Mbledhje historike e Kishave të Krishtera
nga 65 vende të ndryshme të Botës
Nga 2-4 nëntor 2015, në Tiranë u zhvillua Konsultimi i parë Ndërkombëtar për temën “Diskriminim, persekutim, martirizim” dhe pasojat e tyre tek të krishterët në mbarë botën. Në takim morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës, nga 65 shtete, nga të 6 kontinentet, të gjithë liderë të krishterë në kishat e tyre, përfaqësues të të gjitha rrymave të Krishterimit botëror, ku përfshiheshin Orthodhoksët, Katolikët, Evangjelistët dhe Pentekostalët.
Veprimtaria, e organizuar nga Forumi i Krishterë Botëror, i zhvilloi punimet në sallën e madhe në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”. Shqipëria u zgjodh si vend për zhvillimin e Konferencës për shkak të përvojës historike të persekutimit të të dyja feve, Myslimane dhe të Krishterë, gjatë komunizmit dhe dëshirës që ka në shoqërinë shqiptare për bashkëjetesës ndërfetare paqësore.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri dhe Aleanca Ungjillore e Shqipërisë ishin të gjitha të përfshira në planifikimin, organizmin dhe mbarëvajtjen e Konferencës. Organizatorët ishin vazhdimisht në kontakt dhe me organet më të larta shtetërore.
Konferenca nuk ishte drejtuar kundër ndonjë feje tjetër apo autoriteti. Përkundrazi, ajo u përpoq të nxisë komunitetet, organizatat dhe kishat për të vepruar me dashuri, tolerancë dhe drejtësi për çështjet që prekin shumë njerëz në kontekste të ndryshme globale.
Veprimtaria u hap më 2 nëntor, me fjalimet e mirëseardhjes nga Kryepiskopi Anastas, nga Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. George Frendo, nga Sekretari i Global Christian Forum, rev. Larry Miller, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, Rev. Fr. Olav Fykse Tveit, nga Kardinali Kurt Koch, Presidenti i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit të Krishterë (i cili lexoi edhe një mesazh të Papa Franceskut) etj.
Themeluesi i Fondacionit Sant’Egidio, Prof. Dr. Andrea Rikardi mbajti një nga dy fjalimet kyç të veprimtarisë, duke u ndalur në trajtimin historik të synimit të Konsultimit, me temë “Diskriminim, persekutim dhe martirizim në shekullin e 21-të”. Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, mbajti temën e dytë kyç të aktivitetit, që ishte e përqendruar në aspektin teologjik të temës: “Perspektiva Biblike dhe Theologjike”. Fortlumturia e Tij theksoi ndër të tjera, se “Një problem tjetër më i përgjithshëm, për të cilin duhet punuar në mënyrë konstante, është marrëdhënia e ngushtë midis paqes globale, drejtësisë dhe zhvillimit. Varfëria mbetet lloji më i keq i shtypjes. Në shekullin e 21-të ne duhet të kultivojmë më shumë dhe të forcojmë solidaritetin e gjithë të Krishterëve…”.
Konsultimi pati edhe mjaft diskutime për temat dhe takime në grupe pune dhe në fund të seancave të ditës së tretë u aprovua një Mesazh final, në të cilin u përfshinë shumë nga pikat e shtruara në fjalën e Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit. Mesazhi u bën thirrje gjithë qeverive dhe Kishave të botës që të “respektojnë dhe mbrojnë lirinë e besimit”, si një e drejtë themelore e njeriut. Liderët e Kishave i bëjnë apel qeverive dhe organizatave ndërkombëtare që të ndërmarrin masa për të “respektuar dhe mbrojtur të krishterët dhe gjithë njerëzit e tjerë me vullnet të mirë nga kërcënimet e dhunës së ushtruar në emër të fesë”. Gjithashtu, i bëhet apel kishave dhe besimtarëve të risin solidaritetin dhe bashkëpunimin, për të ndihmuar njëri tjetrin për të përballuar këto sfida. Ndër të tjera, në Mesazhu pohua se: “më 1967 Shqipëria u deklarua në Kushtetutë si shtet ateist, dhe sot aty kishat po zhvillohen e përparojnë në një kuadër lirie fetare, pavarësisht se disa diskriminime mbeten ende”.
Në mbyllje, mbrëmjen e dt. 4 nëntor, pjesëmarrësit morën pjesë në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani
Edhe në datë 5 nëntor, për pjesëmarrësit që nuk ishin larguar ende, u zhvilluan vizita në kishat e ndryshme të krishtera, në qytetin e Durrësit, në Manastirin e Shën Vlashit etj.
Tiranë, 6 nëntor 2015
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë