Nën tingujt ngjallësorë të Muzikës Bizantine dhe me pjesëmarrjen e një publiku të shumtë, besimtarë, specialistë të muzikës, deputetë, diplomatë etj., ditën e mërkurë, 16 dhjetor, në Sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua promovimi i librit të plotë muzikor e liturgjik “Anastasimatari”, përshtatur dhe kompozuar në shqip nga Theodhor Peci, drejtor i Shkollën së Muzikës Bizantine të Kishës sonë dhe drejtues i Korit Bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”.
Anastasimatari apo “Ngjallësori” është libri bazik psaltik, që përmban, kryesisht, vargëzimet ngjallësore të Tetëtingullshit, bashkë me të gjitha ato që konsiderohen si të tilla, domethënë vargëzimet e anatolit, vargëzimet dogmatike sipas alfabetit të Joan Damaskinit, Hyjlindësoret dogmatike, njëmbëdhjetë lavditë mëngjesore të Leontit të Urtë dhe shkallesat e tetë tingujve.
Programi, i moderuar nga muzikologia Mikaela Minga, nisi me prezantimin e katër folësve kryesorë, Akademikut Vasil Tole, znj. Meri Kumbe, pedagoge e Muzikës Bizantine në Universitetin e Arteve, drejtuesi i Institutit të Muzikologjisë Bizantine të Sinodit të Shenjtë të Greqisë prof.dr. Grigorios Stathis, si dhe bashkëpuntori shkencor i këtij instituti dr. Grigorios Anastasiu.
Në fjalën e tij, z. Toletheksoi rëndësinë e librit si pjesë e rimëkëmbjes së Kishës Orthodhokse, por dhe vlerëne futjes së gjuhës shqipe në psalmodinë e krishterë nga Imzot Theofan Noli dhe pararendës të tjerë. Aiu shpreh se:“Në rast se sot e themi me plot gojën, se fjalën e shenjtë në gjuhën shqipe e solli mjeshtërisht Imzot Fan S. Noli, tash e tutje kësaj të vërtete do t’i shtojmë të vërtetën tjetër, që fjalën dhe muzikën bashkë, … na e solli Theodhori përmes “Anastasimatarit”, si një dokument këndimi i standardizuar i morfologjisë së Muzikës Bizantine në gjuhën shqipe, i Liturgjisë që këndohet në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përgatitur me dashuri dhe me kompetencë të lartë prej tij.”
Ndërsa folësja e dytë, znj. Kumbe, dha një panoramë të historisë së Artit Psaltik në Shqipëri, e cila ndahet në tre periudha të mëdha, atë të dorëshkrimeve që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, më pas me rilindjen dhe formimin e shtetit shqiptar me përfaqësues Nolin, Dhimitër Bedulin, Konstandin Trakon, Spiro Kondan, Sotir Kosmon etj. dhe me periudhën e tretë, pas rënies së komunizmit, me Atë Justin Anthimiadhin, atë Damaskin Grigoriatin, Hirësi Ignatin, Mitropolitin e Beratit, atë Spiro Kostolin, Harallamb Terziun, Theodhor Pecin etj.
Më pas, referuesi kryesor, z. Stathis, e cilësoi Anastasimatarin e plotë në shqip si “…ngjarje historike, që përuron një serë botimesh të ngjashme, që me hirin e Perëndisë do të pasojnë, për t’i lëçitur në mënyrë sa më të përshtatshme himnet e adhurimit në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe kudo kupsalen himne në gjuhën shqipe”. Më pas theksoi se “gjuha dhe psalmodhia janë të pandara nga njëra-tjetra” dhe se Kisha Orthodhokse e pranoi ekzistencën e shumë gjuhëve dhe nevojën e adhurimit të madhështive të Perëndisë në “gjuhën amtare të gjithsecilit”. Mandejai shtjelloi në mënyrë analitike tre elementët përbërës të melodisë pra, “fjalën – si trupi dhe jeta; melodinë – si veshja e nderuar dhe e çmuar; dhe ritmin – si lëvizja e përhershme dhe harmonike, të cilat janë të pandara dhe bashkëqenëshme dhe përbëjnë “treshen e shenjtë” të Artit Psaltik. Kur psalti i njeh mirë të tre këta elementë – dhe duhet t’i njohë mirë, “nëse nuk dëshiron të jetë thjesht psalt me emër” (priftmurgu Gabriel), atëherë ai është i lirë dhe i aftë të përpunojë dhe të ripërpunojë, aty ku është e nevojshme, materialin muzikor ekzistues, të trashëguar nga e shkuara, në atë mënyrë, që çdo gjuhë, në të cilën psalet, të gjejë formën e përkryer të stolisjes së saj me veshjen e çmuar të melodisë dhe rrjedhshmërinë e natyrshme, edhe pse të shumëllojtë, të ritmit të saj. Dhe me këto njohuri të përdorin frazat e përshtatshme melodike (thesis) për çdo fjalë dhe kuptim të gjuhës origjinale, të cilat ose mund të ruhen të plota, ose të tjetërsohen, dhe dëgjimi i tyre të tingëllojë po aq bukur në çdo gjuhë tjetër. Psaltin, njohja e mirë e bën melodist, domethënë e bën përdorues të urtë të traditës dhe kompozitor krijues, sepse tradita është gjithmonë pikënisja dhe forca për krijime të reja”.
