Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht si fëmijë i pafajshëm, është dëshmia më madhore e dashurisë që tregon Perëndia për ne. Ndaj kjo e kremte e mbushur me dritë rrezëlluese është një nga të kremtet me të bukura të Kishës sonë, që mbledh në kisha besimtarët orthodhoksë, por edhe shumë dashamirës të besimeve të tjera. Liturgjia Hyjnore, në Tiranë, u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Asti dhe klerikë të kryeqytetit.

Në kishën e mbushur përplot, Episkopi Asti lexoi mesazhin e Krishtlindjeve të Kryepiskopit Anastas, që kishte si temë “Tjetërsimi dhe kuptimi esencial i Krishtlindjes”. Ndër të tjera, Fortlumturia e Tij theksoi se “E kremtja e Krishtlindjes, në shoqëritë tradicionalisht të krishtera, ruan diçka të veçantë. Ajo rrezaton dritë, paqe, dashuri dhe shpresë. Por, për shkak të mënyrës si kremtohet në vendet tona të shekullarizuara, shpeshherë kuptimi i Krishtlindjes tjetërsohet dhe humbet brenda zbukurimeve të shumta. Histeria e konsumizmit dhe indiferenca shpirtërore e rrudhin interesin fetar. Shfaqjet e luksit dhe të lavdidashjes e deformojnë bukurinë e thjeshtësisë dhe të pafajësisë. Nuk bëhet fjalë për fenomene të jashtme….”. Por “Kisha këmbëngul të zbulojë kuptimin esencial të së kremtes: “Perëndia është dashuri”. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë për ne: dërgoi Birin e Tij, të vetëmlindurin, në botë, që të rrojmë me anë të Atij, duke përjetuar të vërtetën, fuqinë dhe hirin e Tij. “Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16). Kjo e dallon në mënyrë specifike besimin e krishterë nga çdo ideologji dhe sistem tjetër fetar. Duke theksuar se Perëndia është dashuri, shpallet qartë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një energji personale e përmbiepërme, dituri, fuqi, që njeriu do të kishte mundësi t’i afrohej me anë të aftësive të tij intelektuale. Është Perëndi personal dhe e shfaq dashurinë e Tij me marrëdhënie konkrete me gjininë njerëzore…”

Pas mbylljes së Liturgjisë Hyjnore. Kryepiskopi Anastas i njoftoi të pranishmit për vendimin e Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë atij shtetësinë shqiptare. Ai e falënderoi Presidentin dhe kujtoi rrugën se si u arrit deri tek ky vendim i shumëpritur prej kohësh. Pastaj, Hirësi Asti lexoi para besimtarëve letrën e Presidentit Meta drejtuar me këtë rast Fortlumturisë së Tij, që u prit me duartrokitje. Zoti Meta, u shpreh në faqen e tij në internet se “Të dashur miq. Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos. Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë. Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!”