– Pritje e ngrohtë nga kleri, besimtarët dhe autoritetet –

 

– Mori pjesë në veprimtaritë adhuruese për Fjetjen e së Tërëshenjtës Mari

dhe kujtimin e Shën Jerasimit, mbrojtës i ishullit –

 

 Plot emocione dhe shumëdimensionale për nga mesazhet ishte vizita e bekuar e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, në ishullin e Qefalonisë. Ishulli është vendi i origjinës së familjes së tij dhe pritja e popullit besimtar, klerit dhe autoriteteve shtetërore e lokale ishte e denjë për personalitetin e Kryepiskopit. Vizita zhvillohet në kulmin e kremtimeve të mbarë Orthodhoksisë për Fjetjen e së Tërëshenjtës Mari, Pashka e Beharit, sikundër quhet nga populli besimtar, por edhe për panairin më të madh të Qefalonisë, kremtimin e Shën Jerasimit, mbrojtës i ishullit.

Vlen të theksohet se në këtë periudhë ishulli mbushet plot jo vetëm nga turistë, por edhe nga bijtë e tij të mërguar, traditë që e ruajnë me konsekuencë qefaloniotët, të njohur si shtegtarë, por edhe të lidhur fort me vendlindjen.

Pasditen e 14 gushtit, besimtarë të shumtë, klerikë të Mitropolisë së Hirshme të Qefalonisë bashkë me Mitropolitin e tyre, Imzot Dhimitrin, kishin dalë në aerodromin e ishullit për të pritur Kryepiskopin. Me ta ishte edhe Prefekti i Qarkut të Ishujve Jonianë, z. Theodhoros Galiatsatos dhe Kryetari i Bashkisë së Qefalonisë, z. Aleksandros Parisis, që do të shoqëronin Kryepiskopin gjatë vizitës së tij dhe në veprimtaritë adhuruese. Kryepiskopi Anastas, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë Mitropolitin Dhimitrios, të cilin e kishte pasur student në Fakultetin e Theologjisë dhe nxënës, sikundër ai mburret në jetën e tij si klerik dhe hierark, foli për dashurinë, duke theksuar se i pasur është ai që jep dhe ofron aty ku nevojitet, fjalë që bënë përshtypje të veçantë dhe u përcollën nga media lokale. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Kryepiskopi bëri një ekspoze të shkurtër të veprës së madhe dhe të bekuar që po zhvillohet gjatë gjithë këtyre viteve për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Mediat e ndryshme i pasqyruan në lajme me transmetim direkt gjithë veprimtaritë e Kryepiskopit Anastas.

Kryepiskopi vizitoi kishën e famshme “Panajia Fidousa”, ku mori pjesë në Mbrëmësoren e Fjetjes të së Tërëshenjtës, të cilën e kryesoi Mitropoliti i Amantias, Imzot Nathanaili, shoqërues i tij. Të nesërmen, 15 Gusht, ditën e kremtimit të Fjetjes së Hyjlindëses, Kryepiskopi kryesoi Liturgjinë Hyjnore, në të cilën bashkëmeshuan Mitropolitët Dhimitër dhe Nathanail me shumë klerikë të Qefalonisë. Kryepiskopi predikoi rreth personit të së Tërëshenjtës, mënyrën sesi ajo përballoi ngjarjet në jetën e saj, duke theksuar tri cilësi bazike të Nënës së Perëndisë: durimin, shpresëtarinë dhe përkushtimin e saj.

Pjesëmarrja e popullit besimtar ishte e jashtëzakonshme dhe këmbëngulja për të përshëndetur Kryepiskopin e rrallë, shprehje e dashurisë së tyre, e respektit për personin e tij dhe sidomos e mirënjohjes për gjithçka ai ka bërë për Orthodhoksinë.

Edhe pasditen e së kremtes, Kryepiskopi Anastas ishte në Manastirin e Shën Jerasimit në Omalo, pak sipër Argostolit, kryeqendrës së Qefalonisë, ku shërbesën e kryesoi Mitropoliti Nathanail. Mijëra besimtarë kishin mbushur që herët të gjitha mjediset e manastirit, ndërsa radha e automjeteve ishte kilometrike.

Më 16 gusht, me rastin e kremtimit të Shën Jerasimit, Kryepiskopi Anastas kreu gjithashtu Liturgjinë Hyjnore, ku bashkëmeshuan Mitropoliti i Janinës, Maksimi; i Qefalonisë, Dhimitri; dhe i Amantias, Nathanaili.

Gjatë qëndrimit në ishull, Kryepiskopi takoi shumë bashkëpatriotë të tij të shquar në Greqi apo në SHBA, autoritete lokale dhe deputetë të pranishëm, si znj. A. Theopeftatou, z. K. Tzavara etj.

Kështu kremtimet dhe shërbesat adhuruese në ishullin e Qefalonisë u ndriçuan këtë verë në mënyrë të veçantë nga prania e bekuar e Kryepiskopit Anastas dhe fjala e tij, sipas edhe nxitjes që u bëri besimtarëve Mitropoliti i tyre, Dhimitri, u dëgjua jo vetëm me vëmendje dhe u ngrohu zemrat besimtarëve, por do të ruhet gjatë si këshillë atërore në shpirtrat e tyre.