ATËSIA SHPIRTËRORE

SHËNIME TË NJË ATI SHPIRTËROR ATHONIT

 

Lutja, përvojë e përjetësisë

Arkimandrit Sofroni

 

Krejt papritur dhe pa kuptuar, Providenca hyjnore më vendosi në rrethana që më lejuan të jem dëshmitar, për një kohë të gjatë, i jetës shpirtërore të shumë asketëve të Malit të Shenjtë. Shumë nga ata ishin të gatshëm të më zbulonin aspekte të jetës së tyre, të cilat nuk i kishin shfaqur tek të tjerë. Prekesha kur shikoja të zgjedhur të Perëndisë fshehur nën një paraqitje modeste. Nganjëherë, të mbrojtur nga Perëndia, vetë ata nuk e kuptonin sa shumë bekim mbanin brenda vetes. Para së gjithash, u ishte dhënë të vinin re pamjaftueshmëritë e tyre vetjake, në një pikë të atillë sa ngandonjëherë nuk guxonin të imagjinonin se Perëndia prehej tek ata dhe ata te Perëndia.

Disa kishin marrë hirin të sodisnin Dritën e pakrijuar, por nuk ishin bërë të vetëdijshëm për karakterin shpirtëror të kësaj ngjarjeje, sepse i njihnin pjesërisht veprat e Etërve ku përshkruhet kjo formë e hirit. Padituria e tyre i mbronte nga rënia e mundshme në kotësi. Sipas traditës së atësisë shpirtërore orthodhokse, nuk u shpjegoja se çfarë realisht u jepte Zoti. Për të ndihmuar një asket, duhet t’i flasësh në mënyrë të atillë, që zemra dhe mendja e tij të përulen, në rast të kundërt, ngjitja e mëtejshme do të ndërpritet. Më kujtohet ajo që starec Anatoli, i cili jetonte në Rusikonin e Vjetër, i kishte thënë Siluanit kur ishte ende rishtar: “Nëse je që tani kështu siç je, kush e di si do të jesh në pleqërinë tënde?” Me këto fjalë, për vite të tëra starec Anatoli e hodhi Siluanin në flakët e tundimeve, prej të cilave doli, me të vërtetë, fitimtar, por me një çmim jashtëzakonisht të lartë. Fuqia e vizionit të Perëndisë që iu dha triumfoi mbi dinamizmin e sulmeve të armikut; gjithashtu ai doli nga beteja e tij e jashtëzakonshme i pasuruar, ashtu si pak vetë gjatë historisë së Kishës. Ai na mësoi dallimin mes përulësisë asketike dhe “përulësisë së papërshkrueshme të Krishtit”. Por për Siluanin, risku i humbjes qe i madh, siç është dhe për çdo të krishterë dhe, në përgjithësi për çdo njeri. Krenaria përbën bërthamën e rënies shpirtërore; i bën njerëzit të ngjashëm me djaj. Perëndinë e karakterizon dashuria e përulur; flaka e kësaj dashurie u sjell shpengimin njerëzve të rënë për t’i futur në Mbretërinë e Atit qiellor.

Rrëfyesi duhet të ndiejë ritmin e botës së brendshme të të gjithë atyre që shkojnë tek ai. Për këtë qëllim, ai lutet që Shpirti Hyjnor ta udhëheqë e t’i japë fjalën e duhur për këdo.

Detyra si rrëfyes është e frikshme, dhe në të njëjtën kohë, tërheqëse. Është e dhimbshme, por frymëzuese. Rrëfyesi është “bashkëpunëtor i Perëndisë” (shih I Kor. 3.9). Ai është thirrur në formën më të lartë të krijimit, në një nder të pakrahasueshëm: në krijimin e perëndive në Dritën e pakrijuar. Në gjithçka, ai ndjek qartë shembullin e Krishtit (shih Jn. 13.15), i cili na dha edhe urdhërimin: “Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetiu, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri. Sepse Ati e do Birin, dhe i tregon gjithë ato që bën vetë; dhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju, sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që të dojë” (Jn. 5.19-21).

Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh fjalët e drejta, të duhura për t’i komunikuar gjendje shpirtërore atij që dëgjon. Është e domosdoshme që rrëfyesi të njohë, nga përvoja personale, sa të jetë e mundur gamën e gjendjeve shpirtërore që t’i lejohet t’u flasë të tjerëve. Në Letrën drejtuar bariut, shën Joani i Sinait (i Shkallës) lidhur me këtë thotë: “Timonier është ai që ka fituar, nga hiri i Perëndisë dhe me lodhjet e tij, një forcë shpirtërore, e cila e bën të aftë të shpëtojë anijen jo vetëm nga dallgët e papërmbajtura, por dhe nga vetë gremina. Mësues i vërtetë është ai që mban në vetvete librin shpirtëror të njohjes së shkruar me gishtin e Perëndisë, d.m.th. nga veprimi i ndriçimit që vjen prej Tij, dhe që nuk ka më nevojë për libra të tjerë. Është turp për mësuesit të mësojnë duke kopjuar të tjerët. Ti që mëson ata që janë më poshtë teje, mëso atë që vjen nga lart, duke qenë ti vetë i mësuar prej së larti. […] Pasi është e pamundur për ata që ndodhen të shtrirë përtokë të kujdesen ndonjëherë për të tjerët.4” Pikërisht mësime të tilla mora kur u angazhova në asketizmin e atësisë shpirtërore. Në thelbin e saj, kjo vepër synon lindjen e fjalës së Perëndisë në zemër në saje të lutjes. Kështu, kur dikush i tha shën Serafimit të Sarovit se ishte largpamës, ky iu përgjigj se nuk ishte aspak i tillë, por se lutej ndërsa fliste me dikë; kështu duhej konsideruar si “i dhënë nga Perëndia” mendimi i parë që i ngjitej në zemër përmes lutjes.

Detyra e rrëfyesit është vepër e frikshme. Në fakt, nëse njerëzit shkojnë te një prift me shpresën për ta dëgjuar të thotë qartë vullnetin e Perëndisë për ta, dhe ai, në vend të saj, u jep një këshillë që vjen nga arsyetimi i tij personal – i cili s’mund t’i pëlqejë Perëndisë – me këtë ai i çon në udhë të gabuar dhe u shkakton një lloj dëmi. Shën Serafimi i Sarovit thoshte se kur fliste duke ndjekur “mendjen e vet, lindnin gabime”. Një herë, gjatë një bisede për këtë çështje, i lumuri Siluan saktësoi që “gabimet” mund të ishin sa të lehta, aq edhe tepër të rënda, siç e kishte provuar ai vetë në fillim të jetës së tij murgërore.

Duke qenë i vetëdijshëm se isha larg përsosmërisë së duhur, i përgjërohesha Zotit gjatë, me dhimbje në zemër, që të mos më linte të gaboja, të më mbante në udhët e vullnetit të Tij, të më sugjeronte fjalë të vlefshme për vëllezërit e mi. Dhe në orën e bisedës, përpiqesha të mbaja “veshin” e mendjes sime në zemër, për të kapur mendimin e Perëndisë, shpesh edhe fjalët që duhet të thosha. Zbatimi i këtij parimi të shenjtë të traditës orthodhokse has në praktikë vështirësi të ndërlikuara. Aq më tepër kur janë të shkolluar, ata mbahen fort në një parim tjetër: në arsyen e tyre. Çdo fjalë e priftit për ta është thjesht fjala e një njeriu tjetër; si pasojë, ajo i nën- shtrohet gjykimit të tyre kritik. Të ndjekësh pa arsyetuar shpjegimin e një rrëfyesi do të ishte në sytë e tyre çmenduri. Atë që ati shpirtëror shikon dhe kupton, psikika nuk e pranon në asnjë mënyrë dhe e hedh poshtë, pasi jeton në një tjetër plan (shih I Kor. 2.10,14). Edhe unë vetë, kur takoj njerëz që udhëhiqen nga nxitjet e tyre vetjake dhe hedhin poshtë këshillën që prifti ka marrë nga lutja, refuzoj t’i kërkoj Perëndisë t’iu zbulojë vullnetin e Tij të shenjtë dhe të tërëpërsosur. Në këtë mënyrë, përpiqem të mos i vendos në konflikt me Perëndinë, por mjaftohem duke iu shpjeguar opinionin tim personal, edhe pse iu referohem veprave të Etërve ose Shkrimit të Shenjtë. I ruaj kështu që të mos hyjnë në luftë me Perëndinë dhe u jap në një farë mënyre të drejtën të refuzojnë – pa kryer mëkat – këshillën time, sikur të ishte e një njeriu tjetër. Por, me siguri, kjo është shumë larg nga sa kërkojmë në misteret e Kishës.

Në epokën tonë të braktisjes masive të krishterimit, shërbimi priftëror bëhet gjithnjë e më i vështirë. Në përpjekjet e tij për t’i nxjerrë njerëzit nga ferri që kanë krijuar për shkak të pasioneve të tyre kontradiktore, prifti takon vazhdimisht vdekjen që i ka goditur. Dhe vetë perceptimi i kohës merr një karakter të çuditshëm: herë-herë tendoset mërzitshëm, herë-herë zhduket, sikur të mos ekzistonte, sepse jetës i mungon kuptimi.

Është e pamundur t’i kuptosh njerëzit! Ose janë të verbër dhe “nuk dinë ç’bëjnë” (Lluk. 23.34), ose vuajnë nga daltonizmi shpirtëror dhe intelektual. Shumë shpesh, ata i shikojnë gjërat nën një dritë diametralisht të kundërt, si mbi negativin e një fotografie. Ndaj dhe bëhet e pamundur të njohësh realitetin objektiv të jetës. Në këto kushte, nuk ka më vend për asnjë fjalë, për asnjë këshillë. Shfaqjet e një dashurie të shenjtë priten prej tyre me armiqësi. Përulësia e duruar u duket si hipokrizi. Gatishmëria për të shërbyer është në sytë e tyre tregues interesash meskinë. Ajo që është karakteristike në gjithë këtë, është se fryma e krishterë e moskundërshtimit ndaj së keqes i bën së tepërmi arrogantë. Ata i fyejnë rëndë dhe pa shkak priftërinjtë. U atribuojnë qëllime, për të cilat këta të fundit absolutisht as nuk i kanë menduar. I poshtërojnë pa mëshirë dhe i akuzojnë për krenari. Me sjelljen e tyre, e vështirësojnë praninë e priftit dhe njëkohësisht, e akuzojnë nëse ai i eviton kontaktet në rrethana të kësaj natyre, e kështu me radhë dhe vazhdimisht pa mbarim.

E bekoj Perëndinë që na ka zbuluar misterin e këtij fenomeni. Zoti na ka mësuar me fjalën dhe shembullin e Tij. Nëse s’do ishte kështu, do qe e pamundur të mos biesh në dëshpërim të plotë. Një prift që u shërbente me zell disa njerëzve të varfër, të cilëve u ishin mohuar të drejtat dhe që kishin shpëtuar nga shumë katastrofa të brendshme e të jashtme, më shkroi një ditë: “Kam arritur deri aty sa ta kem frikë dashurinë.” Më vonë, i kuptova fjalët e tij kështu: Ata që kishin marrë ndihmën e tij ishin lidhur me të, dhe që në fillim e kishin ndihmuar gjatë shërbimit të tij; por më pas, duke përfituar nga besimi i tij dhe duke u bërë të domosdoshëm, ata e shkelën me këmbë lirinë e tij, duke i nxjerrë kudo vështirësi nëse ai iu përkushtohej njerëzve të tjerë, që vinin për herë të parë tek ai. Kur mora letrën e tij, nuk e kisha kuptuar domethënien e tmerrshme të atyre fjalëve. Kjo m’u zbulua gjatë viteve të shërbimit tim si prift në Evropë. Më shumë se një herë më janë kujtuar dhe ende i ruaj në kujtesë këto fjalë paradoksle: “Kam arritur deri aty sa ta kem frikë dashurinë.”

Por ndërkohë, shfaqet edhe një tjetër aspekt i baritimit tonë. Njerëzit sillen me priftërinjtë si me Perëndinë: i hedhin poshtë me një lehtësi të pabesueshme, si diçka të panevojshme, megjithatë të bindur se kur të kenë nevojë për Të dhe do ta kërkojnë, dhe Ai nuk do refuzojë të vijë. “Atë, fali, se nuk ditë ç’bëjnë” (shih Lluk. 23.34).

Kur u ktheva në Francë, vija nga Greqia, takova tipa njerëzish me të cilët i kisha humbur kontaktet gjatë njëzet e dy viteve që kalova në Malin e Shenjtë, veçanërisht, gjatë viteve të fundit, kur isha rrëfyes për disa qindra murgj, të cilët paraqisnin të gjitha format e jetës asketike në Athos. Nuk e fsheh: isha absolutisht “i çorientuar”. Psikologjia e murgjve athonitë, durimi dhe qëndresa e tyre tejkalonte gjithçka që takova në Evropë, në një pikë të tillë, sa nuk gjeja thjesht as fjalët, as format e jashtme të komunikimit. Ajo që murgjit pranojnë me mirënjohje, i dërrmonte njerëzit në Evropë. Shumë u larguan nga unë, duke më konsideruar anormal e të ashpër deri në atë pikë sa të deformohej fryma e dashurisë ungjillore. Sa për veten, arrita në konkluzionin se “normat” e murgjve asketë dhe ato të njerëzve të brumosur nga kultura perëndimore ishin thellësisht të ndryshme. Pa asnjë dyshim, Krishti ishte totalisht “anormal” për njerëzit e epokës së “Inkuizitorit të Madh” dhe Ai do të jetë kështu edhe për bashkëkohësit tanë. Kush mund ta dëgjojë Krishtin dhe për më tepër, ta ndjekë Atë? Atë që murgjit e fitojnë pas dekada lotësh, njerëzit e kohës sonë mendojnë ta marrin në një interval të shkurtër kohe, ngandonjëherë edhe pas disa orësh bashkëbisedimi të këndshëm “teologjik”. Fjalët e Krishtit – çdonjëra nga fjalët e Tij – kanë ardhur që lartazi në këtë botë; ato i përkasin një tjetër sfere të qenies dhe nuk mund të asimilohen veçse përmes lutjes së gjatë, me shumë lot. Po nuk u plotësua ky kusht, do të mbeten përherë të pakuptueshme për njeriun, sado “i shkolluar” të jetë, edhe në planin teologjik. Dikush më tha njëherë: “Kur jetojmë nën barrën e asaj që s’kuptojmë, na merret fryma.” Po, të gjithë jemi pa përjashtim të shtypur kur përpiqemi me gjithë forcat tona të kuptojmë fjalën e Krishtit. Zoti tha: “Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur do të copëtohet; dhe mbi atë që të bjerë do ta dërrmojë” (Matth. 21.44). Duke takuar këtë veçanti të fjalës së Krishtit, kuptojmë pak nga pak se si na zbulohen para syve sferat e përjetshme të Shpirtit pa fillim. Që atëherë, gjithçka që e kundërshton tek ne fjalën e Krishtit e jetojmë si prani të vdekjes. Kështu, mbetemi në një gjendje të thellë dikotomie: nga njëra anë, mirënjohja jonë e dërrmon zemrën me një dhimbje delikate; nga ana tjetër, ndiejmë një turp të padurueshëm për veten, na kap frika kur shikojmë largësinë që na ndan nga qëllimi.

Për secilin nga ne, si për çdo të krishterë, është e domosdoshme të kemi zell të vazhdueshëm për Dritën e Krishtit dhe të jemi të vendosur për të duruar tërë pasojat e këtij vrulli brenda kufijve të jetës tokësore. Atëherë, do të arrijmë vetëm të kuptojmë fjalën ungjillore, por s’do mundemi as të vërejmë, as të përshkruajmë se si vjen kjo (shih Lluk. 17.20), sepse bëhet fjalë realisht për praninë e Perëndisë mes nesh.

Në çdo fushë të kulturës njerëzore, është e mundur të vëzhgojmë “progrese”, përveçse në jetën tonë. Shpesh Shpirti i Shenjtë largohet nga ne pas një lëvizjeje të caktuar të zemrës ose të mendimit tonë. Por braktisja mund të ndodhë gjithashtu edhe kur dukemi të qetë e të kënaqur me atë që tashmë kemi marrë apo fituar. Shpirti tërhiqet për të na treguar se sa larg jemi ende nga ajo që duhet të jemi.

Nuk është aspak e thjeshtë për një murg të marrë përsipër barrën e atit shpirtëror. Nga njëra anë, personalisht për të është e nevojshme që njerëzit të kenë një opinion jashtëzakonisht negativ, sepse kritikat e ndihmojnë dhe e përulin. Prej zemrës në dhimbje ngrihet një lutje më e thellë drejt Perëndisë. Kur vetë murgu jeton në vuajtje të ngjashme me atë të shumicës së njerëzve mbi tokë, lutet më lehtë te Perëndia për shpëtimin e mbarë botës. Nga ana tjetër, duke shërbyer si atë shpirtëror, çdo fjalë e keqe në lidhje me të do ta bëjë të mos ketë besim te njerëzit që kanë nevojë për mësimet, ngushëllimet dhe mbështetjen e tij. Murgu hidhërohet dy herë: fillimisht për veten, si të ishte i padenjë për thirrjen e tij; më pas, për arsye të dëmit shkaktuar gjithë Kishës, për gjithë njerëzimin, kur autoriteti i priftit cenohet. Mosbindja ndaj fjalëve të etërve shpirtërorë është e barasvlershme me hedhjen poshtë të fjalës së Krishtit që tha: “Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që nuk ju zë për gjë ju, nuk më zë për gjë mua” (Lluk. 10.16).

Është thelbësore që priftërinjtë dhe episkopët të kenë një respekt të sinqertë dhe një vlerësim autentik reciprok, që t’u japin fund akuzimeve të ndërsjella mes tyre, luftërave për pushtet, xhelozisë ndaj atyre që janë më superiorë për dhuntitë që kanë. Edhe nëse ky apo ai shërbëtor i Kishës ka disa mangësi – kush është i përkryer mes njerëzve? – duhet t’i frymëzojë besimtarët të kenë besim te priftërinjtë, tek të cilët mund të shkojnë me lehtësi për arsye gjeografike ose për motive të tjera. Mirëbesimi i besimtarëve do të jetë për priftërinjtë burim frymëzimi për të thënë një fjalë të vërtetë. Sipas fjalëve të Zotit, e dimë se “kleri i Moisiut” përbëhej nga njerëz të padenjë. Sidoqoftë, Krishti e porositi popullin të dëgjonte barinjtë e tij, të zbatonte ato që ata do të urdhëronin pa imituar mënyrën e tyre të të jetuarit apo veprat e tyre (shih Matth. 23.1-3).

Starec Siluani nuk kishte pasur një rrëfyes të caktuar gjatë gjithë jetës së tij murgërore. Shkonte tek ai që ishte më afër ose më i lirë për ta pranuar. Lutej paraprakisht që Zoti të ishte mirëdashës dhe t’i jepte, me ndërmjetimin e rrëfyesit, faljen e mëkateve të tij dhe shërimin e shpirtit.

Kur ndodhesha para të sëmurëve, vëmendja ime në fillim ishte drejtuar te gjendja e tyre shpirtërore: A e njohin Perëndinë dhe a shpresojnë tek Ai? Vuajtjet, dhimbjet dhe madje katastrofat e jetës kalonin në plan të dytë. Sado i parëndësishëm të dukej shkaku i tyre, nuk duhen nënvlerësuar vuajtjet e një njeriu. Shpesh, madje shumë shpesh, burimi i pikëllimeve qëndron në vazhdimësinë e pashuar të pasioneve mëkatare. Edhe në raste të tilla, rrëfyesi mendon vetëm për një gjë: si mund ta shëroj këtë njeri? Te njerëzit e dërrmuar nga varfëria dhe nga puna e mundimshme, motivi më i vogël mjafton për të provokuar një dhimbje të madhe; lutja e rrëfyesit vërtitet rreth rrënjës së vuajtjes. Vuajtja për çdo pikëllim njerëzor nxit natyrshëm lutjen në shpirtin e atit shpirtëror. Karakteristika e një shërbëtori të Krishtit është të dallojë gabimin fillestar, i cili është pikënisja e të gjitha fatkeqësive dhe tragjedive të universit. Mundimet e tërë botës mblidhen në zemrën e tij dhe, me lot të hidhur, ai lutet për të gjithë dhe për gjithçka.

Kontaktet e mia me murgjit e sëmurë në Malin e Shenjtë ishin shumë më të thjeshta se me të sëmurët që jetojnë në botë dhe me ata që do të takoja pas mbërritjes sime në Evropë. Përbrenda murgjit ishin të kthyer drejt Perëndisë; gjithçka ishte e zhvendosur në planin shpirtëror. Përkundrazi, në Evropë, tensionet psikike dominojnë, dhe kjo gjë që e detyron rrëfyesin të shfaqë interes edhe në këtë plan, me qëllim që të ndihmojë njerëzit. Duke qëndruar te koka e krevatit të këtyre të sëmurëve, më ka ndodhur që të hyja në vuajtjet e tyre – nga ana psikike, shpirtërisht madje edhe trupërisht – aq sa edhe trupi im lutej për ta. Kishte raste, dhe këto ishin të vërtet të rralla, ku Perëndia i priti lutjet e mia dhe ma dëgjoi kërkesën. Nuk e kuptoja qartë se përse ndonjëherë, atëherë kur lutja ime kishte qenë më pak intensive, sëmundja mpakej, ndërsa herë të tjera gjendja e të sëmurit nuk përmirë- sohej dukshëm edhe pse përgjërohesha me zjarr.

Kam vënë re se, në çastin kur lutemi për dikë, hidhërimi i zemrës ia lë vendin qetësisë dhe gëzimit. Kjo është gjithmonë një shenjë e sigurt se lutja u dëgjua dhe se shërimi iu dha atij njeriu.

Nuk e kam kërkuar dhuratën e shërimit të sëmundjeve të trupit. Duke u lutur për të sëmurët, gjithçka e kam vendosur përherë te vullneti i Perëndisë, I Cili e di se për çfarë ka nevojë secili për shpëtimin e vet. Nuk jam aspak i bindur se ky qëndrim – mungesa e një vullneti me ndikim personal – shpjegon mungesën e fryteve të shumë lutjeve të mia. Kurrsesi nuk doja të bëhesha “çudibërës”: ky mendim pothuajse më tmerronte. Kësisoj, le të themi se në kundërshtim me të, se kur lutja ime s’kishte rezultat dhe besimtari ishte trishtuar, mendoja se priftërinjtë kanë nevojë që Perëndia të dëshmojë se Ai i dëgjon lutjet edhe i plotëson kërkesat e tyre. Në qoftë se ata që kanë kërkuar ndihmë me ndërmjetimin e një prifti, e marrin atë dhe realisht më shumë, kjo do të përforconte te shumë veta besimin e tyre te Kisha. Po, Zoti vetë e luti Atin: “Atë, […] lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir” (Jn. 17.1).

Më shpesh, kur lutemi për të gjallët zemra ndien transformimin e hidhërimit në gëzim. Por diçka e ngjashme ndodh gjithashtu edhe kur lutemi për të fjeturit, madje dhe për ata që kanë ndërruar jetë në një epokë të largët. Ngjarje e mrekullueshme është të takosh në frymë dhe në një mënyrë të gjallë njerëzit e fjetur prej kohësh, të cilët më parë ishin të panjohur për ne. Një komunikim i tillë me botën e përtejme del veçanërisht gjatë lutjes drejtuar shenjtorëve. Kur lutemi për të fjeturit, të njohur ose të panjohur, ndodh gjithashtu – natyrisht rrallë – që zemra të marrë informacion mbi gjendjen e tyre, të mirë apo të keqe. Një bashkim i vërtetë në Shpirtin e Shenjtë me shpirtrat e njerëzve të vdekur para pak kohësh ose para shumë shekujsh, dëshmojnë përjetësinë e tyre personale te Perëndia ynë. Takimi i dashurisë sonë me dashurinë e atyre që janë në mendjen tonë në çastin e lutjes “na komunikon një dhunti shpirtërore për të na forcuar” (shih Rom. 1.11-12).

Njerëzit deshën errësirat ku rri vdekja, dhe e hodhën poshtë Dritën që është jetë e përkohshme dhe e përjetshme. Nëse rrëfyesi e do popullin e Perëndisë, shpirti i mbushet me dhimbje të thellë kur gjendet në pamundësinë për t’i komunikuar atij Dritën që është jetë. Tashmë jam ndalur më shumë se një herë në këtë aspekt të çuditshëm të shërbimit shpirtëror; është e natyrshme, pasi, në jetën praktike, ky aspekt e shoqëron rrëfyesin në çdo ditë të betejës së tij shpirtërore: “Vdekja vepron mbi ne, dhe jeta mbi ju”, shkruan apostull Pavli në Letrën e Dytë drejtuar Korinthianëve (4.12). Të shumtë janë ata që urrejnë shërbëtorët e Krishtit, sepse këta mbajnë dritën e jetës, por para nesh, ata kanë urryer vetë Zotin: “Nëse ju urren bota, dijeni se mua më ka urryer më përpara se ju. […] Mbani mend fjalën që ju thashë unë juve, nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti. Nëse më ndoqën mua, do t’ju ndjekin edhe ju; nëse ruajtën fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën” (Jn. 15.18,20).

Kur rrëfyesi takon njerëz, të cilët i bëjnë të ditur vizionet e tyre, ai kujdeset mbi të gjitha të dallojë saktësisht origjinën e tyre: janë dhënë nga lart apo janë fryt i imagjinatës së shfrenuar, apo mos ndoshta janë pasojë e ndikimit të frymëve armike? Kjo punë ndonjëherë është e vështirë dhe me përgjegjësi tejet të madhe. Në qoftë se atë që u dha nga Perëndia ia ngjisim një fuqie kundërshtare, rrezikojmë të biem në blasfemi kundër Shpirtit të Shenjtë (shih Matth. 12.28,32). Në të kundërt, nëse një influencë demoniake e marrim për hyjnore, e shtyjmë pendimtarin që ka besim te ne, të nderojë demonët. Si rrjedhim, çdo rrëfyes pa përjashtim, është e domosdoshme të lutet me zjarr dhe vazhdimisht, në përgjithësi dhe në çdo rast të veçantë, që Zoti vetë ta ruajë nga gabimet në gjykimet e tij.

Kur situata nuk është e qartë, rrëfyesi mund t’i drejtohet një procesi psikologjik: t’i propozojë pendestarit të jetë dyshues ndaj fenomeneve të pazakonta të të gjitha llojeve. Nëse vizioni vjen realisht nga Perëndia, përulësia do të dominojë në shpirtin e të penduarit dhe do të pranojë qetësisht këshillën për të qenë i kthjellët dhe vigjilent. Në rast të kundërt, mund të ndodhë që i penduari të reagojë negativisht dhe të përpiqet të vërtetojë që vizioni vinte nga Perëndia. Atëherë, ka ndonjë arsye për të dyshuar. Sigurisht, kjo metodë nuk është asgjë më tepër se një qetësues, dhe s’duhet ta përdorim pa menduar. Përvoja ka treguar se kur dikush tundon vëllain e tij, e shtyn atë vetë të pezmatohet dhe të hidhërohet.

Të njëjtat urdhërime na u dhanë të gjithëve. Si rrjedhim, në sytë e Perëndisë të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ngjitja në shkallët e fundit, deri në “plotësinë e shtatit të Krishtit”, nuk është mbyllur për asnjë. Në shekullin e ardhshëm, hierarkia tokësore, si sociale dhe kishtare, në shumë raste mund të shfaqet si e përmbysur: “Po Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; dhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët; edhe Perëndia zgjodhi të ulëtat e botës dhe të përbuzurat […] që të prishë ato që janë” (shih I Kor. 1.26-28; 15.24-29). Starecët shpirtërorë mund të mos jenë medoemos priftërinj ose murgj. Këtë gjë e tregon historia e Kishës Ruse e shekujve XVIII dhe XIX, kur shumë atletë të shpresëtarisë, mbajtës të një hiri të madh, nuk u futën në radhët e priftërisë dhe të murgërisë, që të ishin të lirë për të bërë jetën e tyre asketike nën kontrollin e organeve zyrtarisht të krijuara. Ky fenomen keqardhës, i dëmshëm për tërë jetën e Kishës, nuk ishte gjithmonë i përcaktuar nga dispozitat anarkike kundër vetë parimit të institucionit kishtar. Duke lexuar veprat e shkruara për këta heronj të shpirtit, është e lehtë të shikosh se shumë mes tyre ishin njerëz që e kishin frikë Perëndinë, që kishin spiritualitet vërtet të lartë dhe u ishin dhuruar në mënyrë të dukshme bekime e dhunti që lartazi. Jeta e tyre nuk gjeti dashamirësi as pranë hierarkisë kishtare, as pranë pushteteve civile e admi- nistratave qeverisëse. Largimi i disave nga priftëria dhe murgëria shpjegohet gjithashtu dhe me faktin se, kur një shërbëtor i Krishtit vishte rrobën murgërore, secili e konsideronte veten se kishte të drejtë ta gjykonte. Në shumicën e rasteve ky gjykim ishte i padrejtë, dashakeq, shpifës. Shumë shpesh, ata më të talentuarit pësonin edhe persekutime brutale, sepse jeta e tyre nuk kuptohej nga drejtuesit. Historia e Kishës sonë është plot me raste të ngjashme dhe nuk është e nevojshme të përmendim emrat e tyre.

