Dashuria është e mirë veçanërisht në shtëpi

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Shën Pavli na tregon se një nga karakteristikat e dashurisë është se ajo është e mirë (I Kor. 13:14). Nëse dashuria është e mirë, mirësia e saj duhet të shkëlqejë, para së gjithash, me gjithë bukurinë e saj, veçanërisht në shtëpi. Sepse ky është vendi ku ne jetojmë me personat më të dashur dhe më të afërt.

    Por sidoqoftë, është e kundërta ajo çfarë shpesh ndodh. Ne i trajtojmë vizitorët dhe miqtë tanë në shtëpi me mirësinë më të madhe. Nëse dikush prej tyre derdh kafe në tapet, shumë shpejt falet: “Mos u shqetëso! Mund t’i ndodhë çdokujt! Gjithsesi, ky është një tapet i vjetër. Dhe mbi të gjitha kafja nuk lë njollë.”

    Por nëse një nga fëmijët tanë bën të njëjtën gjë, shpeshherë i ofendojmë: “Ti je një idiot i ngathët! Nuk bën një gjë të saktë! As që e ke idenë se çfarë bën! A nuk mund të mbash diçka pa e derdhur?”

    Mendoni për një çast se si babai i trajton klientët e tij në punë. Nuk ka rëndësi çfarë thonë ose bëjnë, ata kanë gjithmonë të drejtë. Ai mundohet që asnjëherë të mos humbasë humorin me ta, ka frikë se mos largohen pa blerë gjë. Përdor një ton zëri shumë të butë e të ëmbël kur u drejtohet atyre. Është gjithmonë i dashur dhe i afrueshëm.

    Por vini re kur vjen në shtëpi! Nuk do ta besonit që është i njëjti person. E gjithë sjellja ndryshon: toni i zërit bëhet i ashpër; temperamenti shpërthen; fjalët janë therëse. Ai shndërrohet në një luan që ulërin.

    Nëse fëmijët do t’i trajtonim me të njëjtën mirësi dhe konsideratë me të cilën trajtojmë miqtë dhe klientët tanë, sa ndryshe do të ishin shtëpitë tona! Sa të lumtura! Sa të këndshme! Me sa kujtime të bukura!

    A nuk themi për fëmijët se janë dhurata të vogla nga Perëndia? A nuk janë ata vizitorë nga qielli për një kohë të shkurtër në shtëpinë tonë? Pse të mos i trajtojmë si të tillë?

    Fëmijët janë pasqyrim i prindërve të tyre. Trajtimi i fëmijëve jo me dashuri ngjall urrejtje dhe gradualisht përfundon në rebelim. Dhe e kundërta, trajtimi i tyre me mirësi ilustron dashurinë e Perëndisë dhe kur ata të luten “Ati ynë që je në qiejt…“ imazhi i Perëndisë si Atë do të jetë për ta i këndshëm dhe tërheqës.

    Mos harroni, “dashuria është e mirë” veçanërisht në shtëpi, me personat më të afërt dhe më të dashur për ne!