Botuar në gazetën “Tirana Observer” online, dt. 15 janar 2016

    Arben Llalla ti që kërkon të përulësh edhe Zotin përpara të “vërtetës” tënde dhe kërkon të sfidosh Kishën Orthodokse, si shumë lart e ke marrë, por kjo është zgjedhja jote, ti ke për të parë. Të them të drejtën nuk kam kohë të merrem me ty sepse ti kërkon të na kthesh prapa në kohë dhe të na ngatërrosh me ngjarje që kanë gati një shekull që kanë kaluar dhe nuk kanë lidhje aspak me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që drejtohet nga Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Anastas dhe Sinodi i Shenjtë.

    Unë nuk jam historian që të përballem me fakte historike, por një teolog që ju mësoj njerëzve të duan Zotin dhe të afërmin, të falin armikun,të shohin përpara dhe të përpiqen sa të jetë e mundur të bëjnë mirë e të kenë paqe me të tjerët, se jeta është e shkurtër dhe një ditë do të përballemi me Zotin të Vërtetin, Gjykatësin e drejtë, për të dhënë llogari për çdo punë tonën personale. Por po të replikoj edhe një herë tjetër ashtu siç thotë edhe Shkrimi i Shenjtë “Foli një herë, dy herë dhe po nuk dëgjoi hiq dorë”.

    Në përgjigjen tënde të shpejtë “Replikë me fakte me z. Miron Çako” në gazetën Bota Sot dhe Tirana Observer, data 13 janar përsëri nuk thoni të vërtetën sepse vërtet paraqisni disa fakte dhe fotografi që çdo kush mund t’i shohë shumë lehtë me një të klikuar në faqen e internetit, por ato fakte ju i paraqisni sipas interesit tuaj dhe nuk e thoni të vërtetën të plotë. Vërtet në atë periudhë të vrullshme të formimit të shteteve të çliruara nga dora e Perandorisë Osmane dhe luftërave ballkanike, të parën dhe të dytën botërore (1913,1944) në Greqi por edhe në Shqipëri janë ngatërruar klerikë fetarë me çështjen kombëtare dhe politike. Patjetër duke qenë njerëz kanë bërë gabimet e tyre, koha i gjykon dhe secili merr atë që meriton por po të gjesh një fakt dhe një fotografi dhe me të, të krijosh një telenovelë me shumë seri të mbushura me personazhe dhe histori të hamendësuara, nuk është e ndershme për një historian, siç ju pretendoni.

    Në përgjigjen tuaj ju nuk na tregoni burimet historike nga i keni marrë faktet me të cilat ngrini akuzat për kryepeshkopët dhe episkopët e Greqisë, përveç kësaj ju bëni shumë pyetje retorike: Çfarë? Përse? Në këtë terren që ju paraqisni në shkrimin tuaj, që i ngjan një moçali, shumë mund të mbeten brenda dhe të mbyten në hamendësime dhe trillime, unë nuk do ta jap këtë kënaqësi. Ju përmendi argumente me copëza të vërteta dhe me njerëz të veçantë dhe kërkoni të stigmatizoni të gjithë, jo vetëm Kishën e Greqisë që ka me qindra episkopë dhe mijëra priftërinj por edhe të gjithë krishterimin. Kjo është gënjeshtra juaj e madhe, prandaj edhe kur thoni copëza të vërteta ju jeni i pabesueshëm. Absolutizimi juaj është i pa bazë dhe dashakeq dhe për absolutizimin e personave dhe ngjarjeve me karakter fetar ta kam dhënë përgjigjen në replikën parë.

