Apostulli – Veprat e Apostujve 1:12-17, 21-26.

Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtes, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune.

Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku po rrinin edhe Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Vartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, edhe Juda, i vëllai i Jakovit. Këta të gjithë vazhdonin me ngulm me një mendje në falje e në lutje, bashkë me gratë, edhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, edhe bashkë me të vëllezërit e tij.

Edhe në këto ditë si u ngrit Pjetri në mes të nxënësve, edhe turma e të mbledhurve atje ishin rreth njëqind e njëzet veta, edhe tha:

O burra vëllezër, duhej të përmbushej ky shkrim, të cilin e paratha Fryma e Shenjtë me anë të Davidit për Judën që u bë udhërrëfyes i atyre që zunë Jisuin, sepse qe i numëruar bashkë me ne dhe pati marrë pjesën e kësaj shërbese.

Pra nga burrat që na shoqëruan ne gjithë kohën, në të cilën Zoti Jisu hyri e doli tek ne, duke nisur që nga pagëzimi i Joanit e deri në atë ditë në të cilën u mor lart prej nesh, një nga këta duhet të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e tij.

Edhe paraqitën dy veta, Josifin që quhej Barsaba, i cili u mbiquajt Just, edhe Matinë. Edhe ata duke u lutur thanë: Ti, o Zot, zemërnjohës i të gjithëve, trego një nga këta të dy, atë që ke zgjedhur, që të marrë pjesën e kësaj shërbese e apostolie, prej së cilës u largua Juda, që të shkojë në vendin e tij. Edhe u dhanë atyre shorte; edhe shorti i ra Matisë, edhe u numërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.

Ungjilli – Joani 1:18-28.

Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; Biri i Vetëmlindur, që është në gjirin e Atit, ai e tregoi.

Edhe kjo është dëshmia e Joanit, kur dërguan Judenjtë nga Jerusalemi priftërinj dhe Levitë që ta pyesin: Cili je ti? Edhe rrëfeu, edhe nuk mohoi. Edhe rrëfeu se unë nuk jam Krishti. Edhe e pyetën: Çfarë, pra? Ilia je ti? Dhe thotë: Nuk jam. Profeti je ti? Dhe u përgjigj: Jo. I thanë pra: Cili je? që t’u përgjigjemi atyre që na kanë dërguar. Ç’thua për veten tënde? Tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Drejtoni udhën e Zotit”, siç tha profeti Isaia.

Edhe të dërguarit ishin prej Farisenjve. Edhe e pyetën e i thanë: Përse pra pagëzon, kur nuk je ti Krishti, as Ilia, as profeti? Joani iu përgjigj atyre, duke thënë: Unë pagëzoj me ujë; por në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni. Ai është ai që vjen pas meje, i cili është para meje, të cilit unë s’jam i denjë t’i zgjidh lidhëzën e sandales. Këto u bënë në Betani përtej Jordanit, ku ishte Joani duke pagëzuar.