Roli i nënës para lindjes
ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË
Prej vitesh shkencëtarët kanë bërë të ditur se, para se fëmijët të lindin, ndikohen nga sjellja e nënës. Për shembull, ekziston lidhja midis duhanpirjes së nënës në shtatzëni dhe peshës së vogël të foshnjës që lind, ashtu si dhe nga përdorimi i alkoolit vjen dëmtimi neurologjik i fëmijës së palindur. Nëna, madje edhe para se të lindë, jo vetëm që i jep formë trupit të fëmijës, por në mënyrë të tërthortë ajo i jep formë gjithë personalitetit të fëmijës. Për këtë arsye, është e rëndësishme që “Udhëzimet fetare duhet të fillojnë që në barkun e nënës”. Dashuria e nënës për Perëndinë, dashuria e saj për foshnjën, dashuria e saj për familjen, të gjitha i komunikohen fëmijës që në bark.
Nëse nëna mendon që fëmija i saj është një dhuratë nga Perëndia, fëmija do të jetë një dhuratë, por nëse ajo mendon se fëmija është i padëshiruar, atëherë fëmija do të ndihet i padëshiruar dhe do të përgjigjet në këtë mënyrë. Nëse nëna është nën stres të tepruar nga familja e saj, fëmija do ta marrë këtë stres. Por nëse familja është mbështetëse, personaliteti i fëmijës do të ndikohet nga kjo mbështetje bashkë me ndjenjën e mirëqenies që vjen me këtë. Kur nëna merr Kungimin, unë besoj se fëmija merr hirin e pranisë reale të Jisu Krishtit në Kungimin e Shenjtë. Kisha Orthodhokse ka besuar gjithmonë se jeta fillon që në ngjizje.