    Duhet të dish se Kisha si trupi i Krishtit është një Institucion Hyj-njerëzor dhe pjesa njerëzore ka gabime të cilat janë personale,individuale dhe çdo kush përgjigjet vet për ato që ka bërë përpara Zotit,por edhe përpara Kishës. Kisha me sitën e kohës nxjerr nga radhët e saj njerëz që kanë shpërdoruar detyrën që ajo i ngarkoi, prandaj dhe në historinë e Kishës përmenden hererikët, skizmatikët dhe abuzuesit. Në Kishë kriteri për të nderuar një njeri, klerik ose laik është jo kur ai abuzon dhe dëmton të tjerët në emrin e Zotit por kur atë e abuzojnë, e dëmtojnë dhe e vrasin duke e urryer pa shkak se tha të vërtetën me dashuri, këta quhen shenjtorë dhe martirë në krishtërim dhe këta janë modeli dhe shembulli i imitimit. Prandaj edhe sikur personat që ju përmendni në akt-akuzën tuaj janë vërtetë të përfshirë në genocidin kundër popullsisë çame 1944-1945 kjo përsëri nuk ngarkon me faj askënd tjetër përveç atyre. Pra alibia juaj për të akuzuar për këtë fakt Kryepiskopin Anastas i cili në këtë kohë ka qenë një adoleshent 15 vjeçar i paangazhuar në postet drejtuese të Kishës së Greqisë dhe sot Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që drejtohet nga Kryepiskopi dhe Sinodi i Shenjtë është absurditet. Është si p.sh të bëjnë ty fajtor për gabimet e vëllait tënd, kur ti s’kishe lindur ose jetoni të ndarë.

    Ju që pretendoni se keni në dorë kutinë e Pandorës dhe nxirrni prej andej, kur të doni juve, fakte dhe prova që do të na gozhdojnë, pse nuk thoni në shkrimet tuaja se dhe vet Kryepiskopi Anastas që juve e quani një “agjent grek’’ të dërguar nga Kisha e Greqisë në Shqipëri, nuk e shikonin me sy të mirë disa eksponentë edhe brenda Kishës në Greqi, jo vetëm për aftësitë e tij të rralla intelektuale por sepse ai kishte të tjera mendime të frymëzuara nga Ungjilli, për dashuri për të gjithë njerëzit, që Kisha duhet të jetë e hapur për të gjithë kombet pa frymë nacionaliste, që çdo njeri është një ikonë e Krishtit dhe duhet respektuar në dinjitetin e tij dhe për rikujtimin e porosisë së harruar që tha Zoti Krisht: “Dilni në mbarë botën dhe predikoni ungjillin gjithë kombeve” (Mk. 16:15)

    Shkoni në gjithë kombet dhe predikoni Lajmin e Mirë”. E për këtë arsye ai nuk mori në drejtim një episkopate në Greqi, por postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë nga viti 1972-1991. Dhe si një isapostull (i barabartë me apostujt) ka punuar për një dhjetëvjeçar nga viti 1981-1990 për ngritjen e kishave të reja lokale në Afrikë dhe për këtë u nderua me dekoratën “bamirësi i madh”, i Patriarkanës së Aleksandrisë 2009. Nga Afrika ai erdhi në Shqipëri jo i dërguar nga Kisha e Greqisë por nga Patriarkana Ekumenike, në fillim si Ekzark Patriarkal dhe më vonë me kërkesën e të krishterëve besimtarë orthodhoksë, mbi 22 % me kombësi shqiptare, greke, vllahe dhe sllave, ai u kanonizua nga Patriarkana Ekumenike si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 24 .6 .1992 dhe ky një fakt i kryer kishtar dhe i njohur nga gjithë kishat e krishtera si motra në botë, i pranuar nga shteti shqiptar 30. 6 .1992 dhe i fronëzuar në katedralen e Tiranës 2.8.1992, në praninë e të gjithë klerikëve dhe përfaqësuesve laikë të dioqezave të Shqipërisë.

    Por si nuk të tha goja një fjalë të mirë o zoti Arben për këtë njeri të Perëndisë që 24 vjet në Shqipërinë tonë të traumatizuar dha kontributin për ringritjen nga gërmadhat e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke zhvilluar një veprimtari të shumëanshme sociale në fushat e shëndetit,arsimit kujdesit social,mjedisit dhe kulturës? Njëkohësisht ka luftuar për zbutjen e kontradiktave në Ballkan duke ju thënë me autoritetin e Zotit, çdokujt që lufton për interesat e tij në emër të fesë“të mos e përdorë askush vajin e kandilit të besimit për të ndezur urrejtjen fetare.”

