U zhvilluan kampet verore të Kishës
“E vërteta na bën të lirë”
Mbushemi gjithmonë me ndjenja falënderimi, mirënjohjeje dhe gëzimi kur mendojmë që Kisha jonë me kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas, që në hapat e parë të ringritjes nga gërmadhat, 25 vjet më parë, kishte ndër përparësitë kryesore edukimin e brezit të ri. Pjesë e këtij kujdesi atëror ishte edhe organizimi i kampeve verore për fëmijët dhe të rinjtë dhe ky vit shënon plot 20 vjet (nga viti 1996), përkushtim dhe përkujdesje në edukimin shpirtëror të brezit të ri, i cili ishte i privuar për dekada me radhë.
Ndaj periudha e verës, pas mbarimit të mësimeve, për fëmijët dhe të rinjtë orthodhoksë është çdo vit e mbushur me veprimtari të shumta shpirtërore e zbavitëse, ku kampet zënë vendin kryesor. Ato zhvillohen me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas.
Çdo vit ato kanë një temë të ndryshme shpirtërore, mbi bazën e së cilës zhvillohet gjithë veprimtaria. Tema e sivjetshme për të gjitha kampet në rang vendi ishte: “E vërteta na bën të lirë”.
Kampet e para për djem e vajza (2-11 korrik 2016)
Kampi i parë, që përfshinte moshat më të vogla, nga 8-11 vjeç, u zhvillua nën drejtimin e Zyrës së Fëmijëve të Kryepiskopatës dhe ishte nën kujdesin e Mitropolitit te Fierit, Hirësi Nikollës!
Programi i kampeve është mjaft i larmishëm me veprimtari shpirtërore e zbavitëse. Në të ndërthuren lutjet, bisedat shpirtërore, meditimi, plazhi, lojërat, ekskursionet, puna e dorës, konkurset etj. Nën kujdesin e katekistëve, fëmijët mësojnë të marrin pjesë në Shërbesat e Kishës, marrin mësime shpirtërore për tematika të ndryshme, të cilat përbëjnë të vërtetën orthodhokse të zbuluar nga Perëndia.
***
Kampi i parë i djemve u zhvillua në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës. Në të merrnin pjesë 90 fëmijë nga Mitropolitë e Tiranës, Elbasanit, Beratit dhe Fierit. Në kamp, dita fillonte me lutje, vazhdonte me ngrënien e mëngjesit, me studim biblik, me argëtim në plazh, me kthimin në kamp për të ngrënë drekë dhe për t’u çlodhur dhe më pas vijonin lojëra të ndryshme, biseda, Mbrëmësorja, darka dhe mbyllja e programit me meditim e lutje. Një bekim i veçante ishte dhe pagëzimi i 12 fëmijëve, që u bënë anëtarë të Kishës Orthodhokse.
Ndërsa kampi i parë i vajzave u zhvillua në mjediset e bukura të Manastirit të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit. Në të merrnin pjesë 85 vajza nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Në fund të këtij kampi, disa vajza iu bashkuan Kishës Orthodhokse me anë të Misterit të Pagëzimit.
Kampet e dyta për djem e vajza (14-23 korrik 2016)
Kush mund të japë shpjegimin më të plotë e më të saktë për të vërtetën dhe lirinë përveçse Kisha Orthodhokse, e cila është shtylla dhe mbështetja e së vërtetës?! Ajo është trupi i Krishtit, i Cili në Shkrimin e Shenjtë pohon: Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Për këto të vërteta Biblike dhe përmes bisedave shpirtërore të drejtuara nga Imzot Andoni dhe Imzot Nikolla, u trajtua tema e Kampit: “E vërteta na bën të lirë”. 60 vajzat pjesëmarrëse, të cilat vinin nga Tirana, Korça, Belgjika, Tepelena, Puka, Fieri, Italia, Durrësi etj. kishin mundësinë të njihnin më thellë Zotin, i Cili është e Vërteta që duhet jetuar plotësisht, që kështu të shijomë lirinë e plotë që dëshirojmë aq shumë.
Lutjet e përditshme që kampistet zhvillonin në ambientin mikpritës e të bukur të Manastirit të hirshëm të Shën Joan Vladimirit, Shijon, Elbasan, përjetimi i Mistereve dhe leximi i librave shpirtërorë si: “Vizitë në Kishën tonë Orthodhokse”, “Dëgjomë”, “Libri i lutjes”, theksonin qartë se Jisu Krishti është e Vërteta për të gjithë njerëzit dhe vetëm kjo e vërtetë na bën të lirë.
Ky vit shënoi një ngjarje të rëndësishme historike, 20-vjetorin e Kampit veror për Vajza të zhvilluar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me bekimin e Kryebariut tonë Anastas. Në këtë përvjetor, 22 vajzat e stafit organizator, së bashku me të gjitha kampistet, përgatitën një program të larmishëm, i cili u paraqit në praninë e Hirësi Andonit.
***
Ndërsa kampi i dytë i djemve, për moshat 14-17 vjeç, u zhvillua nën drejtimin dhe organizimin e pedagogëve dhe studentëve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës dhe morën pjesë 110 të rinj. Ata që ishin të papagëzuar bënin çdo ditë mësime katekizmi dhe në fund vendosën për t’u pagëzuar 18 prej tyre. Pagëzimi i katikumenëve u bë në korrik, nga Episkopi i Bylisit Asti, kleriku i kampit atë Spiro Kostoli dhe kleriku i manastirit atë Nikolla Nushi.
Çdo ditë gjatë Shërbesës së Mëngjesit kryhej edhe studimi biblik, ku u studiuan disa nga paravolitë kryesore të Ungjillit. Ndërsa pasdite zhvillohej biseda shpirtërore për ngritjen dhe formimin shpirtëror të kampistëve.
Aktivitetet në kamp ishin nga më të larmishmet. U zhvillua kampionati i futbollit, i ping-pongut, i shahut etj. Pak para përfundimit të kampit u organizua një festë shumë e bukur, ku u recituan poezi të ndryshme, u kënduan këngë të krishtera dhe tradicionale. E veçanta e kësaj feste ishte kuarteti i Radios “Ngjallja”, të cilët i dhanë një atmosferë shumë të bukur festës.
Ndërsa mbrëmjen e fundit të kampit u ndanë Certifikatat e Pagëzimit dhe Certifikatat përkatëse për fituesit e kampionateve që u zhvilluan në periudhën e kampit.
Kampi i tretë për studentë (26 korrik-6 gusht 2016)
“Momenti më i rëndësishëm është ai që je duke jetuar tani, personi më i rëndësishëm është personi që ke takuar tani, dhe detyra më e rëndësishme është pikërisht ajo gjë që je duke bërë tani”. Me këtë moto kaluan 10 ditët e Kampit të tretë të vajzave: “Bariu i Mirë”, 2016. 80 vajza nga zona të ndryshme të Shqipërisë udhëtuan së bashku duke mësuar dhe duke përjetuar bukurinë e besimit orthodhoks.
Mitropoliti i Apollonisë, Imzot Nikolla theksoi në bashkëbisedimin e tij se vetëm Krishti është e vërteta, prandaj duhet ta ndjekim Atë. Ndërsa Mitropoliti i Elbasanit, Imzot Andoni, theksoi ndër të tjera, se duhet të jemi të vërtetë dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë në shoqërinë tonë, vetëm atëherë do të jemi dhe ndihemi të lirë. Një person tjetër i ftuar ishte dhe misionarja nga SHBA Katerina Macdonald, e cila ndau historinë personale se si pas shumë kërkimesh e gjeti të vërtetën në Besimin Orthodhoks. Ajo tha: Ai që kërkon me këmbëngulje, Perëndia i së Vërtetës do të shfaqet.
