Në vazhdën e bashkëpunimit shumëvjeçar të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe Seminarit Romano- Katolik “Nëna e Këshillit të Mirë”, të cilit i është bashkuar edhe Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, më 12 maj, në mjediset e Akademisë, në Manastirin e Ri të shën Vlashit, u zhvillua Simpoziumi me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”.

    Në këtë veprimtari morën pjesë Episkopi i Filomilit nga SHBA, Hirësia e Tij Ilia Ketri, Hirësia e Ti Nikolla, Mitropolit i Apollonisë dhe Fierit dhe njëherazi Drejtor i komanduar Akademisë Teologjike; Rektori i Univerisitetit “Bedër”, prof. dr. Fredinand Gjana, Dekani i Seminarit Romano-Katolik, Don Mario Imperatori, si edhe pedagogë e studentë të të tri shkollave të larta teologjike.

    Pas pritjes që u bë në mjediset e Akademisë Teologjike, të pranishmit u zhvendosën në sallën e konferencave, te Skiti i “Miroprurëseve të Shenjta”. Pas fjalës së mirëseardhjes, të mbajtur nga Hirësi Nikolla, vijuan fjalët përshëndetëse nga Hirësi Ilia, Prof. Dr. Gjana dhe Don Mario. Më pas u vazhdua me mbajtjen e tri referateve, nga një për secilën shkollë pjesëmarrëse.

    Referati i parë, me temë “Krijimi është kryeargumenti i ekzistencës së Zotit”, u mbajt nga z. Veton Tulla, pedagog në Universitetin Bedër. Më pas vazhdoi referati me temë: “Kujdesja e natyrës për një përparim të vërtetë”, nga Don Lorenzo Rossetti, pedagog në Seminarit Romano- Katolik. Ndërsa z. Nathan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, mbajti referatin: “Krijimi, kungim me Zotin”. Veprimtaria u mbyll me pyetje dhe diskutime rreth temave që u referuan.

    Kjo ishte një veprimtari me shumë vlera, siç u cilësua edhe nga pjesëmarrësit, pasi bëri të mundur njohjen e ndërsjellë me pikat e përbashkëta të të tre besimeve, këndvështrimet e secilit prej tyre për aspekte teologjike dhe më konkretisht për krijimin dhe rolin e njeriut në të, që ishte edhe tema e Simpoziumit.

    Gjithashtu, veprimtaria i dha mundësinë përfaqësuesve të të tri shkollave teologjike dhe kryesisht studentëve për të shkëmbyer konceptet dhe njohuritë e tyre mbi teologjinë dhe besimet përkatëse.

    Aktiviteti u mbyll me drekën e organizuar në mensën e Akademisë Teologjike dhe me shpresën e organizimit të aktiviteteve të tjera të këtij lloji.