Botuar në gazetën “Tirana Observer” & “Balkanweb” online, dt. 19, 20 nëntor 2015

    Duke parë dhe duke dëgjuar përgjatë gjithë këtyre ditëve, të mbushura me tension për të vrarët 129 viktima dhe të plagosurit e shumtë në rrugët e Parisit, nga dhuna patologjike e disa njerëzve fondamentalistë ekstremistë, të cilët mendojnë se duke vrarë veten dhe të tjerët i shërbejnë Zotit (Allahut), instinkti i vetëmbrojtjes menjëherë të pozicionon për të gjetur dhe u bashkuar me mendimet, ndjenjat dhe veprimet e një grupi të caktuar i cili e shikon grupin tjetër si armik dhe e kundërsulmon nga ana mediatike dhe fizike si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur. Kjo gjë që ndodhi në Paris nuk është fillimi por vazhdimi i kësaj situate të pa precedent që po merr jetën e shumë njerëzve dhe këtu kujtoj vrasjen e shumë pengjeve, burrave, grave, fëmijëve që është bërë shkak për një valë biblike emigracioni me njerëz që ju ka mbetur si qëllim parësor dhe i vetëm shpëtimi i jetës së tyre, numri i tyre është gati 4 milion që kanë emigruar nga Siria dhe 270 mijë kanë kërkuar azil në Europë, ose sabotimi dhe hedhja në erë e një avioni plot me turistë rusë në Gadishullin Sinai ku mbetën të vdekur 224 viktima. Raporti i kombeve të bashkuara na jep një statistikë se që nga momenti që u shfaq fenomeni ISIS deri në prill të vitit 2015 janë vrarë në Irak edhe Siri nga këta ekstremistë gati 25’000 njerëz dhe po t’i shtojmë viktimat gjatë këtyre muajve ky bilanc bëhet më tragjik.

    Të gjitha këto ngjarje që pushtojnë lajmet e të gjithë botës çdo ditë po na shfaqen si një reaksion zinxhir që nuk po ndalet ose si një vorbull që brenda saj po na gëlltit dalëngadalë të gjithëve dhe për shumëkush është prologu i një lufte të tretë botërore. Edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo ngjarje ka një ndikim të madh jo vetëm se jemi pjesë e kontinentit por të ardhmen tonë e shohim në perspektivën si vend anëtar i Europës. Nga Shqipëria dhe Kosova janë rekrutuar nga ISIS-i elementë ekstremistë dhe terroristë, që janë bërë pjesë e kësaj ushtrie të zezë dhe kur ndonjë prej tyre shfaqet në ekranet mediatikë dhe kërcënon për shkatërrim, terror dhe vdekje besoj se të gjithë nuk ndjehemi mirë dhe nuk do të donim që ai të ishte shqiptar terrorist. Shteti Shqiptar duke bërë aleancë me vendet e BE kundër terrorizmit me veprime konkrete është i kërcënuar me hakmarrje nga terroristët.

    Por kush është fajtori për këtë situatë?

    Opinionet janë nga më të ndryshmet deri tek ato më konspirativet, madje kur dëgjuam edhe nga një kryetar i një shteti të fuqishëm si Vladimir Putin që ISIS e financojnë dhe bëjnë tregti me të gati 40 vende dhe 12 prej tyre nga G20 situata bëhet akoma më e ndërlikuar deri në ankth kur mendon çdo të sjellë e nesërmja.

