin…

Presidenti Meta: Si ka luajtur?

Gazetari: Ka luajtur një rol të rëndësishëm…

Presidenti Meta: Nuk ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ka luajtur një rol historik dhe të jashtëzakonshëm!

Gazetari: Por ky rol i tij i jashtëzakonshëm zoti Meta ka qenë gjithmonë dhe në një pikë që ka çeduar – ka qenë raporti që ai ka pasur me Greqinë. Unë mbaj mend që në vitin 2006 njëri nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë i kërkoi atij që të mbante një përshpirtje fetare për shqiptarët ortodoksë çamë, të cilët u masakruan në vitin 1944 dhe Hirësia e Tij nuk ktheu asnjë përgjigje. Hirësia e Tij në rastin e vitit 2006 po ashtu, ose në vitin 2007, më fal, për çështjen e Kosinës në Përmet që ju e mbani mend shumë mirë, kur prifti lokal dhe një pjesë lokalësh nxorën eshtrat e të parëve të tyre që t’i shisnin për eshtrat e ushtarëve grekë, refuzoi t’i përgjigjej shtypit shqiptar. Sa herë që ka pasur përplasje me Greqinë, Hirësia e Tij nuk ka bërë asnjë deklaratë. Ndërkohë që ka një rol në këtë drejtim, nuk ka guxuar kurrë që të mbajë një qëndrim…

Presidenti Meta: Mos u përpiqni as ju, dhe askush qëta bëjë Fortlumturinë e Tij pjesë të debateve politike, të lëvizjeve politike në vend.

Ai padyshim që ka lidhje me Greqinë, sepse ka lindur, është rritur, është edukuar atje për një pjesë të mirë të kohës.

Është i interesuar padyshim që marrëdhëniet të jenë sa më të mira, sa më paqësore midis dy vendeve.

Besoj se në vazhdimësi është vënë re kontributi i tij në këtë drejtim pa interferuar me valencat e ndryshme politike këtu apo atje.

Dhe e theksoj edhe një herë: Duhet të keni në konsideratë kur flasim për këtë personalitet faktin që ai është një njeri i besimit! Nuk duhet të shohim thjesht që…

Gazetari: Unë ju fola për besimin, zoti Meta. Nuk ju fola për… Ju fola për një gjest, për një përshpirtje ndaj shqiptarëve çamë ortodoksë që kanë vdekur atje. Në fund të fundit priftërinjtë, njerëzit e besimit shkojnë te ushtarët armiq përpara se të vdesin dhe u kryejnë shërbimet fetare.

Presidenti Meta: Jo, kjo nuk është… një pyetje për mua.

Gazetari: Para Zotit të gjithë njerëzit janë të barabartë.

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje për Forlumturinë e Tij apo për zëdhënësin e Kishës, sepse nuk është normale që qoftë edhe një president apo kushdo politikan t’i japë direktiva Kishës….

Gazetari: …dhe si shpjegohet zoti Meta, se më shumë se sa ortodoksët shqiptarë, se sa komuniteti ortodoks dhe personalitetet shqiptare, pati një entuziasëm në politikën greke? Ministri i Jashtëm grek e përshëndeti.

Sipas informacioneve që kam unë dhe një numër i madh politikanësh grekë janë treguar entuziastë.

Presidenti Meta: Së pari të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë që besojnë, janë tepër të lumtur.

Shumë prej tyre, nuk po përmend emra, personalitete janë shprehur edhe publikisht, njerëz të ndritur të shoqërisë sonë, figura intelektuale, rektorë, ish-rektorë, dekanë,…

Gazetari: Ju kanë përshëndetur?

Presidenti Meta: …mjekë, njerëz nga më të njohurit, shkencëtarë, janë tepër të lumtur dhe e konsideronin si njëpadrejtësi apo si një ngërç faktin që nuk i ishte dhënë shtetësia Fortlumturisë së Tij.

Jo thjesht e vlerësojnë, por unë kam bindjen që e adhurojnë, sepse ka dhënë një kontribut që ne nuk e njohim, sepse ne shkojmë në kishë vetëm kur janë Krishtlindjet apo kur janë Pashkët, por ata qëjanë besimtarë janë mjaft të lidhur jo vetëm me shërbesat fetare por edhe ato sociale që ofrohen nga kisha.

Gazetari: …po, me përditshmërinë e shërbimeve…

Presidenti Meta: …me shërbimet sociale të jashtëzakonshme që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka ofruar jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhepër qytetarë të zakonshëm.

Dhe të mos harrojmë që një vend ku gjithçka u rikrijua nga hiri i komunizmit.

Ku u shkatërruan jo vetëm kishat, por edhe xhamitë, por edhe gjithçka tjetër, kur iu vu kazma afreskeve shekullore, mijëravjeçare, kur kishat apo objektet e kultit u shndërruan në stalla dhe magazina…

Gazetari: …Kjo ndodhi me të gjitha besimet fetare në Shqipëri, nuk ndodhi vetëm me kishat ortodokse. Ka qenë më masakër ndaj Kishës Katolike…

Presidenti Meta: Patjetër! Të mos harrojmë atë punë të jashtëzakonshme qëështë bërë për rindërtimin e këtij besimi e të kishës, jo vetëm nga ana materiale, por edhe nga ana shpirtërore. Edhe nga ana përmbajtësore, nga ana gjuhësore, përmes përkthimeve në shqip të liturgjive. Përveç disa liceve kishtare, kemi Akademinë e Durrësit, të Shën Vlashit, e cila përgatit drejtues të Kishës dhe janë gati 150 a më shumë drejtues shqiptarë të Kishës sonë Ortodokse që janë formuar në këtë Akademi.

Gazetari: …kemi edhe Manastirin e ndërtuar pa leje ku do të varroseshin eshtrat e ushtarëve grekë… zoti Meta. Qëështë unikale që një kishë të ndërtojë pa leje për të bërë gati varrezat e ushtarëve grekë…

Presidenti Meta: Për këto çështje mund të pyesni edhe Kishën zyrtarisht së pari. Së dyti, mund të pyesni edhe Komitetin e Kulteve, sepse shteti ka një komitet kultesh, i cili i ndjek marrëdhëniet me to.

Gazetari: …por ju keni qenë në dije… të presionit që ka bërë Greqia për ndërtimin e varrezave në Shqipëri…?

Presidenti Meta: Më falni! Ajo është një çështje tjetër dhe çështja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisëështë një çështje tjetër…

Gazetari: … Atëherë si e shpjegoni ju entuziasmin…?

Presidenti Meta: … përpjekja për ta lidhur gjithmonë sa herë ka probleme mes Shqipërisë dhe Greqisë me figurën e ndritur të Fortlumturisë së Tij është shumë e gabuar.

Kjo vjen ose nga mungesa e informacionit, ose është e sponsorizuar për qëllime politike.

Dhe e dyta përmes saj është synuar, disa herë jam i bindur edhe qëllimisht, dhe synohet të denigrohet i gjithë komuniteti ortodoks në Shqipëri…

Gazetari: Jo, kjo nuk është e vërtetë! Nuk kemi pse denigrojmë komunitetin…

Presidenti Meta: …tani më vjen keq! Dhe jo vetëm kaq, por ndonjëherë të paraqiten të gjithë shqiptarët ortodoksë sikur janë grekë, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë.

Prandaj unë do t’i ftoja të gjithë të ndajnë çështjen e origjinës së Kryepeshkopit tonë, i cili tani është edhe shtetas i Shqipërisë, nga çështja e besimit.

Besimi është një çështje tjetër, dhe ai është personalitet i besimit mbi të gjitha.

Gazetari: Dhe si e shpjegoni ju zoti Meta entuziasmin e ministrit të Jashtëm grek në këtë rast, kur normalisht nuk ka përse të entuziasmohet aq shumë kur një grek merr shtetësinë shqiptare? Duhet të ndodhte e kundërta.

Presidenti Meta: Kollokotroni ka thënë: ‘Edhe grekët më të çmendur nuk e braktisin kurrë Zotin!’ Dhe ne e dimë që populli grek është një popull mjaft besimtar, pothuajse homogjen në besimin ortodoks.

Gazetari: Po. E ka të deklaruar edhe në pasaportë.

Presidenti Meta: Jo vetëm kaq, por edhe marrëdhëniet mes kishës dhe shtetit kanë qenë gjithmonë shumë të forta. Duhet të keni parasysh që jo vetëm ministri i Jashtëm, i cili më ka telefonuar atë ditë, Presidenti…

Gazetari: …edhe Presidenti i Greqisë?…

Presidenti Meta: … Po, lajmi doli nga agjencia zyrtare greke. Ishte lajm që e nxorën ata, por edhe shumë politikanë…

Gazetari: …grekë, gjithmonë?…

Presidenti Meta: …po, më kanë falenderuar shumë politikanë nga forca të ndryshme, përveç se nga ‘Agimi i Artë’.

