– Tema e tyre shpirtërore këtë vit do të jetë “Udhëto me zotin” –
Periudha e verës është një gëzim i veçantë për të rinjtë dhe të rejat orthodhokse. Është bekim i madh që ata marrin pjesë në një nga veprimtaritë më të rëndësishme dhe tradicionale që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizon çdo vit prej dy dekadash për argëtimin, formimin dhe edukimin e brezit të ri, në kampet verore për fëmijë e të rinj. Ato nisën më 2 dhe 4 korrik dhe do të përfundojnë në fund të muajit gusht, të ndarë në tre turne, sipas moshave, fëmijë, gjimnazistë dhe studentë, të ardhur nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë.
Tema e përbashkët shpirtërore për këtë vit është “Udhëto me Zotin”. Ajo do të përqendrohet në shembullin që na jep jeta e Apostull Pavlit dhe do të zhvillohet me veprimtari e referate, në mënyrë që edhe të rinjtë ta kuptojnë se si, ashtu si Apostulli, të mund të ecin së bashku me Perëndinë në rrugëtimin e tyre në jetë. Kampet do të kenë edhe veprimtari të tjera të larmishme, si shfaqje artistike e konkurse, aktivitete sportive, ekskursione, shkuarje në plazh etj.
Kampet zhvillohen nën kujdesin dhe me mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i cili i konsideron ato si “shkolla verore”.
Dy turnet e para të kampit të djemve do të zhvillohen afër qytetit të Durrësit, në mjediset e bukura dhe të pajisura me të gjitha kushtet të Manastrit të ri të Shën Vlashit dhe Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, ndërsa kampi i tretë, ai me studentët, do zhvillohen mes natyrës së mrekullueshme të bregdetit në Manastirin e Shën Jorgjit, në Çukë, afër Sarandës.
Të tri kampet e vajzave do të zhvillohen në mjediset e bukura dhe me të gjitha kushtet e Manastirit historik të Shën Joan Vladimirit, afër Elbasanit.