Referuesi i katërt, z. Anastasiu, u përqëndrua më shumë te mënyra se si është përpiluar ky Anastasimatar në shqip. Ai theksoi se “Puna e përshtatjes së melodisë psaltike në një gjuhë tjetër, së pari kërkon njohje të mirë të të dyja gjuhëve, njohje shumë të mirë të funksionimit të shkrimit muzikor dhe të ortografisë së tij dhe pa dyshim ndjeshmëri muzikore dhe aftësi kompozicionale, duke njohur rregullat e kompozimit serioz, sepse dihet që çdo vepër e përshtatur, pak a shumë është edhe një kompozim i ri. Të gjitha sa përmenda më sipër Theodhor Peci i zotëron më së miri. Puna e tij karakterizohet si përshtatje dhe kompozim, sepse atje ku ishte e mundur, ai ruajti meloditë klasike të “Anastasimatarit” të Petro Peloponezit dhe Joan Protopsaltit, por kur veshja muzikore nuk i përshtatej trupit-fjalës, ai ndërhyn duke na dhënë një kompozim të ri. Për më tepër, çdo kompozitor i jep përparësi përherë veshjes muzikore të fjalës, sa më mirë të mundet. Dhe le ta themi edhe këtë, se “Anastasimatari” që mbani në duar, nuk është thjesht një produkt i dalë nga puna individuale apo laboratorike. Ky libër sprovohet çdo ditë si doracaku kryesor i mësimdhënies së Artit Psaltik në Shkollën e Muzikës Bizantine të Kryepiskopatës së Shqipërisë dhe kryesisht lexohet si ungjill muzikor ngjallësor çdo të diel në Kishën Katedrale të Ngjalljes”.
Në fjalën e tij autori i librit shpjegoi se “Ky libër në vetvete ishte një sfidë sa e bukur aq dhe e vështirë. Ekzistenca e tij erdhi si nevojë esenciale për studentët e brezit të parë të Shkollës së Muzikës Bizantine, për lehtësim në mësimdhënie, por edhe si domosdoshmëri në interpretim për Korin Bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” gjatë të dielave në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Puna nisi në janar 2013 dhe përfundoi, me hirin e Perëndisë, në gusht 2015.” Më pas ai falënderoi Perëndinë, mësuesit e tij të Artit Psaltik, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, katër folësit dhe veçanërisht Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, që kontribuoi, shenjoi, mbështeti dhe frymëzoi rrugëtimin e jetës së tij shpirtërore dhe profesionale, duke e cilësuar atë si arkitektin e ringjalljes dhe ringritjes së Kishës sonë, por dhe duke ia dedikuar këtë libër atij.
Më pas, brenda një atmosfere duartrokitjesh dhe hareje u ngjit në skenë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i cili bëri një vështrim drejt së kaluarës që nga viti 1991, kur muzika në shërbesa ishte një problem i madh. Ai iu referua korit me drejtues Milto Vako, që interpretonin muzikë ruse kishtare, që Kryepiskopi e mbajti dhe e vazhdoi këtë traditë. Por, njëkohësisht, filluan kurset e Muzikës Bizantine në Akademinë Teologjike nga atë Justini dhe më pas nga atë Damaskinoi. Por u dërguan dhe me studime jashtë shumë studentë si Harallamb Terziu, atë Spiro Kostoli etj. dhe më pas Theodhor Peci, me sugjerimin e atë Justinit. Ai foli për vështirësitë që z.Peci hasi pas kthimit nga studimet, punën me korin dhe krijimin e Shkollës së Muzikës Bizantine dhe frytin e përpjekjeve të tij, librin e Anastasimatarit. Kryepiskopi theksoi se Kisha Orthodhokse ka qenë përherë faktor civilizimi dhe që gjithnjë ka folur nëpërmjet muzikës, poezisë, bukurisë së kishave dhe me anë tëmbledhjes së njerëzve në një shoqëri dashurie. Ai përfundoi me një gjë shumë të sigurt “se e vërteta, bukuria dhe dashuria janë gjithmonë bashkë në Orthodhoksi”.
Më pas, Kori Bizantin i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” interpretoi disa himne të shkëputura nga Anastasimatari, tingëllimi dhe jehona e të cilave përmbylli këtë aktivitet mbresëlënës.