Të dielën, më 31.05.2015, në Qendrën Kulturore pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u organizua Festivali i 16-të i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë.

    Siç është bërë tashmë traditë, grupe rinore të përzgjedhura nga i gjithë vendi mblidhen të festojnë së bashku në një frymë dhe shoqëri dashurie. Por këtë vit, një arsye më shumë për të festuar, ishte mirënjohja ndaj të gjithë dhuratave të Perëndisë dhe kujtimi i një ngjarjeje të rëndësishme për të gjithë ne: kujtimi i 1-vjetorit të Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, e cila është kthyer në simbolin e ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

    Pas interpretimeve të grupeve konkuruese, në skenë u ngjitën edhe grupe përshëndetëse me tropare kishtare, këngë e valle, ndërkohë që juria u tërhoq për të marrë vendimin:

  • Çmimi i inkurajimit iu dha grupit rinor të Këlcyrës.
  • Për vallet, çmimi i parë iu dha grupit të fëmijëve të Korçës dhe çmimi i dytë grupit rinor të Gjinarit (Elbasanit).
  • Për këngët, çmimi i parë iu dha korit dhe orkestrinës së Radios “Ngjallja” dhe çmimi i dytë grupit rinor të Beratit.

    Në përfundim të festimeve, Kryebariu ynë i dashur, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, përshëndeti pjesëmarrësit “me dy fjalë”, siç ai vetë tha:

    “Me gëzim dhe dhimbje, lavdi Zotit!”

    Dhe ne, njëzëri falënderojmë Perëndinë për bekimet që na jep gjithmonë, dhe veçanërisht për një bekim vërtet shumë të madh, për bashkëpunëtorin e Tij të denjë dhe Kryepiskopin tonë të dashur, Anastas!

 

Maria Taçi