    Por ajo që më shqetëson më shumë dhe më nxit për të shkruar këtë shkrim është opinioni ose përcaktimi i kësaj situate si një luftë fetare mes myslimanizmit dhe krishtërimit dhe anasjelltas. Kjo akuzë bëhet nga opinionistë ateistë që i qëndrojnë kundra Zotit dhe n.q.s. ky është një konstatim i drejtë atëherë fajtori është Zoti dhe faji besimi në Zot që për ateistët është shkaku i shumë luftërave dhe tragjedive të pa nevojshme gjatë shekujve të padijes. Por a është Zoti fajtor i cili i frymëzon fetarët të urrejnë dhe luftojë njëri -tjetrin që në mënyrë paradoksale këto luftëra midis tyre i bëjnë këtë në emër të Një Zoti, Krijuesit. Që t’i japim përgjigje kësaj duhet të tregojmë shkurtimisht konceptin e Zotit si një qenie personale si dhe marrëdhënien e tij me njeriun besimtar. Zoti Perëndi është një Qenie Hyjnore që ekziston nga vetvetja, i përjetshëm që nuk ka as fillim, as mbarim dhe përtej perceptimeve tona të çdo feje apo kulture,prandaj asnjë fjalë, asnjë koncept dhe asnjë përkufizim nuk mund ta përcaktojë plotësisht atë. Ai është i vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për shërbim. Ai është i përsosur në të gjitha atributet d.m.th. është i gjithëfuqishëm, i gjithëditur, i gjithëmirë dhe burim i mirësisë,i gjithëdrejtë dhe gjykatës me drejtësi, i gjithi dashuri. Pra një qenie e përsosur absolutisht e bukur dhe e lumtur. Duke qenë i gjithi dashuri Ai është krijues nga hiçi i të gjitha atyre, që ne i shohim dhe nuk i shohim, dhe në mënyrë të veçantë i njeriut që ndryshe nga kafshët, që udhëhiqen nga instinkti, njeriu është i krijuar sipas ikonës imazhit të Perëndisë, pra me shpirt të arsyeshëm, i lirë për të zgjedhur,i përgjegjshëm për veprimet e tij,i aftë për të ushtruar sundimin mbi të gjithë krijimin me dashuri. Në çdo fe monoteiste njeriu vjen nga një farë e vetme njerëzore dhe pavarësisht se është i ndarë në raca, gjuhë dhe kombe ai në thelb është vëlla me tjetrin. Njeriu duhet t’i bindet vullnetit dhe porosive të Zotit të tij të cilat përmblidhen në këto dy porosi, duaje Zotin dhe duaje të afërmin si veten. Njeriu duke qenë i krijuar sipas ikonës së Perëndisë ka aftësi dhe mund ta bëjë këtë psh. ashtu si Perëndia është i përsosur edhe njeriu mund dhe duhet të jetë i përsosur, i pastër moralisht, i mëshirshëm, i duruar, i butë, i dashur, i lirë, vetvendosës për ekzistencën e tij d.m.th. realizues i gjithçkaje të mirë. Kështu duhet të jetë njeriu besimtar, në këtë mënyrë gjithmonë duke u rritur dhe duke u zhvilluar në virtytin dhe përsosjen hyjnore për jetë të jetës me anë të vullnetit të fuqisë së Perëndisë. Përsosja e njeriut është rritja e tij në përsosjen pa mbarim të Perëndisë, prandaj ne të krishterët besojmë dhe pohojmë se Perëndia u bë njeri në Jisu Krishtin që njeriu të bëhet perëndi sipas hirit. U zgjata në këtë pikë, se për ne të krishterët, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë fetare, sepse Zoti Krisht që ne besojmë dhe imitojmë,është kundër dhunës dhe luftës, shkatërrimit dhe vdekjes që ajo lë pas. Në Ungjill na thuhet se kur njëri nga nxënësit kërkonte ta mbronte Atë duke nxjerrë thikën për të vrarë armiqtë, Krishti i tha: Petro fute thikën në këllëf, se kush merr thikën nga thika do të vdesë. Krishtërimi si besim kurrë nuk mund të përhapet me anë të dhunës si psikologjike dhe fizike.

    Kur disa ateistë përdorin fakte për luftë fetare dhe për këtë i referohen Biblës në Dhjatën e Vjetër ku na flitet për luftërat e Izraelit me kombet, interpretimi i tyre është i gabuar në kontekstin si luftë fetare sot. Izraeli ishte një komb që kërkonte një vend dhe një mbretëri në tokë të cilën e mori me luftë. Me ardhjen e Krishtit kjo mbretëri tokësore nuk ekziston më, sepse mbretëria e Zotit që themeloi Krishti nuk është në ndonjë vend të dukshëm tokësor por në zemrat e besimtarëve. Ai tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme, as nuk mund të thuhet këtu ose aty, por ja mbretëria e Perëndisë është në mesin tuaj” (Lk. 17:21) Prandaj Krishti dhe Kisha nuk kërkojnë një komb dhe një mbretëri tokësore, kështu nuk mund të përdorim mjetet e dhunshme të kësaj bote për mbrojtje dhe ekspansion. Ashtu si Krishti i përgjigjet Pilatit: “Mbretëria ime nuk është e kësaj jete, po të ishte prej kësaj bote mbretëria ime, shërbëtorët e mi do të përpiqeshin që të mos jepem në duart e judenjve” (Ll. 18: 36-37)

    Kur kjo ka ndodhur ndonjëherë gjatë historisë 2000 vjeçare të krishterimit, kjo nuk ka qenë nga i gjithë krishtërimi dhe aq më tepër ka qenë një devijim i frymës së krishterë që pavarësisht se këto kryqëzata u drejtuan kundër armiqve të kryqit degjeneruan dhe dëmtuan vetë të krishterët, sidomos kryqëzata e katërt 1204 që sulmoi Kostandinopojën dhe terrorizoi popullatën e krishterë orthodhokse dhe ata që ndjehen përgjegjës për këto veprime sot kanë kërkuar falje.