Edhe shumë shqiptarë, të cilët jetojnë atje, edhe kolegë tuajt gazetarë dhe do t’jua jap shpejgimin, sepse janë disa arsye. E para, nuk ka të bëjë me faktin se një kryepeshkop me origjinën greke mori shtetësinëshqiptare.

Kjo ka të bëjë me faktin që Fortlumturia e Tij nuk është një klerik i zakonshëm jo vetëm për grekët…

Gazetari: …Përse nuk është i zakonshëm?

Presidenti Meta: …është një erudit, një shkencëtar në fushën e besimit, të teologjisë, është një filozof, një mendimtar, njëkrijues, një misionar, është një idealist.

Kështu që duhet të kemi parasysh se janë ndërtuar njëqind e pesëdhjetë kisha të reja, përfshirë edhe katedralen madhështore e të jashtëzakonshme në qendër të Tiranës dhe janë rindërtuar e restauruar rreth treqind objekte kulti të shkatërruara e të rrënuara në gjithë vendin.

Gazetari: …kjo ka ndodhur me të gjitha komunitetet…

Presidenti Meta: …dhe kjo ka ndodhur për shkak të reputacionit të tij të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe të besimit që kanë pasur në administrimin e drejtë dhe me përkushtim të ndihmave të dhëna.

Gazetari: …dhe të financimit grek… apo jo, sepse një pjesë e madhe e të ardhurave kanë ardhur nga…?

Presidenti Meta: …Një pjesë mund të ketë qenë e tyre, por mos harroni se nga Amerika, nga Danimarka, nga e gjithë bota, sepse është vetë figura e tij mjaft e besueshme për të realizuar një administrim vërtet të admirueshëm.

Gazetari: Zoti Meta, ju shkoi ju ndër mend…? Apo jua kërkuan grekët, autoritetet greke që ta firmosnit dekretin e shtetësisë?

Presidenti Meta: …Autoritetet greke nukmë kanë kërkuar një gjë të tillë, të paktën për këtë periudhë që jam në këtë detyrë, sepse nuk kam pasur raste për takime të ndryshme, pavarësisht se askush nuk ka arritur ta kuptojë pse një figurë, që drejton Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk duhet ta marrë shtetësinë, kur atë e merr kushdo që plotëson disa kushte minimale të përcaktuara nga ligji.

E theksoj edhe njëherë tjetër, jo vetëm plotësoheshin të gjitha kushtet e ligjit, por në radhë të parë ishte detyrim ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndaj besimtarëve ortodoksë në Shqipëri dhe në shërbim e në funksion të bashkëjetesës midis komuniteteve tona fetare, ku Fortlumturia e Tij gjithmonë ka dhënë një kontribut të çmuar.

Gazetari: A kishte një marrëveshje mes jush dhe Janullatosit që ju t’i jepnit shtetësinë dhe ai të deklaronte se pasardhësi i tij do të jetë shqiptar, siç deklaroi?

Presidenti Meta: Nuk ka pasur një marrëveshje të tillë, por unë ua thashë që ai është njeri i besimit. Është një njeri i Perëndisë.

Ai është një misionar, i cili jo vetëm që ka një mision që pothuajse e ka realizuar në kuptimin e rindërtimit nga hiri të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, por ka edhe një vizion për të ardhmen.

Dhe këtë vizion besoj se e shprehu shumë qartë në një nga televizonet kryesore të Greqisë ku u shpreh qartë se pasardhësi i tij në krye të KOASH-it do të jetë shqiptar dhe…

Gazetari: …Varet. Do të jetë shqiptar me pasaportë të marrë apo do të jetë shqiptar me pasaportë të lindur se këto janë dy gjëra të ndryshme, zoti Meta?

Presidenti Meta: Atëherë ma dëgjoni deri në fund shpjegimin që ka dhënë Fortlumturia e Tij dhe mund ta ritransmetoni ndoshta kur të keni mundësi në fillimin të vitit tjetër! E para, do të jetë shqiptar. E dyta, ‘nuk kemi shkuar atje për të krijuar një koloni, në Shqipëri’, pra për të helenizuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare apo akoma edhe më tej. E treta, ka thënë në televizionin grek, me gazetarin grek dhe për opinionin publik të Greqisë që “si do të na vinte ne sikur në krye të Kishës sonë të kishim një bullgar apo një serb…’

Atëherë kjo tregon një vizion të qartë, një përkushtim të qartë, ashtu sikurse ma kanë kërkuar disa të tjerë drejtues të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ma ka kërkuar prej kohësh Imzot Joani në Korçë, është njënga drejtuesit më të njohur të Kishës sonë, dhe shumë klerikë të tjerë shqiptarë të kishës tonë.

Presidenti Meta: Më duket se isha shumë i qartë. Dhe problemi ynë me Greqinë në të ardhmen lidhur me këtë figurë, e dini se cili do të jetë? Pas njëzet vitesh apo tridhjetë vitesh?

Gazetari: Cili do të jetë?

Presidenti Meta: Do të kemi prapë një debat, por ne do të përpiqemi ta paraqesim sa më shqiptar…

Gazetari: …ata do të përpiqen ta paraqesin sa më grek…?

Presidenti Meta: …nuk thashë këtë gjë, por edhe shumë nga këta që kanë hedhur baltë padrejtësisht ndaj figurës së tij, duke u përpjekur gjithmonë ta shoqërojnë me një problem që ndodh atje apo këtu do reflektojmë.

Gazetari: …aq shumë adhurim po ju shoh për Hirësinë e Tij zoti Meta, saqë më duket sikur do të braktisni bektashizmin, të cilit i përkisni, për t’u bërë ortodoks më duket?

Presidenti Meta: Jo! Mua padrejtësitë më lëndojnë. Po e them me shumë sinqeritet.

Gazetari: Më shumë keni lënduar Baba Mondin me këtë…

Presidenti Meta: Jo! Baba Mondi besoj se është shumë i lumtur. Edhe të gjithë ata që besojnë te Zoti, besoj se janë më të lumtur dhe janë më të qetë.

Dhe unë mendoj se kjo është një ngjarje mjaft pozitive.

Jam tronditur kur kam dëgjuar apo kam lexuar, edhe nga njerëz të ditur apo me shkollë, të cilët thonë: ‘Ka një problem këtu pse po gëzohet kaq shumë Greqia!’ Sepse është një figurë e jashtëzakonshme. Unë mund të kujtoj një letër të Mikis Theodorakis, një nga kompozitorët më të mëdhenj të Greqisë, që po bëhet gati 100 vjeç, që kishte dërguar me rastin e ardhjes këtu në Tiranë të Orkestrës së Mikis Theodorakis, kur erdhi dhe vajza e tij.

Ata kishin ardhur me kërkesë të Fortlumturisë për të dhënë një shfaqje kulturore dhe ai në letrën e tij, të kemi parasysh që Mikis Theodorakis është edhe pak më i majtë seç duhet, edhe revolucionar…

Gazetari: …si shumë i majtë.

Presidenti Meta: Nuk është nga ata që besojnë më shumë se kushdo, por më ka ngelur në mendje se si i drejtohej ‘Anastasi i zemrave tona’. Pra, është një njeri që ka një vlerësim, ka një ardhurim jo vetëm në Greqi..

Gazetari: Paskan përcjellë të gjithë pak nga adhurimi i tyre tek ju zoti Meta!

Presidenti Meta: Unë gjithmonë kam admiruar durimin, qetësinë e tij.

Gazetari: A u ndjetë keq kur ai mori dekretin e shtetësisë shqiptare dhe nuk tha as ‘Faleminderit!’ në shqip, por foli sërish greqisht. Ose nuk tha të paktën ‘Zoti e bekoftë Shqipërinë’?

Presidenti Meta: Unë besoj që ai i ka bërë shërbime të jashtëzakonshme Kishës sonë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Shqipërisë dhe çdo lloj paragjykimi në këtë drejtim më kujton atë që djali më ka thënë për komunizmin kur ishte 6 vjeç, që komunizmi varte priftërinjtë, kjo i kishte ngelur në mendje një fëmije.

Më kujton dhe gjyshen që kur ishim të vegjël na trembte kur bënim zhurmë duke na thënë “erdhi greku-erdhi greku”.