    Por fatkeqësisht ti të gjitha këto i quan “mite” në shkrimin tënd amatoresk, të botuar në gazetën Ballkan datë 9-10 janar dhe Dielli.com 11 janar, që ngjan si një përpjekje e një njeriu të dështuar dhe të përçartur për të mbuluar diellin me shoshë.

    Ju quani mit të Anastasit riorganizimin e rreth 460 enorive orthodhokse ku zhvillohen veprimtari liturgjike, predikuese e katekiste në qytete e fshatra.

    Ju quani mit të Anastasit hirotoninë e 150 klerikëve me nënshtetësi shqiptare, të të gjitha gradave me arsim të lartë (Akademia Teologjike) ndërkohë kanë ndërruar jetë 18 klerikë.

    Ju quani mit të Anastasit ndërtimin e 150 kishave të reja, restaurimin e 60 kishave, manastireve, monumenteve të kulturës dhe riparimin e 160 kishave. Blerjen dhe rikonstruksionin e 70 godinave për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritje, punishte, mensa për të varfrit dhe të gjitha këto përbëjnë 250 objekte.

    Ju quani mit të Anastasit krijimin dhe funksionimin e mbi 50 qendrave rinore në qytete e fshatra dhe organizimin çdo vit të veprimtarive rinore si kampingjet verore e dimërore, konferenca dhe veprimtari sportive, aktivitete me të rinjtë me aftësi kufizuara, aktivitete në burgje, shtëpi fëmije, azile dhe festivalet rinore.

    Ju quani mit të Anastasit qendrën diagnostikuese Ungjillëzimi në Tiranë, me 23 specialistë, me shërbime bashkëkohore mjekësore dhe me kontributin e mjekëve të njohur ku në 11 vjet të funksionimit të saj janë realizuar më shumë së 1 milionë vizita e 3 milion analiza për të gjithë njerëzit pa dallim feje dhe me një vlerë të arsyeshme. Po ashtu dhe qendrat diagnostikuese okulstike dhe ORL, qendra të kujdesit parësor, shëndetësor që funksionojnë për të gjithë njerëzit në Kavajë, Korçë, Jergucat (Gjirokastër) dhe Lushnjë.

    Ju quani mit të Anastasit ndërtimin dhe funksionimin e shkollës Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash, Durrës, dy shkollat e mesme Kryqi i Nderuar, Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit, gjithashtu 21 kopshtet në 19 qytete, Kompleksin Arsimor Shqiptaro-Amerikan “Protagonistët” kopësht fëmijësh, shkollë nëntë vjeçare dhe të mesme dhe Shkollën Nëntëvjeçare Shqiptaro-Greke ‘Frymë Dashurie” Gjirokastër, shkollën e mesme Korçë, shkollë teknike Sarandë, shkollën e Muzikës Bizantine, Tiranë, Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, Gjirokastër dhe Shkolla e Lartë Logos , Tiranë, Shtëpia e Fëmijës, Durrës.

    Ju quani mit të Anastasit ndihmat humanitare që Kisha Orthodhokse e drejtuar prej tij ka dhënë: gjatë krizave të ndryshme 1992,1994,1997 duke dhënë ndihma humanitare me shpërndarjen e mijërave ton ushqimeve, veshmbathjeve dhe ilaçe. Ju quani mit ndihmën që iu dha 33000 refugjatëve nga Kosova dhe shumica e këtyre ndihmave nuk erdhi nga bota orthodhokse dhe shteti grek por nga vendet skandinave të Konferencës së Kishave Europiane, të cilat iu përgjigjën thirrjes së Kryepiskopit dhe lanë në dorën e tij dhe të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë menaxhimin e tyre, sepse ai ishte njeriu i besuar për ta.

    Ju quani mit të Anastasit kontributin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në trashëgiminë kulturore në restaurimin e 600 ikonave, me vlerë të madhe jo vetëm artistike por edhe kombëtare siçështë arti i ikonografisë së Shqipërisë dhe kontributi gati 11 milionë euro për restaurimin e monumenteve të kulturës (kisha),etj.

    Këto fakte tregojnë se mit nuk është Anastasi që ndërton, por mit që mohon me nihilizëm gjithçka që bëhet në dritën e diellit je ti.

    Por mirë mo zoti Arben kush je ti që guxon dhe fyen një personalitet të tillë, Kryepeshkopin e Tiranes, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, profesor doktor Anastas Janullatosin, i shpallur doktor nderi i teologjisë apo doktor nderi i filozofisë i 17 universiteteve, fakulteteve dhe degëve universitare në Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali. Njeriu që flet shumë mirë frëngjisht, gjermanisht, anglisht, lexon latinisht,italisht, spanjisht dhe tani shqip. Autorin e dhjetra monografive shkencore dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike ose fetarologjike. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 12 gjuhë të huaja,ka mbajtur ligjërata në tribunat ndërkombëtare,lidhur me dëshmi të sotme të krishtera,dialogun ndërfetar solidaritetin dhe paqen botërore,është nderuar me shumë dekorata dhe çmime nga Kisha të shumta orthodhokse dhe nga vende të ndryshme,mbi 26çmime dhe dekorata,si p.sh çmimi ‘’Athenagora’s Human Rights Award (Nju –Jork 2001), “Për kontributin e shquar për paqen,dialogun dhe mirkuptimin’’ (Moskë 2006) dhe dekorata ‘’Gjergj Kastriot Skëndërbeu e Republikës së Shqipërisë 2010 dhe tani në Vatikan “Giuseppe Sciacca” për Aktivitet Hierapostolik, Solidaritet Social dhe Humanizëm dhe në vitin 2000 kandidat për çmimin Nobël për paqen.

    Ta fyesh këtë njeri dhe të diskutosh mbi formimin e karakterit të tij duke bërë analiza psikologjike për atë në shkrimin tuaj “një intervistë mitomane e Kryepiskop Anastasit”(dt 10 janar) dhe duke e quajtuar një agjent të rëndomtë, një shkatërrues të Institucionit të Kishës Orthodhokse,një rrezik kombëtar, ti nuk je duke fyer atë por gjithë botën që e nderon dhe vetë Shtetin Shqiptar i cili e nderoi me dekoratën e heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeut’’. Me duket se e ke tepruar shumë dhe po bëhesh qesharak, urrejta pa shkak të është bërë opsesion, mendoj se ke nevojë për një psikolog, do ishte mirë një atë shpirtëror që të rrëfehesh, por ti nuk do.

    Por mirë o zoti Arben që thua se jam shqiptar, çfarë je duke bërë për Shqipërinë sot, që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian dhe së bashku me vendet fqinje si Greqia, etj? Apo ty nuk të inereson kjo gjë, ndoshta ty të intereson vetëm kthimi i kokës prapa tek baba dovleti që na izoloi nga Europa e qytetëruar për 500 vjet, ku do të dalësh ti, çfarë do të thuash që grekët janë armiq, se ata janë të krishterë, dhe e ardhmja e Shqipërisë është ribashkimi me Turqinë? Por ti je i vonuar se edhe vetë Turqia e shikon të ardhmen në Bashkimin Europian dhe aq më shumë vendi ynë i cili ka 26 vjet tranzicion, duke u përpjekur akoma dhe nuk po bëhemi pjesë e kësaj Evrope sepse duhet të përmbushim disa kritere dhe boshllëqe që na lanë shekujt e pushtuesve osmanë dhe komunizmi ateist.

    Por ne të krishterët orthodhoksë të Shqipërisë kemi hyrë në Europë dhe nderohemi dhe jemi faktor i rëndësishëm në botë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u njoh dhe u bë anëtare e rregullt e Konferencës së Kishave Europiane (CEC), anëtare e Këshillit Botëror të Kishave (WCC)si dhe organizmit ndërfetar global “Fetë për Paqen” dhe këtë e ka bërë të mundur ky njeriu “ky agjenti‘’ që është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të shquara të organizmave ndërkombëtare, President i Komitetit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror pranë KBK nga viti 1984-1989 Zëvendëspresident i Kishave të Europës 2003-2009 dhe president nderi i Konferences Botërore të Feve për Paqen 2009 e në vazhdim.

    Në Tiranë në datat 6-8 shtator u organizua takimi ndërfetar “Paqja është e mundur” dhe protagonist kryesor ishte Kryepiskop Anastasi dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë së bashku me Kishën Katolike dhe Komunitetin Sant’Egidio ku morën pjesë 400 liderë fetarë të të gjitha feve në botë. Kryepiskopi Anastas, mbajti një nga fjalët përmbyllëse. Ai tha ndër të tjera se: Perëndia është gjithmonë me paqebërësit dhe na frymëzon e mbështet në përpjekjet dhe mundimet tona. Ne të krishterët dimë se Perëndia vetë është dashuri dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në atë (1 Jn. 4:16). Çdo dhunë në emër të fesë dhunon esencën e fesë.

    Gjithashtu nga 2-4 nëntor 2015, në Tiranë u zhvillua Konsultimi i parë Ndërkombëtar për temën “Diskriminim, persekutim, martirizim: Duke ndjekur Krishtin së bashku”. Në takim morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës, nga 65 shtete nga Azia, Afrika, Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe nga gjithë Veriu i Globit si përfaqësues të Kishës Orthodhokse, Katolike, Këshillit Botëror të Kishave, Aleancës Botërore Evangjelike dhe Pentekostalët. Ata diskutuan problematikën e përndjekjeve të krishtera nga fondamentalizmi islamik dhe pasojat e tyre tek të krishterët në mbarë botën dhe u zgjodh Shqipëria për simbolikën e vuajtjes dhe martirizimit që kaluan të gjitha besimet gjatë persekutimit ateist. Gjithçka u realizua me mikpritjen e Kishës Orthodhokse që drejtohet nga Kryepeshkopi Anastas.

    Unë nuk jam avokati i djallit që është babai i gënjeshtrës,as avokati i Anastasit sepse ai nuk ka nevojë për avokat që të mbrohet, “se pema njihet nga frutat”, por jam duke të thënë atë që është e vërtetë dhe në interesin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

    Po le të pyesim popullin kush do ishte më i mirë për të, një “agjent grek” që ndërton dhe kontribuon që të njihemi në Europë dhe të bëhemi pjesë e saj integrale apo një nacionalist ekstremist që do të na izolojë dhe armiqësojë me fqinjët dhe të na kthejë prapa në luftra dhe gjakderdhje etnike dhe fetare?

    Dëgjo edhe 2 fjalë për çështjen çame,me që e ke një shqetësim të madh. Unë që po të shkruaj jam një i krishterë me origjinë shqiptare dhe dhëndër tek çamët Paramithiotë, por n.q.s. do t’i shërbesh me të vërtetë çështjes çame që është një çështje për “Çezarin”. Vetë integrimi në Europë do t’i japë një zgjidhje të natyrshme kësaj çështjeje që me të vërtetë është e dhimbshme, prandaj shiko përpara dhe n.q.s. ke ndërmend të bësh diçka që ne të qytetërohemi si popujt e Europës që dinë të falin dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin në një Europë të bashkuar bëje,në të kundërtën mos vazhdo këtë rrugë se jo vetëm do dëmtosh veten por do t’i shtosh akoma më shumë energjitë negative këtij populli i cili ka vuajtur prej kaq shumë kohësh nga njerëzit që për interesat e tyre kane lënë mbrapa një tokë të djegur.

    Në replikën e shpejtë, besoj se harrove të sqarosh pse nuk the të vërtetën në lidhje me dhoksollogjinë e flamurit që u krye pothuajse vetëm në çdo kishë orthodhokse edhe në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit” nga Fortlumturia e tij Kryepiskopi i Tiranës Durrësit Elbasanit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, por t’i këtë e mohove dhe gënjeve duke thënë që nuk u krye. Uroj që të gjitha ato që ke shkruar me mllef dhe shpifje kundër Kryepiskopit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë t’i kesh bërë nga padija dhe jo nga …? Dhe mos kujto se ne orthodhoksët s’jemi burra dhe jemi frikacakë, por burrë është ai që thotë të vërtetën dhe fal, të drejtën e hakmarrjes, e ka Zoti, Gjykatësi i Drejtë.

 

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit