Pas 25 vitesh punë krijuese,  Kryepiskopit Anastas i jepet nënshtetësia shqiptare


Përmes një letre të përzemërt përgëzuese, Shkëlqesia e Tij, z. Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, më 24 dhjetor 2017 i komunikoi Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, z. Anastas, se i jep nënshtetësinë shqiptare me dekretin presidencial nr. 10700/22.12.2017. Letra ju dorëzua Kryepiskopit në Qendrën Sinodike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga Ambasadori z. Arben Cici, Drejtor Kabineti i Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në letrën e tij, zoti President i referohet kontributit të jashtëzakonshëm të Kryepiskopit, “i cili ka kontribuuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, në punën e tij “në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit”, për kontributin e tij në ruajtjen e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës së popullit shqiptar. Po ashtu, zoti President theksoi “Përkushtimi juaj shembullor shpirtëror dhe kontributi juaj gjatë këtyre viteve, është vlerësuar me të drejtë”  me shumë tituj nderimi.

Kryepiskopi shprehu gëzimin e tij dhe falënderoi me tërë shpirt për këtë vendim të Presidentit si dhe për letrën shoqëruese përkatëse, duke shënuar se që atëkohë kur u bë Kryepiskop i Shqipërisë ndjehet dhe përpiqet duke punuar si qytetar i përgjegjshëm i vendit. Natyrisht, ky vendim gëzon më së pari të gjithë orthodhoksët e Shqipërisë, sepse i përgjigjet dëshirës së tyre të gjallë dhe pritjes së drejtë e të gjatë. Në fund, Kryepiskopi tha se “koha u shton vlerë disa gjërave, si për shembull, verës. Sigurisht, përvoja 25 – vjeçare i jep këtij dekreti peshë dhe rëndësi të veçantë”.