Kryepiskopi Anastas dallohet për studimet dhe librat e shumtë të botuar në mjaft gjuhë të botës. Më i fundit, është një botim i Manastirit të Bozesë në Itali, qendër takimesh ndërfetare, ku dialogu me orthodhoksinë zë vend qendror.
Titulli i librit, që zë një vend të konsiderueshëm në faqen e internetit të Manastirit, është “Vivere insieme” (“Të jetojmë së bashku” – Kontributi i religjioneve dhe një etikë e bashkëjetesës).
Cili është kontributi i religjioneve në drejtim të humanizmit? Kryepiskopi Anastas ofron disa reflektime mbi këtë temë e cila, në koherencë me traditën e Kishës, kërkon të nxjerrë në pah veprimet e fshehta të Krishtit dhe të Shpirtit të Shenjtë në elementet pozitive të gjitha kërkimeve njerëzore. Libri “jep instrumente për të akorduar së bashku dialogun dhe dëshminë dhe na kujton se jemi të thirrur në ushtrimin e dëgjimit të kujdesshëm të hapave të Perëndisë…, që të quajmë gëzim dhe arritje përballjen vëllazërore dhe së fundi, ta bëjmë të gjithë këtë sipas mënyrës së Krishtit të varfër dhe plot mëshirë” (Nga parathënia e Athanasios N. Papathanasiu).
Në libër theksohet nevoja e njeriut për të komunikuar, nevoja e tij jetësore për të pasur kontakte me të tjerët. Por ama qeniet njerëzore duhet të kërkojnë një bashkëjetesë harmonike, e cila nuk zhduk veçantinë kulturore të popujve, duke sheshuar çdo dallim mes tyre, por që di si t’i japë vlerë në mënyrë krijuese anëve më të mira të individëve e popujve. Padrejtësitë, korrupsioni dhe varfëria nuk kanë reshtur së shkatërruari bashkëjetesën njerëzore dhe mbi këto problem besimet e mëdha fetare, që kanë ndikuar kulturat e popujve, kanë kontribuuar për t’u dhëne parimet dhe sugjeruar rrugët që duhet të ndjekin.