Çdo vit, më 14 tetor, populli shpresëtar orthodhoks i Mitropolisë së Moldavisë dhe Bukovinës, në Rumani, feston të kremten e oshënares Parashqevia e Re. Në kremtime morën pjesë përfaqësues nga Kisha të tjera Orthodhokse, nga Patriarkana e Jerusalemit, nga Kisha e Greqisë, nga Mali i Shenjtë, si dhe dhjetëra mitropolitë e episkopë të Patriarkanës së Rumanisë. Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me ftesë të Mitropolitit të Moladavisë dhe Bukovinës, Hirësisë së Tij Theofanit, mori pjesë në festime episkopi ndihmës i Kryepiskopit, Hirësia e Tij Nikolla.
Kremtimet u kurorëzuan me kryerjen e Liturgjisë Hyjnore, më 14 tetor, në Katedralen e Iashit, në prani të mbi 15 mijë besimtarëve të ardhur nga e gjithë Rumania, por edhe nga vende të tjera. Morën pjesë edhe mjaft përfaqësues të lartë të pushtetit vendor e qendror. Besimtarët kishin bekimin që bashkë me lipsanin e oshënares Parashqevi, t’u faleshin edhe lipsaneve të shën Joan Gojartit, shën Marinës, dhe shën Maria Magdalenës, të sjella nga Mali i Shenjtë. Gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit dhe të kremtimeve, filluar më 9 tetor, lipsanet e shenjta të vendosura në katedrale i nderuan dhjetëra mijë besimtarë.
Kjo e kremte pati një frymë shumë të ngrohtë vëllazërore mes gjithë pjesëmarrësve dhe dëshmon edhe një herë unitetin dhe bashkimin e të krishterëve orthodhoksë në mbarë botën.