Përjetimi i besimit nëpërmjet dashurisë

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Studimet kanë treguar se fëmija mëson nga ai që i do. Nëse fëmijët të duan, me etje do ta pranojnë besimin dhe sistemin tënd të vlerave. Nëse nuk të duan, ata do të rebelohen. Prandaj, ka rëndësi krijimi i një atmosfere familjare ku mbizotëron dashuria. Kjo nuk mund të bëhet pa Perëndinë dhe pa lutjet familjare, pa dhënë kohë për të qenë plotësisht i pranishëm te Perëndia dhe te njëri-tjetri. Dikush ka thënë: “Atë që dëshiron ta ndryshosh, së pari duhet ta duash”.

Fëmija e njeh dashurinë e Perëndisë nga dashuria që ai përjeton prej prindërve të vet. Ikona e parë e fëmijës është ikona e nënës dhe e babait të përkulur mbi djepin e tij. Dashuria e prindërve nuk është thjesht një analogji e dashurisë së Perëndisë; ajo shfaq dashurinë e Perëndisë. Fëmija mëson të dojë, duke u rrethuar nga dashuria, së pari në shtëpi. Fëmijët mund të duan, ngaqë së pari janë dashur (1 Joani 4:10; 4:19). Dhe për këtë arsye, roli i prindërve është qendror. Kështu që, gjëja më e rëndësishme në një familje është DASHURIA, që prindërit të duan njëri-tjetrin. Vetëm kështu ata mund të krijojnë në shtëpi një atmosphere ku mbizotëron dashuria. “Tani këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria. Por më e madhja nga këto është dashuria”.

    Bruno Bettelheim, psikolog i mirënjohur i moshës fëmijërore, thotë se zgjedhjet morale të fëmijës nuk bazohen në zgjedhje abstrakte të së drejtës dhe të së gabuarës. Ato bazohen te njerëzit që ai do dhe admiron. Në fjalët e Bettelheim-it: “Pyetja për fëmijën nuk është: ‘A dua unë të jem i mirë?’, por ‘Kë dua unë dhe kujt dua t’i ngjaj?’”. Për shembull, kur shën Agustini shkroi për personin që kishte rolin kryesor në kthimin e tij në besimin e krishterë, episkop Ambrozin e Milanos, tha: “Ai njeri i Perëndisë më pranoi si baba dhe tregoi mirësi. Unë fillova ta doja, së pari, jo si mësues të së vërtetës, por si një person, i cili ishte i mirë me mua”. Kush mund ta matë vlerën e një prindi që u rrezaton dashurinë dhe mirësinë e Krishtit fëmijëve të tij?! Në fjalët e nënë Terezës thuhet: “Të jeni shprehja e gjallë e mirësisë së Perëndisë; mirësi në fytyrën tënde, në sytë e tu, në buzëqeshjen tënde, mirësi në përshëndetjen tënde të ngrohtë… shpërndaj dashuri kudo. Pikë së pari në shtëpinë tënde”.

   Fëmijët tanë nuk do të qëndrojnë në besim me argumente logjike. Ata duhet të duhen në besim, ashtu si djali plangprishës, i cili jo thjesht u pranua, por u desh sërish nga Ati.