Ruani qiriun e Pagëzimit

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Qirinjtë e përdorur gjatë Pagëzimit të një fëmije në Kishën Orthodhokse janë shumë domethënës dhe kuptimplotë. “Sot ne kemi dalë nga errësira, dhe jemi ndriçuar prej dritës së njohjes së Perëndisë”, – thotë lutja e Patriarkut Sofron. Pagëzimi na hapi sytë e shpirtit të shohim Krishtin, “Dritën e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”, ne që dikur endeshim në kërkim të shpëtimit (Jn. 1:9).

    Qiriun e Pagëzimit e mbajnë prindërit dhe ia tregojnë fëmijës kur të rritet. Në këtë kohë prindërit mund të shpjegojnë se në Pagëzim fëmija merr dritën e Krishtit, i Cili tha: “Unë jam drita e botës. Ai që do të më ndjekë, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”. Drita e Tij ndriçon hapat tanë ndërsa ecim në jetë.

    Ajo na tregon se ku jemi si fëmijë të Perëndisë, të dashur prej Tij, nën kujdesin e Tij, të krijuar dhe të çliruar nga Ai. Ajo na kujton se Ai do të ecë me ne në jetë, për të ndriçuar udhën tonë. Ajo na tregon mënyrën e bashkimit me Të, tani dhe në përjetësi. Jisui është drita e vërtetë për ne të Krishterët dhe na drejton në qëllimin tonë.

    Në Kishën e hershme qiriu i Pagëzimit mbahej gjithmonë nga personi që pagëzohej. Ai ndizej çdo vit në përvjetorin e pagëzimit dhe në festat e mëdha; sillej në kishë për Liturgjinë e Epifanisë, kur dikush bënte një ripërtëritje të premtimit të Pagëzimit, për të hequr dorë nga i ligu dhe për të pasuar Krishtin. (Epifania ishe dita në të cilën kryheshin shumica e pagëzimeve në Kishën e hershme). Nëse personi ishte i martuar, qiriu i Pagëzimit përdorej në martesë në vend të çdo qiriu tjetër. Si përfundim, ndërsa vdekja afrohej, qiriu i Pagëzimit ndizej sërish, për të shprehur besimin e krishterë, se vdekja nuk na shpie drejt errësirës së varrit, por drejt dritës së pasosur të Krishtit.

    Prindërit e krishterë orthodhoksë duhet t’i japin jetë këtij zakoni të hershëm të ruajtjes së qiriut të Pagëzimit për çdo fëmijë, duke e përdorur atë si kujtues të vazhdueshëm se ne jemi bij të dritës dhe duke inkurajuar çdo fëmijë të jetojë çdo ditë me dritën e Krishtit. Gjithë familja, për shembull, mund të ndjekë Liturgjinë në Epifani, ose të Dielën që pason Epifaninë, për të bërë një ripërtëritje vjetore të zotimit të Pagëzimit. Çdo fëmijë duhet të inkurajohet të përdorë qiririn për çdo hap të madh që merr në jetë, si martesa, priftëria etj. Dhe, sigurisht, ndërsa fëmija rritet, qiriu mund të përdoret çdo vit në përvjetorin e Pagëzimit, edhe kur organizohet një festë e veçantë, detajet e së cilës janë shpjeguar në një kapitull të veçantë të këtij libri.