Me rastin e festës së Krishtlindjes, të shtunën, 26 dhjetor 2015, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, shtroi një darkë zyrtare në Pallatin e Brigadave, ku ishin të ftuar përfaqësues nga komunitetet e krishtera dhe nga komunitetet e tjera fetare në vend, drejtues të institucioneve të pavarura, deputetë etj. Në darkë mori pjesë edhe një përfaqësi e zgjeruar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, kryesuar nga Kryepiskopin Anastas, ku bënin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe klerikë e laikë nga Kryepiskopata dhe nga tri Mitropolitë.

    Në përshëndetjen e tij, Presidenti, Z. Bujar Nishani, ndër të tjera theksoi: “Jam i nderuar të jem sonte mikpritësi juaj. Ndihem gjithashtu i lumtur që kam mundësi të përsëris se feja është instrument paqeje dhe dashurie, se ajo nuk duhet instrumentalizuar dhe përdorur në shërbim të ideve dhe qëllimeve totalitare e integraliste. Ne shqiptarët mund ta pohojmë me forcë këtë, mund ta përçojmë kudo mesazhin tonë, por kemi edhe detyrën të dekurajojmë, të izolojmë, të mposhtim çdo tentativë që cenon trashëgiminë tonë, të sotmen apo hedh hije dyshimi për të ardhmen.

    Bashkësia Ortodokse, Bashkësia Katolike dhe Vëllazëria Ungjillore si dhe prijësit e tyre e kanë bërë gjithmonë këtë shërbesë dhe shfrytëzoj rastin t’iu shpreh admirimin tim të thellë personal dhe institucional, si dhe vlerësimin plotësisht të merituar të të gjithë shqiptarëve në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptar!

    Ju falënderoj të gjithë! Edhe njëherë, siç urojmë ne shqiptarët: Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet!”

    Në emër të Kishës sonë përshëndeti Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili falënderoi për ftesën, e cila është e para e këtij lloji për këtë të kremte të madhe, si dhe theksoi rolin që kanë luajtur komunitetet fetare në zhvillimin e gjithanshëm të vendit në këta 24 vjet.

    Gjithashtu, përshëndetën e dhe Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Mons. Angelo Masafra dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, pastor Ali Kurti.