Një nga karakteristikat e njeriut që lutet shumë dhe me zjarr, është kalimi i shpeshtë nga një gjendje në një tjetër: nga një vuajtje e dhimbshme në gëzim të thellë, nga dëshpërimi në soditje dhe në një shpresë plot frymëzim, nga vajtime të gjata në paqe të ëmbël e kështu me radhë. Falë lutjeve të shumta e të gjata, vetëpërmbajtjes strikte në gjithçka, perceptimet rafinohen. Shpirti bëhet i ngjashëm me një aparat akustik tepër të ndjeshëm, i cili reagon fort ndaj tingujve që mezi perceptohen, madje dhe ndaj lëvizjeve shumë të lehta të ajrit. Kur shpirti ka jetuar me qindra herë – dhe mos më shumë – si ngjitje dhe rënie, ai i përvetëson në një pikë të tillë këto sa, në një farë mënyre, mban pa pushim brenda vetes Mbretërinë dhe Ferrin. Kjo ndoshta për shumë veta do të duket paradoksale, por realisht është shenjë që dashuria rritet te ne, që i afrohemi ngjashmërisë së Krishtit. Ja se ç’thotë apostull Pavli për veten e tij: “Kush është i dobët dhe unë s’digjem?” (II Kor. 11.29). Dhe te Romakët porosit: “Gë- zohuni me ata që gëzohen dhe qani me ata që qajnë” (Rom. 12.15).

Në përputhje me parimin baritor të Etërve, asnjë atë shpirtëror nuk duhet t’u urdhërojë besnikëve të tij veprime që ai vetë nuk i ka bërë. Nuk mendoj se apostull Pavli ishte, në lidhje me këtë, më pak i ashpër se Etërit. Pranimi i njerëzve që kalojnë sprova të mundimshme nuk mund të rregullohet ose organizohet arbitrarisht; s’mund të caktojmë disa orë për pritjen e të pikëlluarve, dhe të tjera për ata që janë të gëzuar. Duhet që çdo barí të jetë kurdoherë në gjendje të qajë me ata që qajnë dhe të gëzohet me ata që gëzohen, i trishtuar me ata që dëshpërohen dhe t’i ngushëllojë në besim të tunduarit. Por edhe këtu, ashtu si në gjithë jetën tonë, Zoti është shembulli ynë i parë. Sipas tregimit ungjillor shikojmë, veçanërisht gjatë ditëve dhe orëve të Tij të fundit, se si Zoti jetonte njëkohësisht plotësinë – e paarritshme për ne – edhe të vuajtjes, edhe të triumfit të fitores. Ai jetonte në të njëjtën kohë vdekjen dhe lavdinë hyjnore: “E dini se pas dy ditësh është pashka dhe Biri i njeriut dorëzohet për t’u kryqëzuar” (Matth. 26.2). “Nuk kam për të pirë që tani e tutje nga kjo pemë, që pjell hardhia, deri në atë ditë kur ta pi të re në Mbretërinë e Atit tim” (Matth. 26.29). “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?” (Matth. 27.46). “Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në Parajsë” (Lluk. 23.43). “[…] dhe djersa e atij u bë si të ngrira pikash gjaku duke rënë mbi dhé” (Lluk. 22.44). “O Atë, ndjeji ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë” (Lluk. 23.34). “Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje” (Matth. 26.38). “Ti je Krishti, Biri i të Bekuarit? – Edhe Jisui tha: Unë jam; dhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë dhe duke ardhur bashkë me retë e qiellit” (Mark. 14.61-62). Nëse e ruajmë vërtet fjalën e Krishtit, çdo gjë që Ai jetoi përsëritet gjithashtu në jetën tonë, edhe pse në një masë më të kufizuar. E pamasë është thellësia e vuajtjeve të Krishtit! Duke depërtuar në to, mundemi të njohim lartësinë e planit të Perëndisë për ne dhe të arrijmë në përsosjen e dashurisë. Pas vdekjes sonë, vuajtjet do të pushojnë së qeni shkatërrimtare për ne, sikundër është rasti për “përbërjen” tonë për sa kohë që jemi mbi tokë; tani e tutje ato s’do të shkaktojnë më dëm në jetën e re që do të na jepet me tepri dhe për trashëgim të paprishshëm. Shpirti i njeriut do të ruajë aftësinë për të vuajtur me të gjithë ata që janë privuar nga lavdia hyjnore – të vuajë vërtet bashkë me ta – por kjo do jetë një nga shfaqjet e shumta të dashurisë universale; në fakt, vdekja s’ka më pushtet mbi ata që shpëtuan më Krishtin. Këtu mbi tokë, vuajtjet shpirtërore na çojnë ndonjëherë në pragun e vdekjes; por shpesh, si përgjigje e lutjes sonë, fuqia e hirit zbret mbi ne dhe restauron atë që u shkatërrua, ndonjëherë na shton edhe energjinë vitale. Po të ishim të aftë, qoftë kjo edhe në një masë të vakët, të depërtonim në dhimbjen e madhe të Nënës së Perëndisë në këmbët e Kryqit, do të ishte e qartë për ne se pa një ndihmë prej së larti, nuk do të mundnim në trupin tonë tokësor të duronim një vuajtje të tillë. Por dashuria e Shpirtit të Shenjtë që prehej mbi të që nga dita e Ungjillëzimit, triumfoi mbi dhimbjen e vdekshme; ajo jetoi dhe pa Birin e saj të ngjallur të ngrihej në qiell për të dërguar nga Ati Shpirtin e Shenjtë mbi Kishën që lindi në gjakun e Tij.

Ata që u familjarizuan me historinë e Kishës së Krishtit e dinë se sa përpjekje u nevojitën përgjatë shekujve për të gjetur formulimet e ndërgjegjes së saj dogmatike – qoftë për Perëndinë ose për vetë Kishën – formulime që do ta mbronin nga devijime të ndryshme, që dëmtonin jetën shpirtërore, si të gjymtyrëve të saj të marra veçmas, ashtu dhe të qenies së saj në tërësi. Duke u bazuar në përvojën shumëshekullore, kemi bindjen e thellë se çdo gjymtyrë e Kishës – cilido qoftë, pavarësisht nga origjina e tij sociale ose nga rangu hierarkik – ka mundësi të hyjë në shkallët më të përsosura të njohjes së Perëndisë, që është e mundur mbi dhé e në qiell. Si provë e kësaj, ndër figurat më të afërta në kohë për ne, janë shembujt e shën Serafimit të Sarovit ose të shën Siluanit, të mitropolitit Fillaret të Moskës ose të Joanit të Kronshtadit; mund të shkojmë edhe në fillimet e Kishës, tek apostujt, që ishin peshkatarë të varfër, por kjo mjafton. Nëse do ishin ndryshe, do duhej që këto ngjitje në sferat hyjnore të vareshin nga formimi shkollor njerëzor. Zoti e tregoi vetë që Perëndia Atë është më afër “të vegjëlve” dhe të varfërve: “Edhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim, duke thënë: Zot, edhe djajtë na dëgjojnë në emrin tënd. Edhe ai u tha atyre: Vështroja satanain duke rënë nga qielli si vetëtimë. Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’ka për t’ju bërë keq juve. Po mos u gëzoni për këtë, se ju dëgjojnë ju frymët e ndyra; por gëzohuni më tepër se emrat tuaj u shkruan në qiejt. Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, dhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, se kështu u pëlqye përpara teje. Të gjitha m’u dhanë në dorë prej Atit tim; dhe asnjë nuk di cili është Biri, veç Atit; dhe cili është Ati, veç Birit, dhe ai, të cilit të dojë Biri t’ia zbulojë” (Lluk. 10.17-22). “Edhe judenjtë çuditeshin, duke thënë: Si di ky dituri pa mësuar? Jisui iu përgjigj atyre, e tha: Mësimi im nuk është imi, po i atij që më ka dërguar” (Jn. 7.15-17).

Shkenca njerëzore siguron instrumente për të formuluar eksperiencën, por, pa bashkëveprimin e hirit, nuk mundet nga vetja të komunikojë njohjen që vërtet shpëton. Njohja e Perëndisë është njohje ontologjike; nuk është abstrakte, intelektuale. Me mijëra e mijëra teologë të specializuar marrin diplomat më të larta, por realisht mbeten thellësisht të paditur në fushën e Shpirtit. Dhe kjo, sepse nuk jetojnë sipas urdhërimeve të Krishtit; prandaj dhe janë të privuar nga drita e njohjes së Perëndisë.