    Por edhe muslimanizmi që është një fe monoteiste nuk e shikon luftën si të shenjtë sepse kjo bie në kontradiktë me vetë islamin që do të thotë paqe. Shumë teologë të sotëm myslimanë termin kuranor xhihad e përkthejnë në katarsis të brendshëm d.m.th. me luftë që bën besimtari për t’u pastruar nga pasionet mëkatare, që ndërfuten midis Zotit dhe njeriut dhe e prishin harmoninë e fesë. Prandaj nga ajo që thamë më sipër as Zoti nuk e do luftën, as fetarët që i besojnë Atij me të vërtetë nuk e duan. Sepse atje ku ka luftë nuk ka më fe sepse nuk ka më liri dhe atje ku nuk ka liri nuk ka më Perëndi. Që fetarët e vërtetë nuk e duan luftën e vërteton bashkëjetesa ndër shekuj e të krishterëve dhe e myslimanëve edhe në ato vende ku sot ka konflikt dhe dhunë fetare. Ose një shembull më të prekshëm mund të marrim vendin tonë ku të krishterët dhe myslimanët jo vetëm bashkëjetojnë, por kanë edhe lidhje familjare dhe kjo nuk i pengon që duke qenë të ndryshëm si fetarë të jenë të njëjtë si familjarë, qytetarë dhe bashkatdhetarë.

    Por kush është fajtori?

    Për besimtarin shkaku i së keqes nuk është njeriu por ai që e frymëzon atë për të keqen dhe ky është djalli, një engjëll rebel që u largua nga prania e Zotit dhe e urren Atë dhe gjithë veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë njeriun se te çdo njeri ai shikon Zotin. Ky quhet babai i gënjeshtrës dhe njerivrasës që nga fillimi. Ai ka emra të ndryshëm në fe të ndryshme si dragua, satan, shejtan,por është i njëjti, ai është shkaku i parë i vëllavrasjes, i shkatërrimit dhe i vdekjes. Ai është mjeshtër i kamuflimit dhe me rrjetën e tij të madhe të gënjeshtrës kap brenda saj shumë“peshq” d.m.th. njerëz që e humbin arsyen. Brenda saj gjejmë fetarë hipokritë, heretikë, fondamentalistë ekstremistë,ateistë blasfemues, nacionalistë pa moral, lakmitarë të pa ngopur, diktatorë të frikshëm, maskilistë, feministë, të devijuar, prindër të papërgjegjshëm, të rinj pa përvojë, të paditur deri tek indiferentët dhe të gjithë këta mbasi i peshkon me rrjetën e tij, i përplas me njëri-tjetrin në trullosje deri në asgjësim.

    Për ironi të fatit të keq kur grupi i rrokut Eagles of Death Metal që po performonte në sallën e koncerteve Bataclan po i këndonte djallit duke i thirrur me aprovimin e turmës “kiss the devil”, puth djallin, në këtë moment u dëgjuan krismat e armëve dhe u vranë viktimat e para nga tre ekstremistë.

    Tani e gjetëm fajtorin, është djalli dhe le ta godasim me gurë. Të njëjtën gjë bëri edhe çifti i parë i njerëzimit që kur Zoti po i kërkonte llogari për mëkatin ata thanë fajin e ka djalli. Por nuk është vetëm faji i djallit i kësaj të keqeje kundër njerëzimit, por dhe i vetë njerëzimit që shpeshherë gjatë historisë së tij e ka dëgjuar atë duke i sjellë luftë dhe vdekje vetvetes. Prandaj të gjitha këto që po ndodhin duhet të na tronditin në themel të qenies sonë dhe duhet të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes që është zëri i Zotit te çdokush dhe na qorton duke na thënë jeni duke gabuar rëndë. Duhet të reflektojmë sa më shpejt dhe të bëjmë një kthim nga rruga e gabuar ku po ecim.

    Përgjegjësinë e parë e kanë drejtuesit fetarë që të mos lejojnë me predikimet dhe shembullin e tyre të tjetërsohet imazhi i drejtë dhe i vërtetë i Zotit të paqes dhe dashurisë. Duhen marrë veprime konkrete dhe në këtë situatë më kujtohet thënia lapidare e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së tij Anastasit, i cili ndërhyri për shuarjen e konfliktit të serbëve dhe kosovarëve që disa kërkuan ta paraqisnin si një konflikt fetar,ai i tha: “askush mos të përdorë vajin e kandilit të kishës për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare”,madje mbas mbarimit të luftës ai bëri një veprim për të qenë shembull, grumbulloi nga njerëz që e duan paqen para dhe ua ofroi ato serbëve për të rindërtuar një kishë të djegur nga kosovarët dhe kosovarëve për të ndërtuar një xhami nga ekstremistët serbë. Gjithashtu është i spikatur kontributi i tij dhe i Kishës Orthodhokse për përkujdesjen e 33’000 kosovarëve që shumica e tyre i përkisnin besimit mysliman, të cilët kur provuan mikpritjen humane të Kishës Orthodhokse thanë: ne i dinim ndryshe të krishterët “shkja”, por na u bënë vëllezër. Po jo vetëm Kisha Orthodhokse por të gjitha komunitet fetare kanë kontribuar në ndihmën shpirtërore dhe sociale të vendit dhe sidomos në bashkëjetesën fetare që është si një kurorë nderi për kombin.

    Gjithashtu kanë përgjegjësi shtetarët e vendit që ta ruajnë këtë mozaik të bukur të harmonisë fetare,ku shumë vende të botës së civilizuar me shumë se ne, na kane zili dhe e promovojnë Shqipërinë si vendin e harmonisë dhe vëllazërisë fetare duke e parë atë si një vend të sigurtë për të organizuar konferenca globale si ajo për paqen në botë në datat 6 – 8 shtator me temë: “Paqja është gjithmonë e mundshme” e organizuar nga komuniteti i Sant Egidios, Kishës Orthodhokse dhe Kishës Katolike në bashkëpunim me Shtetin Shqiptar ku morën pjesë 500 delegatë nga 30 besime të ndryshme nga e gjithë bota.

    Por shteti duhet të ruajë balanca të barabarta dhe mos lejojë diskriminim të një grupi të caktuar fetar dhe të ndërhyjë sipas ligjit për të izoluar çdo individ dhe grup që kërkon të prishë këtë harmoni, këtë bashkëjetesë fetare,dhe të mos i lejojë që të prishin imazhin e brishtë të Shqipërisëdhe ta bëjë atë një vend furnizues me elementë terroristë që rrezikojnë paqen në botë. Por jo vetëm ekstremistët fetarë por edhe ekstremistët nacionalistë duhen ndaluar, se alkimia e këtyre dy grupimeve prodhon energji shumë negative të pamenaxhueshme për destabilitetin e vendit dhe rajonit.

    Gjithashtu ateistët në këtë vend dhe në të gjithë botën e civilizuar të mos akuzojnë vetëm fetarët duke ia faturuar atyre të gjithë dëmin, por të bëjnë autokritikën e tyre, të mbajnë përgjegjësi për çfarë po ndodh siç thuhet: “hipokrit hiqe më parë trarin nga syri yt pastaj ashklën nga syri tjetrit” të mos blasfemojnë duke fyer sentimentin fetar dhe kështu krijojnë një fondamentalist ateist që në mënyrë ekstreme i përndjek fetarët duke qenë vet ata shembulli negativ i shkeljeve të të drejtave dhe lirisë së njeriut që si parim themelor ka: “Liria jote mbaron kur fillon liria e tjetrit”. Të pushtetshmit dhe të pasurit e botës, ata që me anë të parasë mendojnë se mund të kontrollojnë dhe vendosin për gjithçka, duhet të kuptojnë se shkak i terrorizmit është edhe varfëria me padrejtësinë. Gjithashtu duhet të kuptojnë se nuk janë “zot” por njerëz të vdekshëm dhe lufta është një fatkeqësi për të gjithë dhe nga hiri i shkatërrimit mund të mbijë bari i fushës por jo qytetërimi human. Të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë se: “i Zotit është dheu dhe gjithçka është në të“. Dhe se fundmi për mua kjo nuk është luftë fetare as përplasje qytetërimesh apo kulture dhe zona influence por mbrapa të gjithave është e keqja kundër gjithë njerëzimit.

    Le ta ndalojmë së bashku, fetarë dhe ateistë, këtë të keqe sa nuk është vonë për të gjithë!

 

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit