Në të kremten e Krishtlindjes, në Selinë e Sinodit të shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kishte vizitorë të shumtë. Ata donin të uronin për festën Kryepiskopin Anastas dhe gjithë besimtarët orthodhoksë, por kishin edhe një urim më të veçantë. Atë për marrjen e shtetësisë shqiptare nga Fortlumturia e Tij. E veçantë dhe shumë e ngrohtë ishte biseda gjatë vizitës së Presidentit Ilir Meta, i cili e uroi Kryepiskopin si qytetarin më të ri të vendit tonë.

Gjithashtu, për të uruar për Krishtlindjen erdhën edhe Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përfaqësuesi i Kryeministrit Rama, z. Thoma Frashëri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, deputetë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues diplomatikë, personalitete të njohura dhe besimtarë orthodhoksë.