Në 7-9 maj u zhvillua në hotelin Divani Apollon Palace, në Glifadha të Athinës, Kongresi i parë ndërkombëtar i mjeteve digjitale dhe Pimantikës Orthodhokse me titull: “Ujë i gjallë”, që u organizua nga revista digjitale “Pemtousia”, në bashkëpunim me portalet në internet “Orthodox Christian Network” (SHBA) dhe “Bogoslov” (Rusi). Kongresi u realizua nën kujdesjen e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeut dhe në të morën pjesë 75 specialistë të kësaj fushe, klerikë orthodhoksë dhe laikë, nga 21 vende. Në këtë forum u përfaqësuan të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe Kishat autonome.
Me këtë rast u lexuan përshëndetjet- mesazhe të primatëve të tyre. Kjo ngjarje vërteton interesimin e shtuar të botës Orthodhokse për çështjen e përdorimit të mjeteve digjitale në veprën pimantike të Kishës, por edhe unitetin ekumenik të Kishës Orthodhokse. Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në veprimtari mori pjesë atë Harallamb Gjoka. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e ndërsjellë e personave që punojnë në Mjetet Orthodhokse Digjitale dhe koordinimi i përpjekjeve të tyre për një përhapje sa më të efektshme të Ungjillit, si dhe për implementimin e traditës orthodhokse të krishterë tek çdo njeri që ka vullnet të mirë.
† Anastasi Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Përgjegjshmëri për përdorimin e drejtë të mjeteve digjitale
Fort të dashurit e mi, Krishti u Ngjall!
Hapat e shkencës dhe të teknologjisë në fushën e mjeteve elektronike të komunikimit po na çojnë nga një çudi në tjetrën. Si pasojë direkte, sikurse dihet, sot kemi lidhjen e shpejtë e njerëzve dhe të popujve midis tyre, me tri karakteristika të qarta: Shtrirje globale, shpejtësi, lehtësi përdorimi. Këtu kemi të bëjmë me një revolucion që ndodh për herë të parë në mënyrën e përhapjes së ideve, pakrahasueshmërisht më tepër mbresëlënës dhe më I shumëanshmëm edhe se nga zbulimi i shtypit. Interneti dhe çdo gjë që lidhet me përdorimin e tij (Facebook, Tweeter, Live Streaming, YouTube etj.) përshpejton dinamikën e globalizimit, zgjidh problem të shumëllojta, duke krijuar të rinj.
Në këto kushte të pajetuara më parë, ne të krishterët qëndrojmë me admirim duke përsëritur; “Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, të gjitha i ke bërë me urtësi (PS.103:24), sepse e dimë se çdo arritje e njeriut ka si origjinë dhuratat dhe mundësitë që i fali Krijuesi i urtë. Dhe se krijueshmëria njerëzore është një shprehje tjetër e cilësive të njeriut të krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”.
Admirimin duhet ta shoqërojë përgjegjshmëria,për përdorimin e drejtë të mjeteve dixhitale të përhapjes së fjalës shpëtimtare të Perëndisë të dashurisë, që këto mjete të reja të mos bëhen në mënyrë eksluzive mjete të cilat fuqizojnë më tej pështjellimin, urrejtjen, korrupsionin, mjete që mbështesin një globalizim të padrejtësisë, të gënjeshtrës dhe të konflikteve. Por të vihen në shërbim të Ungjillit, duke kontribuar në një globalizim të solidaritetit, paqes dhe drejtësisë. Këtu gjendet edhe sfida e jashtëzakonshme edhe për orthodhoksët e shekullit të 21-të.Lavdërojmë Perëndinë Triadik, sepse thuajse të gjitha Kishat Autoqefale Orthodhokse kanë treguar tashmë një interes të rëndësishëm për këtë sektor. Përshëndesim dhe përgëzojmë nga zemra organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë “Kongres Ndërkombëtar”, iniciativën e të cilit me mori “Pemptousia” nën përkujdesjene Patriarkut Ekumenik Vartholomeut.
Mundësitë e reja që ofrohen, është nevojë imperative të vlerësohen drejt veçanërisht në dy drejtime: Në unitetin e orthodhoksisë dhe në dëshminë e saj apostolike në Botën e sotme. Siç edhe u theksua në mesazhet e dy Mbledhjeve të fundit të Primatëve të Kishave Orthodhokse në Konstandinopojë, këto të dyja ngelen tema qendrore për Orthodhoksinë moderne. Mjetet dixhitale ftohen të ofrojnë, përtej lajmeve, kontribut esencial në fushën e Pimantikës dhe të Theologjisë, për thellim në kuptimin e shpëtimit më Krishtin dhe përjetimin e Ungjillit në kushtet e reja të krijuara.
Sfida e dytë e madhe është të përdoren saktë për dëshminë e Orthodhoksisë në botën e sotme. Së pari, për riungjillizimin e bashkënjerëzve tanë, që janë zhytur në padituri dhenë indiferencë. Së dyti, për përhapjen e mesazhit orthodhoks në ambiente të reja. Kur Krishti i Ngjallur u dha apostujve porosinë e fundit të tij, “Shkoni, mësoni të gjitha kombet” (Matth.28:19), ata përdorën mjetet e lëvizjes dhe të komunikimit të asaj epoke për të kryer veprën e tyre: ecje në këmbë, karroca, anije, letra etj. Sot shtohen mundësi të reja. Porosia “Shkoni…” ngelet gjithnjë po ajo: Ecni përpara, transmetoni mesazhin shpëtimtar edhe në zona të tjera qytetërimi. Kemi nevojë për një dalje jashtë interesave tona që kufizohen tek vetja jonë, enoria jonë, Kisha jonë lokale, duke pasur si horizont ekumenin, “të gjitha kombet”. Në fund, duhet të kemi kujdes që të mos përthithemi nga kopertina, nga paraqitja e jashtme e website-ve. Ajo që është e vyer, vazhdon të ngelet përmbajtja e mesazhit. Dhe që t’ia dalim mbanë kësaj, duhet që përpjekja të bëhet me studim serioz, përulësi, lutje, si shprehje e dashurisë për Perëndinë dhe për marrësit. Si një liturgji mistike, që vazhdimisht frymëzohet nga Liturgjia Hyjnore. Uroj me të gjithë shpirtin, fryte të pasura në punimet e Kongresit, si edhe në punët e çdo pjesëmarrësi të tij, bashkëpunim krijues midis të gjithëve ju në në të ardhmen. “Perëndia i çdo hiri… ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themelostë. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin” (1Petr.5:10).
Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin e Ngjallur
† Anastasi