E premtja e Madhe zë një vend tepër të veçantë mes kremteve të periudhës së Pashkëve. Eshtë dita kur me dhimbje vajtojmë Kryqëzimin, por me sigurinë se do të përjetojmë shumë shpejt Ngjalljen e Zotit Krisht dhe fitoren e tij mbi vdekjen. Ndaj gjatë gjithë ditës besimtarët iu afruan me nderim të thellë epitafit të vendosur në mes të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, për Ta nderuar Atë me devocion të thellë, duke i sjellë lulet më të bukura për të zbukuruar varrin, që nuk do mund ta mbajë gjatë brenda tij.
Pasdite, mijëra besimtarë u mblodhën në Shërbesën e Epitafit dhe e përcollën atë me nderim të thellë në procesionin jashtë kishës, në rrugët pranë Katedrales dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku bënë disa ndalesa për të psalur vajtimet dhe plotësuar shërbesën. Epitafi u shoqërua edhe nga Banda frymore e Kryeqytetit. Shërbesa u krye nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Hirësi Nathanaili dhe klerikë të Kryepiskopatës së Shenjtë.