Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Njoftim

Kryepiskopit Anastas i jepet Çmimi “Giuseppe Sciacca”

   

    Romë, e shtunë 7 nëntor 2015

    Çmimet ndërkombëtare “Giuseppe Shakka” do të nderojnë me çmim kryesor të Komisionit Organizator “Për Aktivitet hierapostolik, Solidaritet social dhe Humanizëm”, një prej personaliteteve më të mëdhej të epokës sonë, me rrezatim botëror, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin. Ceremonia e 14-të zyrtare e ndarjes së çmimeve, do të zhvillohet ditën e shtunë, 7 nëntor 2015, në orën 5.30 pasdite, në Aula Magna të Universitetit Pontifik Urbaniana, në qytetin e Vatikanit, në prani të autoriteteve kishtare, politike, ushtarake, të shkencëtarëve dhe të artistëve, si dhe me pjesëmarrjen e shtypit vendas dhe atij ndërkombëtar e të rrjeteve televizive.

    Propozimi për dhënien e çmimit Kryepiskopit Anastas u bë nga Sekretarja e Përgjithshme Vasiliki Bafataki, e cila deklaroi pas lajmit se:

    “Dhënia e çmimit Kryepiskopit Anastas, këtij hierarku të rëndësishëm, këtij njeriu unik, që ia përkushtoi jetën e tij njeriut dhe qytetërimit, është nder shumë i madh për të gjithë ne. Ai na udhëheq me anë të urtësisë së tij në fushat plot dritë të spiritualitetit dhe të humanizmit.

    Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me studime në theologji, fetarologji, etnologji, është midis të tjerave edhe Profesor Nderi i Universitetit kombëtar Kapodistrian të Athinës, Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës dhe Doktor i Theologjisë dhe i Filozofisë në shumë universitete në mbarë botën. Gjithashtu është zgjedhur President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-) dhe President Nderi i Konferencës “Fete për Paqen” (2006-).

    Ai ka kryer një vepër të gjerë hierapostolike dhe sociale për shumë vite. Në kuadër të një perspektive globale, luan rol parësor në zbatimin e programeve novatore në Shqipëri në fushat e arsimit, shëndetësisë, përkujdesjes sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë, duke kontribuuar në mënyrë përcaktuese në krijimin e fytyrës evropiane. Njëkohësisht, ka luajtur rol parësor në zbutjen e kundërvënieve në Ballkan. Njohës i shumë gjuhëve dhe autor i shumë botimeve, është nderuar me një sërë çmime ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2000 ka qenë kandidat për çmimin Nobel të Paqes.

    Përtej veprës së tij sociale, ka krijuar një identitet modern kulturor për vendin, me në krye kompleksin e ndërtesave në qendër të Tiranës, i përbërë nga Kisha e re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë, Qendra Kulturore dhe Paraklisi i Lindjes së Krishtit., atje ku piktori Kristo Papanikolau zbaton teknikën e “dritëhijes vijëzuese në monokromi”, një risi në pikturën kishtare. Kemi të bëjmë me një arritje të madhe arkitektonike dhe estetike, simbol i unitetit dhe i rilindjes së vendit, që përbën një “vlerë” të shoqërisë shqiptare”.

    Çmimi ndërkombëtar “Xhuzeppe Shakka” (www.premiosciacca.it), ndodhet nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës Italiane, të ministrive italiane, të komiteteve olimpike kombëtare, të universiteteve etj. dhe është një prej institucioneve më të mëdha në shkallë botërore. Kanë si qëllim të tyre vullnetarizmin kulturor, shkencor e social, miqësinë dhe përparimin e përbashkët të kombeve, vlerat njerëzore dhe të rinjtë. Është themeluar para 14 vjetësh, nga kleriku dhe profesori i Jurisprudencës Don Bruno Lima, në kujtim të Xhuzeppe Shakka, studenti 26-vjeçar i arkitekturës, shembull i moralit dhe i kontributit në shoqëri.

    Prej shumë personaliteteve të rëndësishme që janë nderuar përmendim 16-vjeçarin amerikan Jacob Barnet me autizëm, gjeni në matematikë dhe në fizikë, me tregues të inteligjencës më të lartë se ai i Anshtajnit; amerikanin Cody McCasland, fitues i medaljes së arit në lojërat paraolimpike, 10-vjeçari ukrainas Vitali Neçajev, me inteligjencë të jashtëzakonshme në histori; profesorin e pediokardiokirurgjisë Afksentios Kalagos; studiuesin Jack Andraka etj.”

    President Nderi i Çmimit është kardinali Dario Castrillon Hoyos dhe President prof. Rev. Bruno Lima. Kryetar i Komisionit të Vlerësimit është gjykatësi dhe Presidenti i nderit i Këshillit të Shtetit, Xhuzeppe Santanielo dhe Sekretare e Përgjithshme, arkeologia dhe specialistja e çështjeve të komunikimit, prof. Bafataki. Përveç ceremonisë së dhënies së çmimeve, në këtë eveniment planifikohen edhe aktivitete kulturore e sociale në mbarë botën.

Zyra e Shtypit

http://premiosciacca.it/?p=4554