Perëndia është dashuri. Kjo dashuri përftohet përmes një pendimi që dërrmon kockat, dhe nga frika e Perëndisë: “Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin dhe pastaj s’kanë se ç’të bëjnë gjë më tepër. […] Të keni frikë prej atij, i cili pasi të vrasë, ka pushtet të hedhë në gjehenë. Me të vërtetë po ju them juve, prej këtij të keni frikë” (Lluk. 12.4-5). Sipas pohimit të Etërve të Kishës sonë, nëse nuk kalojmë nga furra e ndezur e frikës së Perëndisë, dashuria hyjnore nuk do të zërë vend në shpirtin tonë. Kjo dashuri përqafon tërë krijesën; të bashkon me Mësuesin e tërëfuqishëm, me Perëndinë e dashurisë; ajo është dritë, xhevahir pafundësisht i çmuar. Është e tmerrshme për shpirtin ta humbasë këtë perlë. Natyra e frikës së Perëndisë është e papërshkrueshme, siç është dhe për çdo gjë tjetër në Perëndinë tonë. Deri diku, gjendjen e njeriut mund ta paraqesim si një “nyje”: besimi në Krishtin është fillimi i dashurisë, por është ende një dritë agimi. Ky besim ngjall brenda nesh një pendim të thellë dhe një lloj frike se mos e humbasim thesarin e gjetur, d.m.th. Perëndinë. Me lotët e pendimit në lutje, qenia jonë pastrohet dhe atëherë lind shpresa. Shpresa, si një nga shkallët e mëdha të dashurisë për Perëndinë, na shton frikën e padenjësisë sonë për të banuar përjetësisht me Të. Sa herë që fryma jonë ngjitet drejt një dashurie më të madhe, padyshim që ndiejmë më shumë frikë. Por kur dashuria e pakufishme e Krishtit na prek zemrën dhe mendjen, në flakën e kësaj dashurie të shenjtë, shpirti ynë përqafon tërë krijesën me dhembshuri të madhe, dhe ndjenja për të kaluar në përjetësinë hyjnore fiton një forcë të pathyeshme. Kjo ngjarje është më madhështorja nga gjithë ngjarjet e tjera të historisë së botës së rënë: Perëndia bashkohet me njeriun dhe bëhet një me të.

Ju kërkoj ndjesë! Nuk jam i aftë të shpreh me fjalë “jetën me bollëk” (shih Jn. 10.10) që na u dha në Krishtin. Nuk e di se si mund ta përshkruaj, me gjithë paradokset e saj, ndërthurjen e mrekullueshme të kësaj jete që mbush zemrën.

E urrej veten kështu si jam. Kjo lutje që buron nga kjo urrejtje, le të themi, bëhet e marrë; duke konsumuar gjithçka, ajo më shkul nga çdo gjë e krijuar dhe e zhvendos shpirtin tim në një pafundësi të ndritshme, në një humnerë të papërshkrueshme. Atje harroj hidhërimin e kësaj urrejtjeje mbërthyese të vetvetes; gjithçka shndërrohet në dashuri për Perëndinë në një zbrazje të plotë të vetvetes. Sa gërshetim i çuditshëm i urrejtjes për veten me dashurinë e Perëndisë! E njëjta gjë ndodh edhe me frikën: më pushton deri sa më provokon një dhimbje të madhe, por dashuria e shëron këtë dhimbje, dhe nuk më vjen më ndër mend frika. Sidoqoftë, kur shpirti im kthehet nga ky banket i dashurisë hyjnore në Krishtin, frika se mos ndahet nga kjo Dritë, nga kjo Jetë, shfaqet sërish: mos ndoshta do të ndodhë përgjithmonë?

Njeriu vetë nuk dëshiron të rikthehet në këtë botë, por dashuria për Perëndinë, për Krishtin, është e pandarë nga dashuria për njeriun, për të afërmin tonë. Të mbetesh dhe të veprosh në kushtet e jetës së zakonshme mbi tokë është e mundur vetëm kur hiri pakëson intensitetin e tij. Kur gjendesh në një tension ekstrem të lutjes, në ç’mënyrë dhe për çfarë do t’u flasësh njerëzve që vuajnë për bukën e gojës dhe për një strehë, atyre që preokupohen për familjet, për jetën e tyre martesore, atyre që kanë një mossukses në punë, atyre që shqetësohen për gjendjen e tyre shëndetësore ose për sëmundjen e të afërmve të vet, etj.? S’mund ta ndihmosh dikë kur ti përbuz nevojat e tij elementare. Në shërbimin e krishterë, keqardhja nga dashuria ushtron presion te ne. Duhet ose t’i bëjmë tonat vështirësitë dhe vuajtjen e atyre që vijnë te ne, ose në të kundërt, të depërtojmë në zemrën e tyre, në mundimet e tyre dhe të bëhemi një me ta. Kjo mund të rrezikojë një konflikt me ta, të ndotemi nga fryma e tyre grindëse, të acarohemi për shkak të kontradiktave dhe mosbindjes së tyre, ndonjëherë edhe për shkak të armiqësisë së tyre ndaj nesh. U shërben, u transmeton trashëgiminë e shenjtë të përftuar nga dekada lotësh, prapëseprapë s’janë të kënaqur me ty. A duhet t’i braktisësh? Apo duhet të vdesësh për ta siç vdiqën tërë apostujt dhe barinjtë që i pasuan ata?

“Në mundim e në vuajtje, shpesh pa gjumë, në uri e në etje, shpesh në agjërime, në të ftohtë e lakuriq […] puna ime e përditshme, kujdesi i Kishave! Kush është i dobët e unë s’digjem?” (II Kor. 11.27-29). Shën Pavli vazhdon: “Si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, qoftë me anë jete, qoftë me anë vdekjeje. Sepse për mua jeta është Krishti dhe vdekja fitim. Por në qoftë se të jetuarit në trupin tim është që të sjellë fryt puna ime, atëherë nuk di ç’të zgjedh. Dhe shtrëngohem nga të dyja, duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin; sepse kështu është shumë më mirë; po nga ana tjetër qëndrimi im në trup është më i nevojshëm për ju. Edhe këtë me siguri e di se do të mbetem dhe do të qëndroj bashkë me të gjithë ju, për mbarësinë tuaj në besim e për gëzimin tuaj” (Fil. 1.20-25).

Të njëjtin pikëllim jeton ai që është angazhuar në shërbimin baritor. Nga njëra anë, ka një vetëdije të gjallë që njeriu nuk nxjerr ndonjë përfitim të fitojë botën e tërë dhe të humbasë jetën (shih Mark. 8.36). Nga ana tjetër, njeh urdhërimin e Zotit: “Shkoni pra e mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (Matth. 28.19). “Falas morët, falas jepni” (Matth. 10.8). Paralelisht me këtë, thuhet se nevoja më esenciale e njerëzve është të njohin Perëndinë e vërtetë (shih Jn. 17.3). Por si ta gjesh? Kështu, është e domosdoshme që njohja e Perëndisë të mbetet mbi tokë, që njerëzit të mos enden si dele pa barí. Kjo njohje është kaq e rëndësishme, sa shën Isaak Siriani afirmon diçka të tmerrshme, të vështirë për ta kuptuar dhe që s’mund ta pranojmë pa dhimbje: “Mos i krahaso ata që bëjnë shenja, mrekulli e çudi me ata që jetojnë si hezikastë me njohjen e Perëndisë. Duaj qetësinë e hezikisë më shumë se të ngopësh ata që kanë uri në botë dhe se të kthesh shumë popuj në adhurimin e Perëndisë.5”

Të duash qetësinë e jashtme të hezikastisë më tepër se të ngopësh ata që kanë uri… ç’do të thotë kjo? Ka dy lloje urie: uria trupore dhe uria shpirtërore. “Ja, do të vijnë ditët, thotë Zoti, gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit. Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës së Zotit, por nuk do ta gjejnë. Atë ditë vajzat e bukura dhe djemtë e zgjedhur do të ligështohen nga etja. Ata që betohen për mëkatin e Samarisë dhe thonë: Ashtu si Perëndia yt rron, o Dan, dhe: si rron Bersabeja, do të rrëzohen dhe nuk do të çohen më” (Amos 8.11-14). Në ditët e sotme vërejmë, pothuaj kudo, një çoroditje shpirtërore, një dëshpërim që sa vjen e shtohet. Botohen libra – më shumë se kurrë ndonjëherë – por fatkeqësisht shumica kanë karakter sinkretist, i cili synon të shkrijë elemente heterogjene, në të shumtën e rasteve kontradiktore në bërthamën e tyre dhe praktikisht të papajtueshme; prej nga krijohet edhe një konfuzion gjithnjë në rritje. Isaak Siriani e konsideronte pendimin dhe hezikastinë të praktikuara me urtësi si rruga më e sigurt për të arritur në një njohje të thellë të Perëndisë dhe për të jetuar me Të. Është pikërisht kjo – gjë kaq e rrallë mbi dhé – që ai e vlerësonte si veprën më të rëndësishme. Humbja e njohjes së vërtetë të Perëndisë që na u dha nga Krishti dhe Shpirti i Shenjtë, do të ishte një humbje e pariparueshme për mbarë botën.

Kam takuar shumë njerëz që kalonin krizë shpirtërore serioze. Gjatë kontakteve të mia me ta, më vinte ndër mend kriza ime personale që kisha kaluar me vite, në një tension në kufi të forcave të mia. Kur lutja triumfoi tek unë, e braktisa profesionin tim, pikturën dhe hyra në Institutin e Teologjisë të Parisit. Atje kishte të rinj seriozë dhe stafi pedagogjik ishte i një niveli të lartë. Por lutja më mbyste ditë e natë, prandaj lashë Institutin për t’u kthyer në Malin Athos, ku tërë jeta përqendrohet në liturgjinë dhe lutjen. Në atë kohë, e kisha të pamundur të ndiqja mësime të shkencave kishtare. Në fakt, pasi e kisha përqendruar vëmendjen në lëndët që mësoheshin, nuk gjeja më vrullin për Perëndinë me të Cilin tashmë isha mësuar. Ishte e qartë për mua se, nëse do kisha etje për të njohur Perëndinë, duhet të braktisesha tek Ai më rrënjësisht nga sa i isha përkushtuar artit. Përjetësia hyjnore më tërhiqte. Kur e lashë Francën, i dogja urat mbrapa meje, që në rast hezitimesh të mos kthehesha më në jetën e mëparshme. Përjetova një çast tundimi: duke u ngjitur nga deti për në manastir, më sulmoi mendimi: “Po hyn plot dëshirë në një burg të përjetshëm!” Gjatë gjithë jetës sime, ky ka qenë rasti i vetëm kur për një çast, zemra ime hezitoi. Kjo më erdhi në mendje tani, por gjatë dekadave, kurrë nuk u ktheva nga e kaluara. Përpara meje, tepër larg, gjendet ajo që kërkoj; nuk më kanë mbetur veç pak ditë për të jetuar, dhe ato rrjedhin me shpejtësi. Shpirti im thahej në kotësitë e kësaj bote, dhe më duhej ujë i gjallë që buronte nga Krijuesi dhe “që buron për jetë të përjetshme”.

Shkruaj, dhe gjatë gjithë kohës, kur flas e ruaj gjuhën, e cila realisht do të ishte e vetmja mundësi të shprehte dhimbjen therëse të gjithë qenies sime në kërkim të Perëndisë tim Shpëtimtar. I gjithë trupi im lutej, i mbledhur kruspull. Balli puthitej me tokën; lot të zjarrtë rridhnin rrëke, duke shkrirë pak nga pak tek unë gurët e ashpër të pasioneve. Asnjë humbje mbi dhé nuk do më kishte shkaktuar një hidhërim kaq të fortë, kaq të thellë sa ky i zemrës sime. Përpiqesha të isha tërësisht i hapur para Perëndisë. I përgjërohesha të mos më hidhte larg Faqes së Tij, të bënte të njohur udhën e vërtetë që më çonte tek Ai, të largonte nga unë çdo gabim që mund të më bënte të devijoja. E njihja poshtërsinë time, ndotjen time, padijen, fajet, prishjen time, dhe isha i dërrmuar kur e shikoja veten ashtu siç isha. Nevoja ime për t’u shëruar me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë i ngjante asaj të një adoleshenti të etur për të jetuar, por që është goditur pa mëshirë nga ndonjë sëmundje. Perëndia m’u zbulua para se të hyja në Institutin e Teologjisë. Arrita në Athos i lirë nga dyshimet mbi vërtetësinë e Birit të Perëndisë, i Vetmi që mund të më zbulonte Atin. Por isha në ferr: i Shenjti i të shenjtëve nuk do të mund të pranonte një neveri të tillë! Thirrjet e mia për ripërtëritjen e qenies sime në të gjitha planet ishin një britmë në shkretëtirë, në një shkretëtirë – druaj ta them – kozmike, jo tokësore. Dhe dhimbja ime u shpëtonte kufijve të kohës.

Ajo që jetova, nga një anë, më ndihmoi në shërbimin tim si rrëfyes, në fillim në Malin e Shenjtë me murgjit, pastaj në Evropë me njerëzit e moshave, gjendjeve psikike dhe të niveleve intelektuale të ndryshme; por nga ana tjetër, kjo më çoi në gabim. Mendoja se e gjithë bota vraponte drejt Perëndisë me të njëjtin vrull, këtu gabova. Nuk është gjithmonë e drejtë të gjykosh sipas vetes.

Edhe pse thellësisht i ndërgjegjshëm për mediokritetin tim, nuk mund të refuzoja shërbimin e rrëfyesit që m’u caktua. Aspak nuk e kërkova. Në përgjithësi, në këtë epokë, nuk kërkoja asgjë nga kjo botë, sepse e gjithë qenia ime ishte e tendosur drejt Perëndisë, ndaj të Cilit kisha mëkatuar aq rëndë. I vetëdënuar në shpirt, jetoja në ferr. Nëse vetëm për pak çaste munda të ndiej vështirësi për shkak të armiqësisë së disa etërve dhe vëllezërve të manastirit, zakonisht isha plotësisht indiferent të zija këtë apo atë pozicion në botë, dhe nuk më prekte sjellja e murgjve më të moshuar ose më të rinj ndaj meje. Nuk e njihja xhelozinë. Për mua, nuk ekzistonte asnjë rang social apo hierarkik që të mund të qetësonte zjarrin që më përpinte shpirtin. Mundet që prania e këtij zjarri të brendshëm të ketë nxitur tek disa zemërim kundër meje; ndoshta, për shkak të këtij zjarri, sjellja ime iu duket të tjerëve disi e pazakontë. Kush e di? Për një gjë isha i sigurt: kisha nevojë me të gjitha fuqitë e mia, për faljen e Perëndisë dhe asgjëje tjetër nuk i kushtoja vëmendje.

Pak para vdekjes së tij, starec Siluani më tha një herë papritur: “Kur të jeni atë shpirtëror, mos i refuzoni ata që do të vijnë tek ju.” Në atë moment, ndihesha në fund të forcave të mia fizike, i minuar nga malaria që më bezdiste në një formë të lehtë gjatë atyre viteve.

Duke mos ditur sa kohë më mbeteshin për të jetuar, nuk u kushtova vëmendje fjalëve të starecit. Mendoja: “Strareci nuk e kupton se sa i sëmurë jam”; në të vërtetë, këshilla e tij u zhduk menjëherë nga ndërgjegjja ime.

M’u kujtua, katër apo pesë vjet më vonë, kur papritur, u ftova nga igumeni i manastirit të Shën Pavlit, arkimandrit Serafimi, që të bëhesha rrëfyes. Sigurisht, për hir të bindjes te starec Siluani, nuk kundërshtova dhe thashë se do të shkoja tek ata një ditë të caktuar.

Ushtrimi i atësisë shpirtërore që m’u ngarkua, ndryshoi rrënjësisht rrjedhën e jetës sime, jo në kuptimin e një thellimi, por më bëri të humbisja hirin. Kërkimi im i mëparshëm nuk mbijetoi në plotësinë e tij. Të qëndroja pa ndërprerje në “njeriun e brendshëm” ishte e pamundur, pasi e kisha përqendruar vëmendjen tek ato që më thoshin njerëzit që vinin tek unë për t’u rrëfyer. E dija që atje, në brendësi, ishte fillimi dhe se atje ishin fundi dhe përmbushja; që andej nisemi, dhe atje kthehemi. Pa lutje të zjarrtë nga zemra për t’i kërkuar Perëndisë një fjalë dhe bekimin e Tij në çdo kohë, shërbimi i rrëfyesit është i kotë; pa frymëzim konstant nga lart, dhe vetë Kisha do të transformohej në një nga forcat gjysmë të verbra të kësaj bote, që nga konfliktet e tyre, shkatërrojnë jetën në tokë. Ku konsiston puna e rrëfyesit? Të kujdeset për çdo person, që ta ndihmojë të hyjë në sferën e paqes së Krishtit; të kontribuojë në rilindjen dhe metamorfozën e njerëzve nga hiri i Shpirtit të Shenjtë; të ngjallë kurajë te frikacakët që të kryejnë betejën e jetës sipas urdhërimeve të Zotit; me një fjalë, në formimin shpirtëror të secilit. “Formim” vjen nga fjala “formë”. Një episkop serb6 ka shkruar gjëra të mrekullueshme në lidhje me këtë: “Cilën formë ose atë të kujt po japim në shkollat tona bashkëkohore? Cila nga këto shkolla di që njeriu u krijua sipas ikonës së Perëndisë pa fillim? Ai u shfaq mbi tokë dhe iu zbulua njeriut; dhe tani e dimë që edukimi i vërtetë konsiston në vendosjen e ikonës së Krishtit – që humbi me rënien – te pasardhësit e Adamit.”

Në detyrën e tij, rrëfyesi është i detyruar të lutet gjithmonë për njerëzit, të afërt apo të largët. Përmes kësaj lutjeje, ai zhytet në një jetë të re për të. Duke u lutur për ata që janë në dëshpërim për shkak të vështirësive të pakapërcyeshme në luftën për ekzistencë, ai provon shqetësim, ankth për ta. Duke u lutur për të sëmurët, ai ndien frikën e shpirtrave të tyre para vdekjes. Duke u lutur për ata që janë në ferr (në ferrin e pasioneve), ai vetë përjeton një gjendje ferri. Gjithë këtë e jeton vetë, si vuajtjen e tij, por që realisht nuk është e tija: ai pret dhe mban barrët e personave të tjerë. Në pamje të parë, ai s’e kupton atë që i ndodh; është në mëdyshje; nuk e di përse është sërish i sulmuar – madje më shumë se më parë – nga pasionet, shumica e të cilave ishin ende të panjohura për të. Vetëm më vonë ai e kupton që u hodh në luftë për jetën e personave të tjerë, që lutja e tij ka prekur realitetin shpirtëror të atyre për të cilët iu ofrua Perëndisë. Ai shtrëngohet nga afshi i vdekjes që ka goditur gjininë njerëzore. Lutja e tij vetjake dhe liturgjike merr dimensione kozmike.

Nganjëherë lufta për jetën e atyre që i janë besuar nga Providenca e të Shumëlartit nuk zgjat shumë: mjaftojnë që disa fjalë të burojnë nga zemra për Perëndinë e dashurisë. Por ka edhe raste të tjera ku sprova zgjat. Megjithëse jep jetën e tij, rrëfyesi nuk ndihet ende plotësisht i çliruar nga pasionet. Ai lutet për të tjerët si për veten, pasi jeta e tyre është e lidhur me të tijën. Pendohet për veten dhe për të tjerët. Ai lut faljen e mëkateve për “ne të gjithë”. Pendimi i tij bëhet pendim për mbarë botën, për të gjithë njerëzit. Në këtë lëvizje të frymës së tij gjendet një ngjashmëri me Krishtin, i Cili mori mbi vete mëkatet e botës. Kjo lutje është mosmirënjohëse: kurrë nuk e shikojmë rezultatin e kërkuar, pasi bota në tërësinë e saj, e shtyn këtë lutje me armiqësi.

Lutja e pendimit është në mënyrë të papërshkrueshme një dhuratë e mrekullueshme e Atit qiellor: “Atëherë u hapi mendjen atyre, që të merrnin vesh shkrimet. Edhe u tha atyre se kështu është shkruar, dhe kështu duhej të hiqte Krishti, dhe të ngjallej prej së vdekurish të tretën ditë, edhe të predikohej në emrin e tij pendim dhe ndjesë mëkatesh mbi gjithë kombet” (Lluk. 24.45-47).

E kemi humbur nga sytë parimin e predikimit të Krishtit: “Pendohuni, se u afrua Mbretëria e qiejve” (Matth. 4.17). Është e qartë se nuk është gjë tjetër veç vazhdimit të asaj që kishte nisur në Parajsë: dialogu i madh mes Perëndisë dhe njeriut (shih Gjen. 3.8). Të thirrur nga Perëndia në pendim, Adami dhe Eva nuk pranuan të njihnin fajet e tyre. Eva akuzoi me pafytyrë- si gjarprin; Adami, ndërkohë guxoi të akuzonte Evën dhe Perëndinë që i dha një grua të tillë.

Dalëngadalë, shekull pas shekulli, koha rrodhi. Me pasimin monoton të viteve, njerëzimi shqyrtoi pasojat e ndarjes nga Perëndia Atë. U shfaqën shpirtra, të përgatitur nga vuajtje të ndryshme për të hyrë pjesërisht në kungim me Perëndinë; atëherë u dha zbulesa e Sinait. Falë ligjit të Moisiut, populli i zgjedhur jetoi para Fytyrës së të Tërëpushtetshmit të padukshëm dhe u zhvillua shpirtërisht derisa u bë i aftë për një pajtim të mëvonshëm me Të. Atëherë u shfaq në mish Ai që kishte folur me Adamin dhe Evën ditën kur filloi historia tragjike e njerëzimit. Kështu u rivendos kungimi ynë i menjëhershëm me Personin Krijues të botës, kungim që ishte ndërprerë për mijëra vjet.

Zoti na ka zbuluar misteret e Qenies hyjnore dhe të qenies së krijuar. Por e gjithë “vepra” e Tij (Jn. 17.4) është kaq madhështore, saqë syri i mendjes sonë është i paaftë të kapë edhe detajet, dhe energjia e zemrës sonë nuk mund të përqafojë me dashuri mrekullitë e Tij. Në Predikimin për Pashkë, shën Joan Krisostomi thotë: “Ferri u hidhërua, se u mund. Priti trup, por gjeti Perëndi. Priti dhé, por gjeti qiell. Mori atë që shikonte, por ra mbi atë që nuk pa.” Është pikërisht ajo që ndodh kur vendosim të ndjekim Jisu Krishtin. Shikojmë një njeri të veshur me mish të prishshëm, por realisht është Perëndi. E shikojmë të shkojë pa kundërshtuar në vdekjen e Tij të padrejtë, por njohim tek Ai Krijuesin dhe Shpëtimtarin tonë. Dëgjojmë fjalët tona të zakonshme të dalin nga goja e Tij, por na zbulojnë përjetësinë e Qenies absolute.

Sa më shumë drejtohej mendja drejt Jisuit të Nazaretit, aq më tepër bëhet mahnitës kontrasti mes botës së Tij qiellore dhe realitetit të dukshëm të universit tonë. Një nga pasojat e para të rënies fillestare ishte vëllavrasja. Që atëherë, ky mëkat e ka mbushur pothuaj gjithë historinë tonë. Natyra e njeriut universal u reduktua në copëza. Duke takuar të ngjashmit e tyre, njerëzit nuk njihen më, nuk e shikojnë unitetin e jetës që është i përbashkët për ne të gjithë. Duke luftuar për ekzistencën e tyre individuale, ata vrasin vëllezërit e tyre pa kuptuar se me këtë gjest, zhyten vetë në vdekjen e përbashkët. Në vend të lidhjes së dashurisë, një pasion fatal ka depërtuar në shpirtin e njerëzve: të dominojnë mbi të tjerët që të sigurojnë për veten dhe për fëmijët e tyre një jetë të rehatshme. Si rrjedhim i këtij verbimi, bota e tërë është zhytur në një det gjaku, në një atmosferë urrejtjeje, në ëndrrën e keqe të shfarosjeve reciproke. Mëkati i stërgjyshërve tanë futi kudo shkatërrim. Deri në këtë ditë, njerëzimi nuk ka arritur të çlirohet nga fryma vëllavrasëse; ai vazhdon të futet gjithnjë e më shumë në një dehje që mbjell vdekjen. Përvoja e shekujve nuk i ka mësuar njerëzit. Në këtë botë, një fitore e korrur me dhunë është përherë dhe pashmangshmërisht jetëshkurtër; gjatë kalimit në përjetësi, ajo do të shfaqet si një ndyrësi e pasosur.

“Dhe të gjithë ju jeni vëllezër”, tha Mësuesi ynë, Krishti, “sepse një është Ati juaj”, ai që është në qiej” (Matth. 23.8-9).

Zoti Jisu Krisht – mrekullia më e madhe – erdhi mbi tokë për të na shpëtuar. Por ne E vramë edhe Atë. Por duke e lënë veten të goditej në planin e dukshëm (shih Matth. 26.31), Bariu korri një fitore të pakrahasueshme në sferën e Shpirtit të përjetshëm, gjithashtu një fitore në vuajtjet e dashurisë që u dorëzua dhe solli fryt të paprishshëm. Kështu do të jetë me ata që do ndjekin gjurmët e tij. Ata që e duan Krishtin do të ruajnë fjalën e tij dhe, në fund të gjithçkaje, ata do të shfaqen si fitim- tarë të vërtetë duke gjetur edhe prehjen me Të në Mbretërinë e tij (shih Jn. 16.33).

Në kushtet e epokës sonë, ushtrimi i atësisë shpirtërore është detyrë mbinjerëzore. Është e vështirë të shpëtosh sot në mes të një apostazie masive. Bashkëkohësit e Jisuit “kishin ardhur me thikë e me dru për ta arrestuar”, […] Por Zoti tha: “Po kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës” (shih Lluk. 22.52-53). A nuk janë dendësuar edhe më tepër në kohët tona këto errësira skëterrë? Faktikisht, dëshpërimi i banorëve të planetit tonë po shtohet dita-ditës. Është e dhimbshme – aq sa të derdhësh edhe gjak – të lutesh për këtë botë në gjendjen që është. Do të citoja këtu një nga lutjet që i drejtoja Perëndisë së Shumëlartë: “Zbulomë në zemër misteret e tua. Shfaqmë mua mëkatarit urtësinë tënde të fshehur prej shekujsh. Ndriçomi përmes Shpirtit tënd të Shenjtë sytë shpirtërorë të zemrës, që të arrij të kuptoj Providencën tënde të mirë për tërë gjininë e njerëzve, edhe në ngjarjet më tronditëse të epokës sonë. Jepi shpirtit tim fuqinë për të dashur me durim, sepse jam i munduar në mishin e prishshëm kur shikoj, aq më tepër kur dëgjoj të flitet për tortura të padurueshme që po heqin mbi tërë dheun vëllezërit e mi të burgosur… Më shumë se një herë, më ke dhënë sigurinë e fitores përfundimtare të Dritës sate; megjithatë, ti e shikon sa i rraskapitur jam në shërbimin tim.”

Qysh në moshë të re, rrija në mëdyshje të dhimbshme para pamjes që shpalosej para meje. Por kishte edhe orë të një triumfi të çuditshëm, kur absurditeti ekstrem i çdo gjëje më siguronte praninë e pashmangshme të një “poli” tjetër në qenien e botës: Urtësinë. Nuk e arrita këtë Urtësi, por ajo shpërndante në shpirtin tim shpresën e metamorfozës së krijesës; lutja për mbarë botën më rilindte në zemër, dhe Drita e paperëndueshme ma shëronte shpirtin.

Kur lutemi për njerëzit, zemra percepton shpesh gjendjen e tyre shpirtërore ose psikike. Falë kësaj, rrëfyesi mund të jetojë gjendjet e tyre të brendshme: kënaqjen dhe lumturinë në dashuri, lodhjen për shkak të mbingarkesës, frikën nga fatkeqësitë kërcënuese, terrorin e dëshpërimit e kështu me radhë. Duke kujtuar para Zotit ata që janë të sëmurë, ai përkulet në shpirt mbi shtretërit e miliona qenieve njerëzore që përballen çdo çast me vdekjen, që zhyten në agoni të frikshme. Duke u kushtuar vëmendje atyre që janë duke vdekur, prifti hyn natyrshëm në frymë në të përtejmen; ai merr pjesë qoftë në braktisjen e qetë të shpirtit te Perëndia, qoftë në frikën përballë së panjohurës që godet imagjinatën para se të ndodhë largimi nga kjo botë. Nëse fakti që qëndrojmë mbi kryet e një njeriu të vetëm në agoni na ofron një shfaqje tronditëse për shkak të kontrastit me përfytyrimin tonë të njeriut të parëkrijuar, mendimi i çdo vuajtjeje mbi tokë kapërcen atë që psikika jonë dhe vetë trupi ynë mund të durojnë. Për priftin dhe rrëfyesin, është një prag kritik: ç’të bëjë? Të mbyllë sytë para të gjithave nga instinkti i vetëmbrojtjes së natyrshme që ka secili, apo, në të kundërt, të shkojë më tej? Pa asketizmin paraprak të një pendimi të thellë marrë si dhuratë nga lart, kjo “më tej” është e paarritshme për njeriun. Në të vërtetë, tashmë bëhet fjalë që të ndjekë Krishtin në kopshtin e Gjethsemanisë dhe në Golgotha, që të jetojë bashkë me Të, nëpërmjet fuqisë së Tij, tragjedinë e botës si tragjedinë tonë personale, që të përqafojë në frymë, përtej kohës e hapësirës dhe me dashuri vuajtëse, tërë gjindjen njerëzore zhytur në konflikte pa rrugëdalje. Zemra e tragjedisë universale konsiston në faktin se kemi harruar madje, kemi hedhur poshtë thirrjen tonë fillestare. Pasioni vdekjeprurës i krenarisë kapërcehet me pendim total, në saje të të cilit bekimi i përulësisë së Krishtit zbret mbi njeriun, bekim që na bën fëmijë të Atit tonë qiellor.