Për 10 ditë, 80 vajza nga e gjithë Shqipëria jo vetëm mësuan, por edhe përjetuan besimin e krishterë orthodhoks. Leximi i Ungjillit sipas Markut; leximi i librave të tjerë me tema fetare; filmat shpirtërorë ndihmuan në këtë përjetim. Pjesë e programit ishte dhe konkursi sipas mitropolive. Vajzat konkurruan në këndimin e një tropari të një manastiri ose kishe, me një kolazh me këngë popullore, një veshje popullore bërë nga vetë ato, si dhe me nga një valle që i përkiste asaj zone. Në kamp nuk munguan as lojërat argëtuese, volejbolli, debatet me tema sociale, biseda me shoqet e reja etj.
Një bekim i veçantë ishte dhe pjesëmarrja në përurimin e hidrocentralit në Librazhd, që u cilësua si hap vendimtar për “autoqefalinë” ekonomike të Kishës. Aty Kryepiskopi Anastas dëshmoi përsëri se nuk resht së menduari për të rinjtë, duke u dhënë lajmin e gëzuar të ndërtimit në atë zonë me bukuri natyrore të një godine të re për kampet verore.
***
Në mjediset e Manastirit të Shën Jorgjit, në Çukë të Sarandës, u zhvillua kampingu veror për studentë “Rilindja”. Është i treti vit që ai zhvillohet në mjediset e restauruara me kontributin e Kryepiskopit Anastas dhe të Kishës sonë. Ai ndodhet në një zonë shumë piktoreske të bregdetit. Aty pushuan 50 të rinj, nga i gjithë vendi. Kampi drejtohej nga Hirësi Asti, Episkopi i Bylisit.
Ky kamp ka një risi të veçantë nga kampet e tjera për fëmijë dhe adoleshentë, sepse studentët, për shkak të moshës së tyre të përgjegjshme janë të lirë në aktivitetin e tyre. Por kampi ka dhe një rregullore të brendshme, e cila respektohet me vullnetin e mirë të kampistit, duke filluar që nga zgjimi në mëngjes, lutja në kishë, vaktet e ushqimit në mensë, biseda shpirtërore pasdite dhe mbyllja e programit me lutjen e mbrëmjes.
Qëllimi i kampit ishte të bashkimi i të rinjve me Perëndinë Atë dhe kjo realizohet me anë të mistereve të Kishës Orthodhokse që kryhen në dhe me Krishtin nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Në kamp u krye Misteri i Pagëzimit me anë të të cilit dy të rinj u bënë bij Perëndie sipas Hirit dhe anëtarë më të rinj të Kishës. U krye dhe misteri i pendim-rrëfimit që quhet edhe “ripagëzim”, sepse me anë të tij falen mëkatet që kaq shpesh i ndeshim e na rrethojnë në rutinën e përditshme dhe mbas rrëfimit besimtari lirohet nga kjo barrë e mëkatit dhe rifiton lirinë si bir i Perëndisë. Në kamp u krye edhe Liturgjia Hyjnore.
Kampi organizoi edhe dy vizita jo thjesht turistike, por si një guidë shpirtërore në dy nga qendrat me të rëndësishme turistike të Sarandës. Një vizitë u krye në qendrën arkeologjike të Butrintit, ku spikasin gjurmë paleokristiane, madje në atë vend, në amfiteatrin e Butrintit janë martirizuar dy të krishterë të cilët Kisha i nderon. Vizita tjetër u krye në manastirin e rrënuar të 40 Shenjtorëve, e cila ndodhet në majën më të lartë të qytetit. Aty u krye një shërbesë fetare (Paraklisi) dhe një bisedë për historikun e manastirit dhe për jetën e 40 Martirëve të Sebastisë, të cilët Kisha i kujton dhe i nderon prej shekujsh. Nga ky manastir ka marrë emrin qyteti i Sarandës.
Ana Baba, Miron Çako, Marina Baba, Ingrida Bida
Foto nga Kampi i parë djem-vajza
Foto nga kampi i dytë djem-vajza
Foto nga kampi i tretë djem-vajza