PASHKË 2016
Pashka – Dalje nga dëshpërimi
Krishti i Ngjallur: “Ç’janë këto fjalë që flisni me njëri – tjetrin duke ecur, dhe pse jeni të vrenjtur?” (Llk. 24:17)
Pas arrestimit, torturave të frikshme dhe kryqëzimit të Krishtit nga kundërshtarët e fuqishëm fetarë dhe politikë, zhgënjimi dërrmoi shpirtrat e nxënësve të Tij.
Këto ngjarje tragjike e kishin mbushur zemrën e tyre me re të zeza dëshpërimi. Për më tepër, ua shkatërruan shpresën se Jisui ishte Shpëtimtari i popullit. Nxënësit kishin parë t’u imponohej padrejtësia, gënjeshtra, urrejtja për të vrarë të pafajshmin.
Por realiteti ishte ndryshe. Jisu Krishti i Ngjallur e zbuloi këtë kur iu afrua dy nxënësve, Kleopës dhe Llukait, në udhëtimin e tyre për në Emaus: “O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar të gjitha ato që thanë profetët. A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij?” (Llk. 24:25-26). Më pas u shpjegoi ato që ishin shkruar për Të në librat profetikë. Qëndroi me ta, kur E lutën dhe iu zbulua krejtësisht gjatë darkës, kur mori bukën, e bekoi dhe pasi e preu, e ndau. Atëherë sytë e tyre u çelën dhe “e njohën atë”: njohën Zotin e Ngjallur.
Me Ngjalljen e Tij, Krishti hapi horizonte të reja për nxënësit e tronditur e të trembur dhe u fali fuqinë që të shkonin e të shpallnin, me paqe të palëkundur dhe guxim të pamposhtur, Ungjillin e dashurisë, i cili do të ripërtërinte jetën e njerëzimit.
Edhe në ditët tona, një dëshpërim shumëformësh dhe i papërcaktuar ka pushtuarzemrat e njerëzve. Shumë gjëra që ndodhin rreth nesh dëshmojnë se sundon padrejtësia, se urrejtja mbizotëron, se e vërteta minohet. Ata që përpiqen të jetojnë të virtytshëm bëhen pre e shpifjeve dhe përndiqen nga qarqe të errëta. Dhe kjo ndodh në jetën e secilit prej nesh, në rrafsh lokal dhe global.
E kremtja e Pashkës vjen që të shpërbëjë retë e dëshpërimit dhe të na çlirojë nga prirja për të mbetur “të vonuar në zemër për të besuar”. Ajo vjen për t’i dhënë forcë lutjes sonë: “Rri bashkë me ne, sepse është ndaj të ngrysur” dhe që të na ndihmojë të njohim personalisht Zotin e Ngjallur.
Besimi në Ngjalljen e Krishtit dhe rrjedhojat e saj diakronike e të përbotshme, ofrojnë dritë dhe fuqi për të dalë nga kjo plogështi dhe ky shkurajim shpirtëror. Krishti, duke pranuar me vullnet pësimin e Tij të përulur, dërrmoi dinastinë e pushtetit demoniak, i cili mbështetet mbi arrogancën dhe interesin vetjak; asgjësoi fuqitë e errësirës “dhe shfuqizoi vdekjen, duke na dhuruar jetën e amshuar”. Perëndia Atë e vendosi Birin e Tij të kryqëzuar dhe të ngjallur “përmbi çdo autoritet e pushtet, dhe fuqi e zotërim, dhe emër, që të quhet jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që vjen. Edhe të gjitha i vuri nën këmbët e tij” (Efes. 1:21-22). Dhe kjo është dalja çlirimtare, të cilën na e shpall e kremtja e sotme, duke na ftuar të forcojmë besimin tonë në pushtetin e Tij.
Pushteti i Krishtit të Ngjallur lidhet me Pësimin vullnetar. Jisui mbetet Ai që bashkëvuan me vuajtjen dhe sprovën e çdo njeriu. Ai ul kryet me dhembshuri mbi të plagosurin nga mëkati. Pushteti i Tij nuk sundon mbi të tjerët, por shërben; nuk hakmerret, por fal; nuk shtyp, por çliron. Nuk imponohet me anë të zhurmës mashtruese, por vepron në heshtje, plot takt. Kryesisht, vepron si një fuqi shpëtimtare, si dhuratë faljeje dhe dashurie. Krishti i Ngjallur respekton lirinë dhe shenjtërinë e çdo personi njerëzor- madje edhe të atij që ka dyshime për Atë. Pushteti i Tij nuk shkakton frikë, por e çliron qenien njerëzore nga frika, madje edhe nga frika e vdekjes.
Vëllezërit e mi, le të mos harrojmë se Pashkë do të thotë kapërcim, kalim, dalje. Fillimisht i referohej daljes së Izraelit nga skllavëria e Egjiptit. Kjo “e kremte e të kremteve” na fton në një dalje shumëdimensionale: Dalje nga dëshpërimi për shkak të varfërisë, vështirësive të pakapërcyeshme ekonomike, trazirave në rajonin tonë, nga konfuzioni dhe pafuqishmëria që shkaktojnë valët e refugjatëve dhe pasojat e tyre. Dalje nga dëshpërimi që akumulon hidhërimi i padrejtësisë, i shpifjes, i pakënaqësisë dhe i zemërimit për shkak të mosmirënjohjes së atyre që kemi mbështetur ose nga tradhtia e atyre që kemi dashur. Dalje nga dëshpërimi që sjell dobësimi i shëndetit, dhimbja e sëmundjes apo largimi i përhershëm i të afërmve dhe miqve. Dalje nga zhgënjimi që shkaktojnë gabimet, rëniet, mëkatet, dështimet tona.
Fjala e Zotit të Ngjallur te dy nxënësit që po shkonin drejt Emausit tingëllon personale për secilin nga ne: “O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët” (Llk. 24:25-26). Dhe na rikujton me forcë sigurinë e fundit që u dha nxënësve të Tij: “M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé… Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës” (Matth. 28:18 – 20). Kjo është siguria që përsëritet gjatë pagëzimit të çdo të krishteri.
Sa E besojnë dhe E ndjekin me besnikëri Krishtin e Ngjallur, e dinë se nuk janë të vetmuar në realitetin e ashpër njerëzor. Nuk i anashkalojnë kushtet e vështira të jetës së përditshme, por, me fuqinë dhe hirin e Tij, përballen dhe shpesh i transformojnë ato.
Brenda dritës paskale mund të shikojmë me optimizëm dhe mendim krijues jetën tonë, me sigurinë se ecuria dhe zhvillimi i njerëzimit nuk ndodhin pa Krijuesin e botës. Dhe, për më tepër, marrim fuqi për të kryer ndërhyrje të guximshme dhe përpjekjet e duhura sociale duke filluar nga ambienti ynë i ngushtë, familja, qyteti, vendi ku jetojmë.
Le të marrim, pra, nga e kremtja e sotme e ndritshme, fuqi ngjalljeje ndaj dekadencës që na kërcënon, fuqi krijuese për një shoqëri solidariteti dhe dashurie. Fryma e Ngjalljes, le të fuqizojë ecurinë tonë për të dalë nga çdo formë dëshpërimi.
Krishti u Ngjall!
†Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Prill 2016