Vetë përbërja jonë psikosomatike refuzon të hyjë në lutje dhe në sakrificën çlirimtare të dashurisë së Jisu Krishtit. Edhe fryma jonë i druhet gjithashtu kësaj ngjarjeje. Sa për mendjen, nuk ka forcën të ngrihet “atje lart”, mbi këtë mal – shpirtërisht më i larti nga të gjithë – ku Zoti dha frymën në duart e Atit. “Për njerëzit është punë e pamundur, por jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë” (Mark. 10.27). Të ngjitesh “atje lart” kryhet pa a priori; shpirti, në një farë mënyre, ngjitet natyrshëm gjatë lutjes së tij për pendim për mëkatet e tij, për rënien vetjake që e bashkon me njerëzimin dhe me tërë shekujt e historisë së tij; dhe kjo ndodh menjëherë, papandehur, jo qëllimisht. Në lotët e shumtë që derdh për veten, si dhuratë e Shpirtit të Shenjtë, shpirti hyn ontologjikisht në esencën e mëkatit tonë, në dimensionin metafizik të mëkatit, i cili është një rënie nga jeta e lumur dhe e paprishshme që gjendet në Dritën që buron nga Faqja e Atit tonë te ne. Nuk flitet për spekulim filozofik, as për një mendim të teologjisë konceptuese. Është fakt i qenies sonë: me rënien e Adamit, njerëzia u nda nga Perëndia. Ajo çka është me të vërtetë tragjike është se, në verbimin tonë nuk e shikojmë mëkatin që kemi; natyra e tij na zbulohet nga besimi te hyjnia e Krishtit.

“Jisui pra përsëri u tha atyre: Unë po shkoj, dhe do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini. […] Ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote. Ju thashë pra juve se do të vdisni në mëkatet tuaja; sepse në mos besofshi se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja. I thoshin pra: Cili je ti? Edhe Jisui u tha atyre: Ai që ju thashë juve që në fillim” (Jn. 8.21-25).

Pra, e dimë që mëkati ynë personal është mëkati i mbarë gjinisë njerëzore. Dhe lutja priftërore për faljen e mëkateve të botës është pendimi për tërë njerëzinë. Më ndjeni: nuk arrij dot të shpreh me fjalë atë për të cilën flitet këtu… Çdo njeri që pendohet vërtet për shkeljet e tij kundër dashurisë së Perëndisë zhvendoset nga fuqia e vetë Perëndisë në këtë sferë tashmë të mistershme për ne. Edhe unë jam një njeri çfarëdo, por bëj pjesë në trupin e madh të gjithë njerëzimit, prej të cilit s’mund të shkëputem. Në fillim e ndiej mëkatin tim sikur të jetë vetëm i imi; por më pas, bëhet e qartë për mua që është i njëjti mëkat si ai që përshkruan Bibla në librin e Gjenezës (kapitulli 3). Jam i parëndësishëm, por çka ndodh me mua nuk është pa rëndësi, edhe në sytë e Atij që më krijoi. A nuk “u zbraz” Ai deri në “përuljen” ekstreme, të pakonceptueshme për ne? E kreu këtë duke qenë nga natyra Perëndi pafundësisht i madh. Përse? Për të na shpëtuar.

Ja ku u bënë tashmë shumë vite që përpiqem t’i bëj njerëzit që vijnë tek unë të kuptojnë se duhet të presin sprovat që i godasin, jo vetëm si ngjarje që vijnë vetëm në kufijtë e ekzistencës së tyre vetjake, por gjithashtu si zbulesë e asaj që jeton dhe ka jetuar i gjithë njerëzimi gjatë mijëvjeçarëve që kanë kaluar. Çdo përvojë, gëzim apo dhimbje, mund të na sjellë një njohje të re, të domosdoshme për shpëtimin tonë. Kur jetojmë brenda vetes tërë realitetin njerëzor, gjithë historinë e njerëzimit, e thyejmë qarkun e mbyllur të “individualitetit” tonë, depërtojmë në hapësirat e gjera të formës “hipostatike” të qenies, bëhemi fitimtarë mbi vdekjen dhe pjesëmarrës të pafundësisë hyjnore.

Kjo udhë e mrekullueshme nuk njihet nga askush përveç të krishterëve. Në fillim, dalja nga burgu i ngushtë i individualitetit mund të ngjajë paradoksale. Nëse shtypemi vetë ne nga vuajtja, ku pra do ta gjejmë forcën e shpirtit për të përqafuar me dhembshurinë tonë miliona burra e gra, që në çdo çast vuajnë si ne e ndoshta më shumë? Nëse ndiejmë gëzim, është relativisht e mundshme; por kur s’arrijmë dot të kapërcejmë dhimbjen tonë, të vuajmë me shumicën, kjo e shton vuajtjen tonë, tashmë të padurueshme. Megjithatë përpiquni dhe do të shikoni se nga lotët e nxehtë të lutjes për tërë njerëzimin që vuan, do të vijë një energji e një lloji tjetër, që nuk është e kësaj bote. Ky lloj i ri i “bashkëvuajtjes” ardhur nga lart, dallohet nga i pari (kur rrimë të mbyllur brenda vetes në kufijtë e individualitetit tonë): nuk na shkatërron, përkundrazi, na gjallëron. Horizontet e jetës sonë personale zgjerohen së tepërmi. Shumë pasazhe të Ungjillit dhe të Letrave bëhen të kuptueshme, sikur të ishin një fjalë që na përket drejtpërsëdrejti ne ose, më shumë se kjo, si të ishte fjala jonë. Kështu për shembull: “Edhe çdo mundim tani nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por pastaj u jep pemë paqeje prej drejtësie atyre që janë stërvitur me anë të atij” (Hebr. 12.11). Si dhe: “Duke shikuar te Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin dhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë […]” (Hebr. 12.2). Duke dalë para një vuajtjeje më të madhe në shpirt, e kapërcejmë sprovën tonë individuale. Kështu do të jetë veçanërisht në fund: me vdekjen vdekja u mund dhe u dëftua fuqia dhe ngjallja.

Për të gjithë ne është absolutisht e nevojshme të lutemi shumë. Pasi nga lutjet e zjarrta për vite me radhë, më në veçanti, nga lutja për pendim, natyra jonë e rënë transformohet deri atje sa të bëhet e aftë të përvetësojë të Vërtetën e përjetshme që na u zbulua. Krishti, – i Cili manifestoi këtë të Vërtetë në mishin tonë – na tërheq pas vetes dhe na fton ta ndjekim. Që të mbetemi përjetësisht me Të në Mbretërinë që nuk tronditet kurrë, kjo varet nga përgjigjja që do t’i japim thirrjes së Tij. Madhështia e pakufishme e detyrës që është para nesh, ngjall frikë në zemrën dhe mendjen tonë. Frikë dashurie, pasi mund të tregohemi krejtësisht të padenjë për Perëndinë. Frikë edhe para përpjekjes së mundimshme të asketizmit, sepse “Mbretëria e qiejve po pëson dhunë” (Matth. 11.12). Kjo luftë s’mund të përshkruhet. “Errësirat e jashtme” (shih Matth. 8.12; 13.41-43) kërcënojnë atë që u mposht nga krenaria apo pasione të ulëta. Në të kundërt, “fitimtarit do t’i jap të rrijë bashkë me mua në fronin tim, siç fitova edhe unë, dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij. Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Shpirti kishave” (Apok. 3.21-22).

Kemi për të kryer një betejë të pamëshirshme. Por është një betejë e veçantë, e shenjtë, e ndryshme nga luftërat vëllavrasëse që e kanë mbushur historinë e botës sonë që prej kohës së vrasjes së parë, atë të Abelit nga i vëllai, Kaini. Armiku i vetëm i vërtetë, i përbashkët për tërë njerëzit, është vdekshmëria jonë. Me dhimbje duhet të luftojmë kundër vdekjes që jeton te ne, duke filluar nga vetja. Ungjilli i Zotit i përket një plani tjetër, më të lartë, suprakozmik; gjithçka në të “s’u mor prej njeriut” dhe as nuk vjen “prej njeriu” (shih Gal. 1.11-12). Është krim t’ia zvogëlosh dimensi- onet e përjetshme, sepse për njerëzit humbet fuqia e tij tërheqëse dhe madje kuptimi i tij. Me siguri, urdhërimet e Krishtit: “Doni armiqtë tuaj […] Jini të përsosur si Ati juaj qiellor është i përsosur” kapërcejnë mendjen dhe fuqinë tonë. Por Krishti e manifestoi këtë përsosmëri në mishin tonë: “E mundi botën”. Kjo do të thotë se fitorja mund të na jepet edhe ne, atëherë kur jemi me Të. Kur Krishti u shpreh për fjalën e Tij, ai tha se është farë: “Fara është fjala e Perëndisë” (Lluk. 8.11). Le të mbesë te ne si farë që nuk është nga kjo botë; nëse ka rënë në tokë të favorshme, do të japë pas vdekjes sonë një fryt të pavdekshëm.

——————-

4. Joani i Shkallës, Shkalla e Shenjtë, Abbaye de Bellefontaine, 1978, “Spiritualité Spirituelle”, nr. 24, fq. 313-314.

5. Isaak Siriani, Œuvre Spirituelles, Paris, Desclée de Brouwer, 1993, Discours 23, fq. 154.

6. Shën Nikolla Velimiroviç, episkop i Ohrit dhe i Jicës, (1880-1956).