Biografi e shkurtër
e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Apollonisë
dhe të Fierit Nikolla
Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla (Hyka), lindi më 26 janar 1972 në Zhupan të Fierit .
Përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet priftërore në vitin 2000 në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash, Durrës. Nga viti 2002 deri më 2006, studioi në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2015 kreu studimet pasuniversitare në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, gjithashtu me rezultate të shkëlqyera.
U hirotonis dhjak nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, më 16 prill 2000, prift më 24 maj 2002 dhe episkop më 19 nëntor 2006.
Nga viti 2006 ka shërbyer si drejtor i komanduar i Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash, Durrës. Është anëtar i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave nga viti 2012, ndërkohë që e ka përfaqësuar Kishën e Shqipërisë në shumë takime ndër të krishtera dhe ndërfetare.
Biografi e shkurtër
e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Elbasanit, Andonit
Hirësia e Tij, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andon (Merdani), lindi më 7 dhjetor 1969 në Tiranë.
Kreu studimet në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash, Durrës në vitet 1996-1999. Ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera Fakultetin Theologjik të Universitetit Kombëtar “Kapodistria” të Athinës (2002-2006) dhe ka përfunduar studimet master në “Dhiatën e Re” në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Është diplomuar në nivelin master në “Sociologji – Psikologji – Komunikim” të Arsimit të Lartë “ISSAT”, gjithashtu është diplomuar në Universitetin “UBIS” të Gjenevës.
U qeth murg dhe u hirotonis dhjak nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Joani, në vitin 2000. U hirotonis prift më 21 nëntor 2002 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Më 21 nëntor 2006 u hirotonis Episkop i Krujës si ndihmës i Kryepiskopit dhe shërbeu si protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.
Është anëtar i Bordit të Fondacionit “Frymë Dashurie”, anëtar i bordit ekzekutiv të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”, anëtar i Komitetit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ka dhënë mësim në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në periudhën 2006-2012. Ka marrë pjesë në shumë konferenca, takime dhe aktivitete, duke përfaqësuar Kishën e Shqipërisë.
Biografi e shkurtër
e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Amantias, Nathanailit
Hirësia e Tij, Mitropoliti i Amantias, Imzot Nathanail (Stergiu), lindi në Taksiarhas të Trikalas në vitin 1957. Përfundoi shkollën e mesme “Athoniadha” në Malin e Shenjtë në vitin 1978 dhe Fakultetin Theologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut më 1982.
U qeth murg në Manastirin e Hirshëm të Lavrës së Madhe të Malit të Shenjtë në vitin 1979, u hirotonis dhjak më 1982 dhe prift më 1987 nga Hirësia e Tij, Episkopi i Rodostolit, Krisostomi. Në janar të vitit 2012 u hirotonis Episkop i Episkopatës së ndritur të dikurshme të Amantias nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi.
Ka shërbyer si prift enorie, atë shpirtëror, predikues në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës dhe mësues në liceun kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër. Është anëtar i bordit ekzekutiv të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”.
Më 7 prill 2016 Episkopata e Amantias u ngrit në rang Mitropolie dhe Episkopi Nathanail në Mitropolit Titullar. Gjithashtu kryen edhe detyrën e Kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë.