25 vjet nga 24 Qershori 1992 – dita e ringritjes kanonike
të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

 

Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas,
ditë e shënuar për ringjalljen e besimit pas natës ateiste

 

Fillimi i viteve ’90, megjithëse formalisht ishte rifituar liria e besimit, ishte dramatik për Komunitetin e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë. Pa asnjë episkop, madje pa asnjë kandidat për t’u ngritur në këtë gradë; vetëm 15 klerikë në moshë pensioni e të sëmurë, pa kisha (ato ishin shkatërruar apo transformuar në objekte laike), pa mundësi financiare, për shkak të varfërisë së thellë, por edhe sepse shteti nuk mori përsipër asnjë detyrim për t’i mbështetur komunitet fetare, gjendja ishte dëshpëruese. Në këto kushte, i vetmi autoritet që kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për të marrë iniciativa për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Ajo njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse si e para për nga radha dhe përgjegjëse për Kishat nevojtare. Patriarkana dërgoi në Shqipëri për të parë situatën dhe nevojat një nga njerëzit më të kualifikuar, të njohur në të gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, Mitropolitin e Andrusës, Prof. Dr. Anastasin, në atë kohë Moderator i Komisionit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave dhe Kryepiskop i komanduar i Arqidioqezës së Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.

Pas mbërritjes në vendin tonë, Kryepiskopi u ndesh me zbrazëtirën e frikshme shpirtërore dhe materiale që kishte lënë ateizmi zyrtar, por nuk u step. Ai u përkushtua për ndryshimin e gjendjes, duke nisur me hapjen e Seminarit për përgatitjen e klerikëve të rinj dhe duke vazhduar me riparimin e objekteve ekzistuese dhe me përpjekjet për ngritjen e kishave të reja. Ishte kjo punë vetëmohuese, e cila i bindi orthodhoksët e Shqipërisë, që t’i kërkonin zyrtarisht Patriarkanës Ekumenike që ta kishin Anastasin si Atin dhe Kryebariun e tyre. Pranimi prej tij i një shërbese të tillë ishte ashtu siç është shprehur edhe vetë më pas: “Jo fron pushteti, por kryq sakrifice”. Blatim dashurie dhe ndjenjë vetëmohimi, pa të cilat orthodhoksët e Shqipërisë, pa asnjë dyshim, nuk do të kishin sot një Kishë kaq të organizuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm, që shpesh është quajtur si mrekulli e vërtetë e Perëndisë.

Zgjedhja Kryepiskop e Prof. Dr. Anastasit, hidhte themelet për një rivendosje sa më të shpejtë të autoqefalisë dhe krijonte premisat për konsolidimin Kishës. Ata që iu kundërvunë zgjedhjes dhe fronëzimit të Kryepiskopit Anastas, me pretekstin se kështu mbronin autoqefalinë dhe pavarësinë e Kishës, në fakt kërkonin pikërisht të kundërtën, kufizimin e saj në një provincë kishtare të varur nga të tjerë, të pafuqishme për t’u shndërruar në Kishë të vërtetë, të paaftë për të qenë e pavarur e për të marrë mbi vete rolin e saj historik në gjirin e shoqërisë shqiptare. Dëshmia më e qartë e kësaj arritjeje, e konsolidimit dhe njohjes kanonike e zyrtare të autoqefalisë dhe të Kishës sonë ishte më 1 Qershor 2014, kur primatët e shumicës së Kishave Orthodhokse (dhe përfaqësi zyrtare nga Kishat e tjera), u mblodhën në Tiranë, në shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe sidomos pjesëmarrja si e barabartë e kontributi i Kryepiskopit Anastas dhe Kishës sonë në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë të Kretës (2016).

Në këtë përvjetor, shumë domethënës për Kishën tonë, ku të gjithë orthodhoksët e Shqipërisë përkujtojnë me mirënjohje dhe falënderim 25-vjetorin e zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas, nuk duhet të harrojmë se ky eveniment madhor mishëron gjakun, djersën, mundin dhe përpjekjet e orthodhoksëve të Shqipërisë për të ruajtur të pastër e të pacenuar besimin e të parëve edhe në momentet më të vështira, siç ishte errësira e gjatë ateiste, por edhe më pas, për të kapërcyer të bashkuar rreth Kryebariut të tyre vështirësitë dhe sulmet e panumërta. Historia e Komunitetit tonë Orthodhoks ka një vend shumë të veçantë kushtuar veprës e shërbesës personale të Kryepiskopit Anastas jo vetëm në ringjalljen e Orthodhoksisë këtu, por edhe të ecjes së sigurt përpara, sot dhe në të ardhmen.

 

Thoma Dhima